Zgjedhjet e lira në fokus të takimit të McCain edhe me Metën

Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka qenë edhe në fokus të takimit të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryetarit të Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin amerikan, senatorit John McCain. Kryetari i Kuvendit Meta dhe senatori McCain biseduan mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, situatën politike në vend, si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon. Meta vuri në dukje se, duke marrë në konsideratë peshën e veçantë të Shqipërisë në rajon, politika ka për detyrë të tregohet më e përgjegjshme brenda vendit për të krijuar klimën e duhur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve më të larta bashkëkohore. Meta gjithashtu shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA ndaj forcimit të demokracisë në Shqipëri dhe në veçanti ndaj avancimit të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe trafiqeve të lëndëve narkotike. Kryetari Meta ndau bindjen me senatorin McCain se Shtetet e Bashkuara duhet ta rrisin vëmendjen e tyre në Evropën Juglindore dhe shprehu besimin e plotë se Shqipëria do dijë të tregojë se është një partnere serioze e SHBA në avancimin e axhendës euroatlantike në rajon.

Artikulli paraprakBasha-McCain: Pa çmontuar krimin e drogën, s’ka zgjedhje
Artikulli tjetërShqipëria do përmbushë detyrimet ndaj NATO-s