SHBA e prerë me Ramën: Marrëveshje për koalicionet e listat e hapura me Opozitën e Bashkuar, e kuptojmë zhgënjimin e tyre

Ambasada amerikane në Tiranë u shpreh sot “e keqardhur” që ndryshimet kushtetuese nuk u miratuan “në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit”, pavarësisht faktit se “vendimi ishte në kompetencën e Parlamentit”, theksohet në një deklaratë të selisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara.

Ajo i kujtoi shumicës “deklaratat e saj se, megjithë miratimin e sotëm në Parlament, ata synojnë të angazhohen me të gjithë partitë në Këshillin Politik, në mirëbesim dhe me qëllimin për të arritur në marrëveshje për zbatimin e legjislacionit mbi listat e hapura dhe koalicionet”.

Thuajse të njejtat fjalë, ambasada amerikane i kishte përdorur dhe dje, në një tjetër deklaratë të saj, ku saktësonte gjithashtu se “ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre”. Sot, duke cituar pikërisht këtë fjali, kryeministri Edi Rama tha në parlament se “nuk më vjen mirë.

Nuk më vjen mirë jo vetëm për veten time, por për të gjithë ne. Ajo fjali është një arsye për çdo person në këtë vend, që kur merr përsipër të përfaqësojë popullin e vet në këtë sallë, apo në çdo rang përfaqësimi, të mos e bëjë qesharak popullin e vet, vendin e vet, shtetin e vet, sepse e kemi krijuar ne, këtë trashëgimi të ulët, e cila është vazhdim i një historie të gjatë moskuptimesh mes shqiptarëve që kanë çuar shqiptarët në situata të pajustifikueshme.

Dhe që nuk e kanë lënë këtë vend të bekuar të bëhet ai që zoti ka krijuar me buajri të madhe duke i dhënë të gjitha ato që duhet që populli të jetojë me dinjitet”, tha ai duke theksuar se “këtu, sot, kjo votë është një votë me dinjitet. Eshtë vendimmarrja jonë, tërësisht e përputhur me standartet ndërkombëtare”.

Por dhe në deklaratën e sotme ambasada amerikane rithekson të njejtën gjë ashtu si dhe një ditë më parë. “Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Ashtu siç vepruan në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, udhëheqësit shqiptarë duhet të tregojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të negociuar marrëveshje që vënë në radhë të parë interesat më të mira të popullit shqiptar”, theksohet në deklaratë.

Selia diplomatike e SHBA-ve komentoi dhe qëndrimin e opozitës jashtë parlamentare. “Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve”, thekson deklarata./VOA/

Artikulli paraprakHumb jetën nga Covid-19 ish-kandidati për president të Amerikës
Artikulli tjetërDy nenet, për listat, e koalicionet nuk do preken, ndërkombëtarët ishin garantë të Marrëveshjes së 5 Qershorit