Zbythet Rama, Kavaja, një leksion për të gjithë vendin

Të trembur nga një revoltë që pikënisjen kishte Kavajën, nuk ishin të pakët zërat që i kishin këshilluar atij tërheqjen nga marrëzia për të shkuar vetëm në zgjedhjet lokale atje. Por ajo që e ka bërë Ramën të tërhiqet nga qëndrimet e tij, ka të bëjë edhe me frikën që ai ndjen në rast se situata del jashtë kontrollit
Basha e pati deklaruar që më datë 25 mars, se zgjedhje në Kavajë nuk kishte për të pasur, dhe ashtu ndodhi vërtet
Edi Rama në panik ka tërhequr dje kandidatin e tij, nga gara për Kryetar të Bashkisë Kavajë. Në fakt, Edi Rama u mundua ta argumentonte qëndrimin e tij me avazin e stabilitetit, por ndërkohë shkatërroi zgjedhjet në Kavajë, ashtu siç po shkatërron zgjedhjet në të gjithë vendin me refuzimin e tij për të pranuar një qeveri teknike që do e çojë vendin në zgjedhje. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e pati deklaruar që më datë 25 mars, se zgjedhje në Kavajë nuk kishte për të pasur, dhe ashtu ndodhi vërtet.

Konferenca

Ishte ora 17:15 minuta kur kryeministri doli në një konferencë të paparalajmëruar shtypi, ku shfaqej qartë dëshpërimi në fytyrën e tij. Pasi dha leksione demokracie, që duhet thënë se është njeriu më i papërshtatshëm për të bërë këtë, Kryeministri do e justifikonte tërheqjen e tij nga frika, me një fantazi të përfolur shpesh kohët e fundit në mediat pranë tij, për një “plan të huaj destabilizimi”. “Ka disa prej jush që e kanë mendjen në Kavajë në 7 maj. Ka shumë që i druhen. Ka njerëz që i druhen një përplasje fizike, ka të tjerë që druhen se ka një konflikt në Shqipëri. Ka një plan për destabilizimin e këtij vendi dhe çadra është ngritur për këtë qëllim. Këto nuk janë hamendje, por fakt. Shqipëria nuk do të destabilizohet nga ky plan. Sfida jonë nuk është 7 maji i Kavajës”, tha Rama duke u munduar të qetësojë militantët e tij. Më tej ai shtoi se, “Kavaja nuk do të bëhet sheshi për një shesh të neveritshëm. Unë i kam sugjeruar kandidatit tonë në Kavajë që të tërhiqet. Këtë ja kam kërkuar edhe kandidatit tjetër”, u shpreh Rama.

Frika e PS dhe e Ramës

Në fakt, lëvizja e papritur e Ramës kishte kohë që përflitej dhe në ambientet brenda PS-së. Të trembur nga një revoltë që pikënisjen kishte Kavajën, nuk ishin të pakët zërat që i kishin këshilluar atij tërheqjen nga marrëzia për të shkuar vetëm në zgjedhjet lokale atje. Por ajo që e ka bërë Ramën të tërhiqet nga qëndrimet e tij, ka të bëjë edhe me frikën që ai ndjen në rast se situata del jashtë kontrollit. Basha kryetari i PD-së e kishte lajmëruar disa ditë më parë se, durimit të demokratëve po i vjen fundi dhe në rast se kjo ndodh nuk do kishte fuqi as ai as strukturat e tij që t’a ndalonin. Nga ana e tij, Rama priste deri në momentin e fundit që PD të tërhiqej nga qëndrimi i saj për të bllokuar zgjedhjet atje, një lajmërim që Basha e kish bërë që më datë 10 prill dhe një lumë i tërë njerëzish do vërshonin drejt qytetit të vogël bregdetar për të mos lejuar zgjedhjet farsë atje. Rama vazhdoi me kokëfortësi t’i qëndronte deklaratave të para, megjithëse dukej qartë se zgjedhjet s’kishin asnjë mundësi të zhvilloheshin.  Dhe kështu do të vazhdonte deri ditën e djeshme, kur shpalli kapitullimin e tij.

E gjithë Shqipëria si Kavaja

E megjithëse Shqipëria rrezikon të kthehet në një Kavajë të madhe, Rama përsëriti sërish dje se zgjedhjet do të zhvillohen më 18 qershor. Në fakt, ai tashmë e di fort mirë, se zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë. Edhe ata përfaqësues ndërkombëtarë që mundohen të bëjnë lojën e tij, do të vijë momenti që do e kthejnë gishtin pikërisht nga ai si fajtorin kryesor për destabilitetin e vendit. Opozita është në të drejtën e saj të kërkojë garancitë maksimale për zgjedhje në situatën, kur kemi një problem të madh me drogën dhe implementimin e elementit kriminal në politikë. Futja në zgjedhje në këto kushte nuk do ishin asgjë tjetër vetëm se ligjërim i kapjes së pushtetit nga Rama, dhe opozita është e vendosur që mos e pranojë kurrsesi këtë. Një ditë para tërheqjes së Kavajës, Rama do bënte dhe lëvizjen e fundit, kur u shfaq mospërfillës dhe për paketën McAllister, që ishte porosi e BE dhe e vetë kancelares Merkel. Të gjitha këto do i shpjegonte me shahun politik, që e ka në majë të gjuhës këto ditë. Dhe meqë jemi tek shahu, po i kujtojmë se Kavaja ishte lëvizja e parë, ishte ajo që quhet shah si prelud i kapitullimit, për të arritur tek 18 qershori, kur do jetë dhe mat-i politik i tij.

Trupi Diplomatik: Të vazhdojë dialogu, në zgjedhje duhet të jenë të gjithë

Shtyrjen e zgjedhjeve të Kavajës, e ka përshëndetur dhe Trupi Diplomatik i akredituar në Shqipëri. E para që ka reaguar ka qenë ambasada amerikane, e cila shprehet se duhet të shtyhet më tej dialogu politik mes palëve. Nga ana tjetër, në qëndrimin e saj zyrtar ambasada mbështet të drejtën e shqiptarëve për të protestuar në paqe, dhe nxit angazhimin e palëve për të negociuar për zgjedhjet e ardhshme. Një reagim ka ardhur dhe nga ambasada britanike në Tiranë. Ambasadori Duncan Norman, i cili pasi përshëndet shtyrjen e zgjedhjeve shprehet se duhet siguruar pjesëmarrja e të gjithë faktorit politik në zgjedhjet e ardhshme. Në vijim të lajmeve të fundit, ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman, përshëndeti vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve të pjesshme në Kavajë. Mbretëria e Bashkuar vazhdon t’i bëjë thirrje të gjitha partive politike për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive me qëllim sigurimin e pjesëmarrjes të plotë në zgjedhjet e ardhshme. MB ripërsërit thirrjen ndaj të gjithë anëtarëve të partive politike të sigurohen për shmangjen e dhunës gjatë periudhës parazgjedhore dhe vetë zgjedhjet”, thuhet në deklaratën e ambasadorit britanik.

Rama: Kam kërkuar dhe tërheqjen e kandidatit të “pavarur”

Vendimi i beftë i kryeministrit Edi Rama për të tërhequr nga gara kandidatin e tij në zgjedhjet e pjesshme të Kavajës dy ditë përpara se këto zgjedhjeve të zhvilloheshin, zbulon gjithashtu edhe bllofin e tij. Është fjala për kandidatin gjoja të pavarur në këto zgjedhje, Astrit Haka, i cili në fakt thjesht ishte futur në këtë lojë prej Ramës në një tentativë për ta paraqitur garën si normale. Vendimi i kryeministrit për të tërhequr kandidatin e tij, Klodian Shehi, nuk do të thotë automatikisht që zgjedhjet në Kavajë të mos zhvillohen, pasi në garë është kandidati tjetër, Astrit Haka. Por ajo që Rama tha dje  se në Kavajë nuk do të zhvillohen zgjedhjet pasnesër, e nxjerr zbuluar me kandidatin e futur prej tij, i cili iu servir publikut si i pavarur. “I kam sugjeruar kandidatit të PS të tërhiqet nga gara, të njëjtën gjë ia kam sugjeruar dhe kandidatit tjetër”, tha Rama. Përse, duhej që Rama t’i sugjeronte tërheqjen nga gara një kandiati të “pavarur”.

Haka: Jam kandidat i pavarur, por iu binda Ramës për t’u tërhequr

Kandidati i pavarur për kryebashkiak në zgjedhjet e Kavajës, Astrit Haka i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së kryeministrit Edi Rama për t’u tërhequr nga gara elektorale. Në një prononcim për “Express”, zoti Haka, kandidat i propozuar nga zgjedhësit thotë se nuk mund të vë interesat personalë përballë interesit kombëtar. “Për një karrige nuk digjet Shqipëria. Për interesin kombëtar, të mirën e Kavajës, të mirën e Shqipërisë, do të heq dorë nga gara. Egoizmi nuk ka vend në këtë mes”, u shpreh Haka. Ai ka nisur mbledhjen e firmave të qytetarëve që e propozuan si kandidat, për të marrë edhe dakordësinë e tyre. Këtë të premte, kryeministri Edi Rama deklaroi tërheqjen nga gara të kandidatit të Partisë Socialiste për zgjedhjet bashkiake në Kavajë, Klodian Shehi. Rama tha se është fakt që PD ka plan për të destabilizuar vendin, dhe këtë do ta niste me protestën e së dielës në Kavajë, ku demokratët kishin deklaruar se do të bllokonin procesin zgjedhor. Kështu, zgjedhjet në Kavajë shtyhen, vendim që u përshëndet edhe nga Presidenti Bujar Nishani dhe ambasadori i SHBA Donald Lu, por edhe kreu i LSI-së, Petrit Vasili, duke u parë si një mundësi për të ecur para me dialogun mes qeverisë dhe opozitës për të zgjidhur ngërçin politik.

Express

Artikulli paraprakDebati më brutal që ka parë Franca
Artikulli tjetërItali, arrestohen 5 shqiptarët që vranë dy kushërinjtë