Zbulohen shqiptarët që drejtonin trafikun e drogës në Itali, ku u kapën 2.7 ton kanabis

Mediat italiane kanë zbuluar identitetin e shqiptarit që drejtonte organizatën kriminale në Breshia që trafikonte marijuanë nga Shqipëria dhe kokainë nga Holanda. Ai quhet Neroid Shuhani 38 vjeç, ndërsa krahu i djathtë i tij është një grua italiane e quajtur Daniela Boniotti 51 vjeç nga Breshia. Pjesë e kësaj organizate të trafikut ndërkombëtar janë edhe 11 shqiptarë të tjerë, ndër të cilët janë identifikuar Luan Shuhani vëllai i drejtuesit Neroid Shuhani, dhe Robert Kasemi, i cili është nipi i tij. Këta kishin rol të rëndësishëm në këtë grup kriminal.
Hetimet për këtë organizatë kriminale nisën pas zhdukjes së italianit Roberto Bracchi në nëntor 2013, i cili zotëronte një lokal. Autoritetet zbuluan se, partneri i tij në biznes ishte në fakt krahu i djathtë i një 37-vjeçari shqiptar të përfshirë në këtë trafik droge.
Gjatë operacionit antidrogë të zhvilluar nga autoritetet italiane, u sekuestruan 2.7 ton marijuanë në një kamion në periferi të Romës dhe 3 kilogramë kokainë. Hetimet kanë zbuluar se marijuana trafikohej nga Shqipëria drejt Italisë, ndërsa kokaina nisej nga Holanda. Nga Shqipëria, marijuana transportohej drejt brigjeve të Kalabrisë në rrugë detare e më pas me kamion në Breshia. Kurse kokaina trafikohej nga Holanda drejt Italisë me makina të përshtatura për të fshehur drogën. Në total janë 12 shqiptarë të arrestuar dhe 4 italianë, ndërsa janë lëshuar edhe 4 urdhër-arreste të tjera.
Kohën e kalonte në një bar, ku ishte “baza” operative për takimet dhe organizimin e dërgesave dhe pagesave. Pastaj vinte ajo, krahu i djathtë: Daniela Bognotti. Lindur më 1966, e njohur edhe si ish e dashura e një baristi nga Monticelli Brusati, Roberto Bracchi, i zhdukur mëngjesin e 15 nëntorit 2013, kur doli nga shtëpia për të kryer disa punë në Rovato. BMË-ja e tij u gjet gjatë natës, në një parkim në Travagliato. Brenda saj u gjetën gjurmë balte, ndërsa në tapetin e shoferit dhe të bagazhit u gjetën gjurmë gjaku. Hetimet e fundit janë përqendruar pikërisht mbi “të njohurit” e Bracchit dhe për një qarkullim të supozuar droge ku mendohej se ishte përfshirë, siç është pranuar edhe nga vëllai tij (si dhe nga një valixhe e gjetur në shtëpinë e nënës së tij, brenda së cilës ishin dy kile marijuanë dhe disa gramë koka). Bracchi mbante një listë me emra, me sa duket i detyroheshin disa mijëra euro. Ditën e zhdukjes telefonoi (më kot) vetëm Danielën, të cilën e kishte edhe bashkëpunëtore.
Sidoqoftë, nga ana e kolonelit të policisë Magrini hetimi për grupin italo-shqiptar nuk ka lidhje me Bracchin dhe nuk ka shërbyer për asgjë në lidhje me zhdukjen e tij dhe lidhja e vetme mes dy hetimeve është Daniela. Në maj ajo u ndalua bashkë me një djalë shqiptar, teksa ktheheshin nga Holanda me makinë, ku kishin një kile kokainë. U la në arrest shtëpie, edhe me qëllimin për të mbyllur rrethin e hetimeve.

Artikulli paraprakSërish drogë nga Shqipëria në Greqi
Artikulli tjetërDosja “Habilaj”, arrest me burg për dy ish-drejtorët e policisë