Zaev ndalon projektin Shkupi 2014

Teksa ministri i ri i Kulturës në Maqedoni lajmëroi ndalimin e plotë të rinovimit të kryeqytetit të njohur si Shkupi 2014, arkitektët thonë se shpresojnë që disa nga ndërtesat historike që morën fasada të reja, të kthehen në gjendjen fillestare.
“Duhet ta ndalojmë menjëherë Shkupin 2014 sepse çdo ditë, si nga kutia e Pandorës, prodhon monumente të reja, skulptura, rrugica dhe kolonada që askujt nuk i duhen, por ne të gjithë paguajmë një çmim të lartë për këtë”, tha ministri i zgjedhur i Kulturës Robert Alagjozovski për agjencinë e lajmeve “Makfax”.
Alagjozovski lajmëroi një rishqyrtim të plotë të projektit.
“Ne do të organizojmë një konferencë ndërkombëtare rreth projektit me synimin e zhvillimit të skenarëve të ardhshëm rreth tij. Do të jemi të kujdesshëm me zgjidhjet”, tha ai.
Projekti i madh i qeverisë që transformoi pamjen e Shkupit ishte ide e ish-qeverisë së drejtuar nga Nikola Gruevski. Ai përfshin dhjetëra ndërtesa të reja, qindra fasada, monumente gjigante, ura dhe vepra të tjera zbukurimi, frymëzuar kryesisht nga stilet artistike të Antikitetit.
Projekti është kritikuar gjerësisht për mungesë transparence dhe ka shtuar dyshimet se është bërë një mënyrë për të vjedhur paratë nga buxheti i shtetit. Nga çmimi i shpallur fillimisht prej 80 milionë eurosh, kostoja e pamjes së re të kryeqytetit tani është rritur në mbi 670 milionë euro, sipas një baze të dhënash nga “BIRN”.
Ish-kreu i Shoqatës së Arkitektëve maqedonas, AAM, Sanja Regenoviç-Jovanoviç tha se tani nevojiten disa rregullime. Ashtu si arkitektë të tjerë, ajo sugjeron të fillohet me kthimin e pamjes ish-moderniste të ndërtesës së qeverisë.
Ndërtesa e vitit 1970 krijuar nga arkitekti i njohur Petar Mulickovski mori një pamje radikalisht të re në vitin 2014, kur u mbulua me kolona të rreme, një timpanum, si dhe dritare dhe çati të dizajnuara për t’i ngjasuar Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Ajo kushtoi më shumë se 16 milionë euro, sipas të dhënave.
“Padyshim, kjo ndërtesë duhet të kthehet në gjendjen normale”, tha Regenoviç-Jovanoviç.
Ajo tha se pritej që të duheshin para dhe kohë për të korrigjuar disa gabime, “por ne nuk kemi zgjedhje tjetër nëse duam të tregojmë maturi dhe shtet”.
Ndërkohë, puna për projektin e nisur në vitin 2010 vazhdon edhe sot. Një rrotë gjigante po ndërtohet ende në një urë për këmbësorë në lumin Vardar në Shkupin qendror. Autoritetet kanë filluar së fundmi ndërtimin e Bankës së re Qendrore, pavarësisht se ky institucion ka tashmë një seli të ndërtuar gjatë viteve 1970.
Pranë tij, autoritetet e udhëhequr nga qeveria e përkohshme e Emil Dimitriev, i cili i takon partisë së Gruevskit po përfundojnë selinë e re të Agjencisë Kombëtare të Pronave të Patundshme. Javën e kaluar, fasada u zbukurua me statuja gjigante bronzi të shenjtorëve.
Më 22 maj, elita e ish-partisë qeverisëse mori pjesë në një hapje gala të Filarmonisë së re maqedonase, e cila kushtoi pothuajse 40 milionë euro dhe është vetëm një nga disa ndërtesat me pamje moderniste që janë pjesë e projektit.
Kryeministri i zgjedhur Zoran Zaev, paralajmëroi se çmontimi i disa monumenteve gjigante dhe heqja e fasadave të reja nga ndërtesat historike do të ishte e kushtueshme dhe kërkoi durim deri në një analizë të plotë përpara veprimit.

Artikulli paraprakKatastrofa e sulmit kibernetik
Artikulli tjetërVuçiç: Do jemi mes Lindjes dhe Perëndimit