‘Xibraka’, si ruhej Genci Xhixha nga përgjimet, fliste me kode

Genci Xhixha, i pandehuri kryesor i dosjes së kartelit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit ka qenë personi, i cili më shumë nga të gjithë anëtarët e kartelit ka respektuar kodin e heshtjes. ABC News ka zbardhur disa biseda të përgjuara të Xhixhos, i vetmi nga grupi që është dënuar në mungesë. Në dosjen gjyqësore “Xibraka” theksohet se Xhixha ka patur kontakte të pakta telefonike me anëtarët e grupit. Ai ka folur me gjuhë të koduar, nuk ka bërë vizita të shpeshta në laborator dhe nuk ka mbajtur kontakte telefonike direkte me dy kolumbianët e angazhuar në prodhimin e kokainës. Por kujdesi i Xhixhës rezultoi i pasuksesshëm përsa i përket përgjimeve, por ai mundi t’i shpëtojë operacionit të arrestimit të zhvilluar më 15 janar 2015.
Xhixha u citua si Elefanti në bisedat telefonike të grupit u dënua me 13 vjet burg në mungesë nga Krimet e Rënda. Ai iu fsheh drejtësisë gjatë hetimit dhe gjykimit dhe vijon të jetë person në kërkim. Në një komunikim me të pandehurin Ermal Hoxha, nipin e ish-dikatorit Enver Hoxha më 13 janar 2015, Genci Xhixha shpreh shqetësim për një zhurmë që dëgjon gjatë telefonatës. “Shih, shih si bon telefoni”, i ka thënë ai bashkëbiseduesit. Menjëherë ai është qetësuar nga bashkëbiseduesi Hoxha i cili i thotë se ka dëgjuar komandën e dëgjimit ambiental “Viva voche”. Në një telefonatë të së njëjtës ditë, Xhixha i konfirmon Hoxhës se ka lënë takim me një person, të cilit i referohen me nofkën “Vezë”. Përmes një përgjimi të datës 14 janar 2015, Gjykata konstaton se i pandehuri Genci Xhixha kujdeset që të mos identifikohet lidhja e tij kriminale, duke mos përdorur numrin, apo numrat telefonikë të regjistruar në emër të tij në këtë telefonatë, duke mos mbajtur kontakte me shtetasit kolumbianë dhe duke mos shkuar shpesh personalisht në laboratorin e prodhimit nëpërmjet përpunimit të lëndës narkotike.
Pak minuta më vonë i pandehuri Xhixha (+949) telefonon Nipin e ish-diktatorit (+575), të cilit i kërkon të njoftojë ata të dy se për gjysëm ore vjen ai shoku për t’i marrë. I pandehuri Hoxha konfirmon kontaktet me dy shtetasit kolumbianë, të pandehur në këtë dosje të prodhimit të kokainës në laboratorin e Xibrakës.
Genci Xhixha, i konsideruar si financues dhe sigurues i lëndës së kokainës në Kolumbi, e cila vinte dhe përpunohej në Elbasan, është njoftuar se po ndiqej. Në dosjen e dorëzuar në Gjykatë ndodhen 12 raporte vëzhgimi të Policisë së Shtetit me autorizim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të kryera gjatë periudhës dhjetor 2014 -janar 2015.
Në të gjitha këto vëzhgime të kryera në qytetet Tiranë, Elbasan dhe në Xibrakë dhe në rrugën që lidh këto dy qytete, gjithçka ka ecur normalisht deri në datën 14 janar 2015. Atë ditë Genci Xhixha ka qenë në Shqipëri dhe paradite është nisur në drejtim të Elbasanit. Linja logjike e ngjarjeve ishte që ai të shkonte në laboratorin e Xibrakës ku ndodheshin në atë moment disa nga bashkëpunëtorët e tij. Por ai ndryshoi drejtim.
Prokurorët e çështjes, krahas përgjimeve telefonike dhe renditjes së detajeve të rrjetit të trafikut të drogës, kanë pyetur 24 persona për dosjen e Xibrakës. Në mesin e dëshmitarëve janë familjarë të të arrestuarve, të njohur apo edhe banorë të ndryshëm, të Elbasanit dhe Tiranës, që kanë pasur kontakt me dy kolumbianët e arrestuar. Në dosjen e Prokurorisë ndodhen 12 raporte vëzhgimi të shoqëruara me pamjet filmike të regjistruara në distancë. Ky vëzhgim ka nisur më 19 dhjetor të vitit 2014 dhe ka vazhduar për disa ditë, me ndërprerje deri më datë 14 janar, kur edhe është ndërhyrë për arrestimin e tyre.
Aksioni për arrestimin e trafikantëve të kartelit të kokainës në Xibrakë është realizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas raportimit të autoriteteve të drejtësisë gjermane. Por operacioni është dekonspiruar pak minuta para arrestimit të tyre. Sipas raportit të vëzhgimit të datës 14 janar 2015 të mbajtur nga dy agjentë të policisë, përshkruajnë momentin kur Genc Xhixha ishte nisur drejt Elbasanit. Por një mesazh telefonik i dërguar në telefonin e tij, në ora 10:35 minuta, ka bërë që ai të rrotullohet dy herë te rrethrrotullimi i “TEG”-ut dhe më pas është larguar me shpejtësi drejt Tiranës.
Ai moment ka qenë i fundit kur është parë Xhixha nga agjentët e policisë, pasi ka arritur të largohet i pashqetësuar. Vetëm pak orë më pas, në raportin e vëzhgimit në laboratorin e Xibrakës, agjentët kanë konstatuar se tre nga të dyshuarit po derdhnin fuçitë e mbushura me një solucion ngjyrë blu nga mbrapa magazinës. Në këtë kohë është ndërhyrë, duke i arrestuar, ku edhe është konstatuar se ata po derdhnin solucionet ku brenda kishte tretësira kokaine.

Artikulli paraprakDenoncimi: Terror policor nga çunat e krimit në Tiranë
Artikulli tjetërBasha, hapa për bashkimin, Rama korruptoi edhe të huaj