Xhaka jashtë kombëtares

Taulant Xhaka nuk do të jetë në grumbullimin e radhës me kombëtaren. Zënka e mesfushorit me trajnerin De Biazi, e paralajmëruar muaj më parë, duket se ka lënë pasoja edhe për të ardhmen. Kur kuqezinjtë do të luajnë dy takime, një miqësore ndaj Luksemburgut dhe një kualifikuese ndaj Izraelit, mesfushori i Bazelit pritet të mos jetë pjesë.
Xhaka ka qenë një nga benjaminët e trajnerit De Biazi, por që pas ndeshjes së parë në Europian me Zvicrën, gjërat nisën të mos ishin më njësoj. Në grumbullimin e fundit të kombëtares, gjërat precipituan dhe lojtari u largua nga grumbullimi.
Ai më pas deklaroi se nuk do të pranonte të vinte më në kombëtare, për sa kohë në krye të saj të ishte trajneri italian. Duket se ajo zënkë ka lënë ende pasoja dhe për këtë ajo që do të vuajë është pikërisht skuadra kombëtare që humb një nga futbollistët që ka qenë pjesë e grupit që arriti kualifikimin në “Euro 2016”.
Ermir Lenjani pritet që të ketë ftesë në grumbullimin e radhës. Prania e një ndeshjeje miqësore i jep shansin mesfushorit që të marrë një thirrje nga trajneri për të parë gjendjen e tij dhe për të treguar se forma e tij është e qëndrueshme dhe se ka qenë vendim i gabuar i klubit me sjelljen ndaj tij.
Lenjani nuk është aktivizuar nga Renes, e cila në shumë muaj as nuk e ka grumbulluar mesfushorin kuqezi. Me përfundimin e këtij sezoni, mesfushori është i lirë dhe pritet hapja e merkatos së transferimeve për të parë ndryshim ekipi nga mesfushori mëngjarash. Drejtuesit e klubit të Renes “ndëshkuan” shqiptarin për faktin se ai, një vit më parë, ishte pjesë e skuadrës rivale, Nanta dhe vetë tifozëria e Renes nuk e pranonte diçka të tillë. Përfundimi i kampionateve në vende të ndryshme ka bërë që disa nga kuqezinjtë të jenë pushim. Madje, ka prej tyre që janë në Shqipëri pranë familjeve të tyre.

Artikulli paraprakRama ndjen humbjen, nuk i dalin votat, shikon nga Milo e Gjinushi
Artikulli tjetërTrafiku i kanabisit ndikoi në zhvlerësimin e euros