Xhaka e Shaqiri s’ikin nga Zvicra

Anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në UEFA ka bërë që në Zvicër gjatë kësaj periudhe të diskutohet për vetëm një çështje dhe ajo është: çfarë do të bëjnë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, do të vazhdojnë të luajnë për përfaqësuesen helvete apo do të zgjedhin Kosovën? Në lidhje me këtë temë ka folur edhe trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviç me këtë të fundit që ka lënë gjithçka të hapur edhe pse boshnjaku ka shprehur bindjen se Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri nuk do t’i japin lamtumirën përfaqësueses helvete pas “Euro 2016”.
“Xhaka dhe Shaqiri do të largohen nga Zvicra? Ka gjasa të mëdha që Graniti të ndryshojë skuadër, por vetëm në rang klubesh. Siç e tha edhe Berhami pranimi i Kosovës në UEFA i ka lumturuar të gjithë futbollistët kosovarë që janë pjesë e Zvicrës, por Valoni e bëri shumë mirë të qartë se të gjithë futbollistët kosovarë që janë pjesë e Zvicrës luajnë me zemër për këtë përfaqësuese dhe ata nuk mund të largohen nga Zvicra. Nuk e di nëse duhet t’i friksohemi një largimi të mundshëm të Xhakës dhe Shaqirit, por mendoj se nuk kemi përse ta bëjmë një gjë të tillë, pasi vetë Graniti dhe Xherdani nuk kanë frikë”, u shpreh Petkoviç.
Zvicra është një nga tre skuadrat kundërshtare të Shqipërisë në Grupin A të Euro 2016 dhe aventura e kombëtares kuqezi në europianin francez do të nisë pikërisht me duelin e 11 qershorit në Lens ndaj përfaqësues helvete. Por sa shanse ka Zvicra për të kaluar grupin dhe për të shkuar sa më larg në këtë kompeticion, sipas Petkoviç skuadra që ai drejton i ka të gjitha mundësitë për të bërë surprizën në Euro 2016.
“Objektivi jonë është të sigurojmë kualifikimin pas dy ndeshjeve të para në grup. Duam të shkruajmë historinë në Francë. Kjo skuadër më kujton përfaqësuesen U-17 që fitoi kampionatin botëror përpara disa vitesh. Ky ekip ka shumë potencial, por duhet ta tregojmë në fushë diçka të tillë”, tha ai.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërSadiku në formacionin e javës në Zvicër