Xabi Alonso i jep fund futbollit

“E kam jetuar, e kam dashuruar, por po vjen momenti për t’i dhënë lamtumirën kësaj loje kaq të bukur”. Me këto fjalë Xabi Alonso, mesfushori spanjoll i Bayern Munich ka komunikuar tërheqjen e tij nga futbolli i luajtur në fund të këtij sezoni. Në moshën 35-vjeçare, Alonso ka vendosur të thotë stop, duke u bërë i dyti lojtar i skuadrës bavareze që në një kohë të shkurtër bën të ditur lamtumirën nga futbolli. Pak javë më parë ishte kapiteni i Bayern-it, Philip Lahm ai që komunikoi tërheqjen, ndërsa tashmë vjen radha e Xabi Alonsos. Me një postim në profilin e tij zyrtar në Instagram, mesfushori bask u komunikoi fansave të tij se në fund të sezonit futbollistik 2016-2017, ai do të varë këpucët në gozhdë, me shpresën se Bayerni për kënaqësinë e tij dhe atë të Philip Lahm do të arrijë suksesin e 3-fishtë në këtë sezon në mënyrë që Xabi Alonso dhe kapiteni t’i japin fund në mënyrën më të mirë karrierës së tyre brilante.
I lindur në Tolosa në një krahinë të San Sebastianit në komunitetin bask, Xabi Alonso është një nga futbollistë që do të mbahet mend gjatë nga atë që dashurojnë futbollin e bukur. Klas, teknikë, forcë dhe një vizion loje të mahnitshëm, janë këto karakteristikat që e kanë bërë spanjollin një nga mesfushorët më të mirë në botë gjatë këtyre viteve. Është 35 vjeç, numëron më shumë se 800 ndeshje zyrtare në karrierën e tij të suksesshme, por pavarësisht moshës dhe viteve të shumta që ka mbi supe, Xabi Alonso është një nga lojtarët me më shumë minuta në këmbë te Bayerni i Carlo Ancelottit gjatë këtij sezoni. Karrierën si profesionist e nisi te skuadra e vendlindjes së tij Real Sociedad në vitin 1999, u huazua më pas për një sezon te Eibari për t’u rikthyer sërish te Sociedadi dhe për t’u konfirmuar si një talent i jashtëzakonshëm. Më 2004-tën bëri hapin e madh duke firmosur me Liverpoolin. Me The Reds, Alonso fitoi Champions Leaguen që në sezonin e tij të parë pas përmbysjeje fantastike ndaj Milanit në finalen e Stambollit, ndërkohë që gjatë eksperiencës 5-vjeçare në “Anfiled Road” i shtoi palmaresit të tij edhe 1 Superkupë Europe, 1 FA Cup dhe 1 Community Shield.
Më 2009-tën ai zgjodhi të provonte një aventurë të re duke u transferuar në Madrid për të mbajtur veshur fanellën e bardhë të Realit. Në 5 sezone me Los Blancos, Xabi Alonso fitoi gjithçka që mund të fitohej. Me Realin, 35-vjeçari fitoi 6 trofe, 1 Champions League më 2014-tën, një titull të La Ligas më 2012-tën, 2 Kupa Mbreti, 1 Superkupë Spanje dhe 1 Superkupë Europe. Pas një tjetër 5-vjeçari të mbushur me suksese, Alonso vendosi të ndërronte sërish ambient për të provuar veten në një tjetër kampionat. Me këmbënguljen e Pep Guardiolës, ai pranoi të kalonte te Bayerni më 2014-tën, skuadër tek e cila po zhvillon sezonin e tij të 3-të dhe deri tani ka fituar 2 tituj të Bundesligës, 1 Kupë Gjermanie dhe 1 Superkupë të Gjermanisë. Gjatë karrierës së tij ai ka punuar me trajnerët më të mirë në botë, duke filluar nga Rafael Benitez për të vijuar me Jose Mourinhon, Carlo Ancelottin dhe Pep Guardiolën. Xabi Alonso ka shkruar historinë edhe me Spanjën.
Me përfaqësues La Roja deri më 2014-tën, kur edhe u tërhoq, ai ka zhvilluar në total 114 ndeshje duke realizuar dhe 16 gola. Alonso ishte pjesë e padiskutueshme e Spanjës që bëri historinë duke fituar një Kupë Bote dhe 2 Kampionate Europianë në harkun e 4 viteve nga 2008-ta më 2012-tën. Faqja zyrtare e Bayern-it në internet ka publikuar edhe deklaratat e para të lojtarit pas tërheqjes. Nuk ka qenë një vendim i lehtë, shprehet Alonso, por ky është momenti i duhur për t’i dhënë fund futbollit. Ndërkohë që klubi i Bayern-it falënderon lojtarin për përkushtimin e treguar gjatë këtyre viteve duke theksuar: “Xabi Alonso është një nga të mëdhenjtë e botës së futbollit. Ai ka fituar gjithçka që mund të fitohet gjatë karrierës së tij”.

Artikulli paraprakÇmimet 2.7% më të larta se sa janari i vitit të kaluar
Artikulli tjetërRenditja e FIFA, Shqipëria e Kosova fitojnë 1 pozicion