Vritet me armë një i ri në Himarë, vendi nën pushtetin e krimit

Një 35-vjeçar u gjet i vrarë me armë zjarri në Himarë. Burimet e policisë bëjnë të ditur se, shtetasi Dashamir Zeneli është gjetur i vrarë mëngjesin e djeshëm në fshatin Kuç të Himarës. Sipas policisë, ai është banor i fshatit Kuç të Himarës dhe mendohet që është ekzekutuar pikërisht në përroin ku u gjet trupi i tij pa jetë. Ishin banorët e zonës që panë trupin e viktimës dhe njoftuan policinë. Nga këqyrjet e para rezultoi se, 35-vjeçari ishte qëlluar me armë zjarri në trup dhe në kokë.
Mësohet se, viktima Zeneli disa ditë më parë ishte liruar nga burgu, ku kishte vuajtur dënimin pas një konflikti të armatosur me një bashkëfshatar një vit më parë. Zeneli ishte arrestuar nga Policia e Vlorës më 16 tetor të vitit të kaluar, pasi kishte kanosur me armë një person në një lokal të fshatit Kuç.
Po ashtu gjatë arrestimit, në muajin tetor, policia i kishte bllokuar Zenelit, edhe dy automatikë dhe disa municione. Nuk dihen ende rrethanat e këtij krimi, por policia tha se, po heton si shkak të mundshëm të krimit, hakmarrjen që lidhet me konfliktin e muajit tetor, por edhe disa përplasje që viktima ka pasur me persona të tjerë.
Vendi ndodhet nën pushtetin e krimit, ku përditë vriten njerëz dhe grabiten biznese e qytetarë të thjeshtë. Ende pa u zbardhur vrasja e pak ditëve më parë, në Durrës e ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit, Ervin Dalipaj dhe një të riu nga Vlora, Juxhin Dauti, një tjetër vrasje ndodhi dje në Himarë. Ndërkohë, dhjetëra persona janë vrarë në këto vitet e fundit për drogën. Policia nuk ka mundur në asnjë rast të gjejë autorët e vrasjeve.
Të dielën u grabit nga maskat një biznesmen në Korçë, policia jo vetëm që nuk ka gjetur autorët, por nuk u erdhi në ndihmë familjarëve që u terrorizuan dhe u grabitën nga personat e armatosur. Gruaja e biznesmenit kërkoi ndihmë policisë në numrin 129, por askush nga efektivët e policisë nuk iu përgjegj.
Qytetarët ndodhen të pasigurtë, pasi akset rrugore kontrollohen nga bandat dhe maskat, ndërsa zyrtarët e policisë kontrollojnë trafikun e drogës.

Artikulli paraprakMe njërën dorë në revani, me tjetrën në bakllava
Artikulli tjetërLihet në burg komandanti i ushtrisë që u kap me kokainë