Vritet 19- vjeçari në Elbasan, autorët në drejtim të paditur

Krimi nuk ndalet, ndërsa rendi dhe siguria kanë dalë jashtë kontrollit të policisë. Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Guri i Zi në Elbasan. Sipas policisë, 19-vjeçari Gazmend Sllami është vrarë me armë zjarri në një kodër rreth orës 16:00 rreth 200 metra larg banesës së tij. Kanë qenë familjarët ata që e kanë gjetur në gjendje të rëndë 19-vjeçarin dhe kanë nxituar për ta çuar në spital. Por i riu ka mbërritur i pajetë në Spitalin e Elbasanit.
Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për të identifikuar autorin e vrasjes, si edhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Gazmend Sllami, sipas Policisë është gjetur i vdekur në një kodër pranë banesës së tij. Kanë qenë të shtënat e një arme gjahu çifte, të cilët janë dëgjuar në fshatin Guri i Zi ku edhe jetonte 19-vjeçari, që trembën familjarët e tij. Menjëherë ata u drejtuan nga ana ku edhe janë dëgjuar të shtënat, dhe më pas në kodrinë kanë gjetur të shtrirë djalin e tyre, të cilin e kishin të dytin në familje.
Të tmerruar nga ajo që kanë parë, pasi dyshohet se plumbin i riu e ka marrë në zemër, familjarët menjëherë kanë tentuar ta lëvizin nga vendi me qëllim që t’i japin ndihmën e parë, duke e çuar atë në spital. Por sipas Policisë i riu ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Edhe pse kanë shkuar në spital, mjekët pohojnë se ai ka shkuar i pajetë.
Policia sapo ka marrë informacionin për një vrasje në fshatin Guri i Zi, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur të marrë në pyetje si fillim familjarët e 19-vjeçarit të vdekur. Ata kanë pohuar për Policinë, se nuk kanë pasur asnjë konflikt, dhe se 19-vjeçari edhe pse me shkollë 8-vjeçare ka qenë një djalë shembullor si në shtëpi ashtu edhe tek të afërmit dhe fqinjët.
“Djali nuk ka thënë në shtëpi se ku po shkonte, por menjëherë pas telefonatës ai doli, dhe ne nuk është se dyshuam se kjo telefonatë ishte e fundit për djalin tonë”, thanë në Polici familjarët e 19-vjeçarit.
Mësohet se Gazmend Sllami ka dalë nga shtëpia rreth orës 14:00 të ditës së djeshme dhe sipas dëshmive të para të familjarëve, por edhe fshatarëve të zonës, ai është vrarë në orën 16:00, kjo nga fakti sepse ata kanë dëgjuar të shtënat pikërisht në këtë orë të mbasdites.
Pas kësaj, Policia ka marrë në pyetje edhe fqinjë, shokë të 19-vjeçarit, dhe ende nuk dihet se cili është shkaku i vrasjes së tij.  Gjithsesi, Policia ka nisur hetimet në shumë pista, ku mes tyre mund të jetë një sherr mes të rinjve. Policia dyshon se autorët janë të njohur të viktimës, pasi ai ka pranuar t’i takojë sapo e kanë telefonuar.
Uniformat blu kanë nisur krehjen e zonës, pasi dyshon se autori ende fshihet mes maleve. Bëhet e ditur gjithashtu, se deri më tani janë shoqëruar në Polici 15 persona, të dyshuar që mund të kenë dijeni për rrethanat e vrasjes.
Gazmend Sllami në datën 11 dhjetor mbushte 19 vjeç, ai ishte djali i dytë i familjes Sllami, të cilët kishin tre fëmijë. Familjarët e Gazmendit tepër të hidhëruar dhe tronditur, kanë pohuar ndër të tjera në Polici, se djali i tyre ishte shembullor, dhe nuk njihej në fshat për ndonjë sherr apo konflikt mes shokëve të tij. Ata kanë pohuar se, Gazmendit i ka rënë telefoni rreth orës 2 të ditës së sotme, dhe pas kësaj ai ka dalë pa thënë se ku do të shkonte. Vetëm rreth dy orë pasi ai ka dalë, dëgjuan të shtënat që erdhën nga kodrina, dhe menjëherë shkuan aty. Jo vetëm ata, por edhe fqinjët e tyre.
Vdesin dy gra në Kurbin e në Tiranë
Dy gra të moshuara kanë humbur jetën, njëra në Kurbin dhe tjetra në Tiranë. 99-vjeçarja Dava Margjoni, e cila ishte shpallur e humbur disa ditë më parë nga të afërmit, është gjetur e vdekur në ujërat e Shkopetit. Kanë qenë banorët e zonës, të cilët kanë parë trupin e pajetë të 99-vjeçares, duke lajmëruar menjëherë policinë për ngjarjen. Në trupin e pajetë të 99-vjeçares nga Kurbini është gjetur dhe një litar i lidhur në brez, ndërkohë që familjarët janë shprehur se nuk e dinë nëse është vrarë apo është hedhur vetë në liqen. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa nuk dihen ende shkaqet e vdekjes.
Ndërkohë, një 66-vjeçare ka humbur jetën në Laknas të Tiranës, pasi ka rënë aksidentalisht nga ura në lumë. Burime nga policia bënë me dije se, Xhuma Neziri, banuese në kryeqytet, ka rënë aksidentalisht në lumë. Të njëjtat burime theksuan se trupi i viktimës është gjetur dhe nxjerrë nga shërbimet policore në afërsi të vendit të njohur si “Plepat e Brukës”. Sakaq, vijojnë hetimet në lidhje me dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Artikulli paraprakBanorët e Mbrostarit: Nuk na tremb presioni i policisë
Artikulli tjetër1.6 ton drogë e armë nga Durrësi në Bari