Vrasjet në familje, vetëm maja e ajsbergut! Flet psikiatri Neli Demi!

Psikiatri Neli Demi ishte në “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV për të folur për vrasjet, vetëvrasjet dhe dhunimet në Shqipëri, ngjarje që kanë tronditur vendin tonë ditët e fundit. Ngjarjet e fundit janë vetëm maja e ajsbergut, thotë psikiatri, pasi ka shumë raste të tjera që nuk bëhen publike.

“Unë mendoj që kjo është maja e ajsbergut. Janë vetëm raste që bëhen publike për shkak të dramacitetit, të përfundimit të gjësë. Pasi kanë ndodhur. Vrasje, vetëvrasje, dhunime dhe përdhunime, që bëhen publike dhe që shoqëria, shteti, publiku, media kujtohen dhe merren përkohësisht me fenomenin. Këmbëngulje jonë si profesionistë ka qenë se duhet të bëhet një punë e vazhdueshme. Ngjarja duhet të mediatizohet në mënyrën e duhur. Të kemi përkujdesje të individit, në çdo etapë të jetës, që mos përfundojmë në raste të tilla. Duhet edhe menaxhimi në mënyrën e duhur i këtyre situatave që me shumë mundësi mund të parandalohen. Ekziston mundësia, fenomeni copycat që individë të cilët ndodhen në situata të ngjashme mund të marrin “frymëzim” dhe të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Vetëvrasja është fenomeni më i përhapur. Ndaj them se është e rëndësishme mënyra si mediatizohet një rast vetëvrasjeje. Detajet që transmetohen, nuk janë të nevojshme për publikun, më shumë sesa thelbi i problematikës që mund ta ketë shkaktuar. Sa herë publikohet një rast vetëvrasje, dhunë në familje, qoftë në mediat e shkruara edhe ato audiovizive duhet të publikohet vendi dhe mënyra se si mund të merret ndihmë për këto fenomene. Është pjesë e mënyrës së mediatizimit të fenomenit.”, tha psikiatri në DritareTV./K.C/dritare.net

Artikulli paraprak“Nuk ka vend në BE për shërbëtorët e Putinit”/ Politikani gjerman: Vuçiç nuk është më i besueshëm
Artikulli tjetër‘Hendek skandaloz’: Qeveria i shet pallatet e konfiskuara 10 herë më lirë se tregu