Vrasja e turistes ruse në det, drejt lirimit skafisti

Edhe pak orë mund t’i duhen Ermal Fatajt për të provuar sërish aromën e lirisë. 45 ditë pasi u vu në pranga si autor i dyshuar për vrasjen aksidentale në plazhin e Ksamilit të 15-vjeçares ruse Ksenia Riok, dosja ndaj Fatajt nuk përmban provën kryesore; ekspertizën e ADN-së për fijet e flokëve të gjetura në helikën e skafit të tij. Që prej korrikut, Laboratori i Policisë Shkencore ende nuk ka kthyer përgjigje nëse qimet e gjetura në pjesën e poshtme të mjetit lundrues të 31-vjeçarit Ermal Fataj, i përkasin apo jo 15-vjeçares ruse. Mungesa e një raporti për përgjigjet e ADN-së mbi fajësinë e Ermal Fataj, mund të ndikojë në lirimin e tij nga burgu.
31-vjeçari u arrestua pas një aksidenti të ndodhur në korrik në plazhin e Ksamilit, ku mbeti e vdekur 15-vjeçarja Ksenia Riok. Gjykata e Sarandës kishte vendosur masën e sigurisë atë të arrestit me burg 45 ditor ndaj autorit të dyshuar. Por mesa duket Prokuroria nuk po arrin të provojë fajësinë ndaj të dyshuarit kryesor të saj për këtë ngjarje.
E mërkura e 6 shtatorit pritet të jetë afati i fundit i qëndrimit në izolim për Ermal Fatajn. Deri në këtë fazë të hetimeve Laboratori i Policisë Shkencore nuk ka arritur të krijojë një raport të plotë mbi përgjigjet e analizave të gjetura në helikën e skafit të 31-vjeçarit, për të përcaktuar se të kujt ishin fijet e flokut. Një element thelbësor ky, për vijimin e hetimit.
Pa këtë akt-ekspertimi dhe pa një kërkesë për shtyrjen e afateve të mbajtjes pas hekurave të biznesmentit, atëherë ndaj këtij të fundit prevalon pafajësia dhe mund të ndiqet në gjendje të lirë. Gjatë deklarimit në polici, Fataj kishte theksuar se ka qenë duke lundruar në momentin kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk ka ndjerë asnjë goditje. Në të kundërt, kishte pohuar ai do t’i kishte dhënë ndihmën e parë 15-vjeçares Kseniya Ryok. Nëse edhe biznesmeni 31-vjeçar do të dali i pafajshëm, atëherë ky do të jetë rasti i dytë që kjo ngjarje regjistrohet për autor. Një vit më parë, për një histori të ngjashme u akuzua edhe Fatmir Kuçi, për aksidentin me vdekje të një tjetër turisti rus, ngjarje kjo e ndodhur në zonën e livadhit në Himarë. Fatmir Kuçi mori pafajësinë në apel dhe çështja u pushua.
Ngjarja e rëndë ku hum,bi jetën turistja ruse ndodhi më 21 korrik të këtij viti. Një prej dëshmitarëve deklaroi se 15-vjeçarja ruse u godit nga një motor uji që ishte brenda zonës së ndaluar për këto mjete. Sipas të pranishmit, pasi ka çarë vajzën dhe ka parë që në ujë kanë nisur shenjat e gjakut, drejtuesi i motorit të ujit është larguar me shpejtësi, ndërsa një person me një varkë të thjeshtë ka nxjerrë në breg trupin e viktimës. Dëshmitari rrëfen se 15-vjeçarja kishte 20 minuta që nga momenti që e pa ruajtësi i varkave dhe policia është vonuar gati gjysëm ore për të ardhur në vendin e ngjarjes.
“Në tragjedinë që ndodhi në tre ishujt e Ksamilit, vajza është goditur me jetsky brenda kufirit të ishullit dhe personi me motorin e ujit është larguar sapo ka parë njollat e gjakut. Policia po e fsheh faktin që ka qenë një jetsky në ujë. Një person që rri tek varkat që marrim çdo ditë e nxori viktimën nga uji. Ajo ishte e goditur dhe kishte mbi 20 minuta nga momenti që e kishte parë ky. Ai mori në moment policinë dhe ata vonuan gati gjysmë ore, ndërkohë që jetsky u fut brenda kufirit që nuk lejohet dhe që është vetëm për pushuesit që notojnë. Ai që e ka vrarë është zhdukur dhe policia asgjë s’po bën për ta kapur. Theksoj, që nga deti vajzën e ka nxjerrë ky që transportonte njerëz për në ishull me një barkë të vogël. Ajo kishte çarje në trup dhe goditje në kokë”, u shpreh atëherë pushuesi, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.
Ai shton më tej se situata në Ksamil është me të vërtetë e frikshme, duke qenë se as 200 metra larg bregut të detit lundrojnë me shpejtësi motorë uji, të cilët rrezikojnë seriozisht jetën e të gjithëve dhe askush nuk bën as një gjë për të ndalur këtë rrëmujë të madhe.

Artikulli paraprakKush qëndron pas trafikut të 2.3 tonëve të drogës në Itali?
Artikulli tjetërDrogë në vilat qeveritare tek Uji i Ftohtë në Vlorë