Vrasja e gruas, një krim i përbashkët

Pranvera SHEHAJ

“Civilizimi i një kulture duket në mënyrën se si figura e femrës trajtohet brenda saj!”
Kështu citonte Bacha Khan, lideri spiritual dhe politik i Indisë, bashkëvizionar i Ghand-it.
Jetojmë në kohën kur fletët e historisë botërore mbajnë firmat e shumë grave që me lidershipin e tyre vendosin ekuilibrat e botës dhe e veshin shoqërinë post moderne me finesën mjeshtërore të inteligjencës dhe urtësisë femërore. Paralelisht me këtë vizion ka edhe nga ato shoqëri ku burgu i mentalitetit dhe primitivizmi maskilist ka zhveshur çdo lloj civilizimi duke u përshkallëzuar deri në luftë me protagonist krimin.
Në muajin shtator, një prej burimeve më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “TIME” publikoi një fushatë mediatike, protagonistët e së cilës ishin mbi 40 gra dhe vajza amerikane dhe jo vetëm, që profesionet e tyre i kishin kthyer në histori suksesi. Duke nisur nga Hillary Rodham Clinton, Oprah Winfrey, Madaleine Albright, Sylvia Earle etj., secila prej tyre kishte një mesazh të fuqishëm kundrejt një shoqërie në të cilën më shumë se kudo historitë e suksesit të femrave nuk mungojnë. E megjithatë, shoqëria amerikane edhe pse në nivelet më të larta të emancipimit shoqëror, paska nevojë për ridimensionimin e profilit të femrës. Mesazhi i fuqishëm i kësaj fushate ishte transmetimi i modeleve si dëshmi e bindjes se shkallët e suksesit nuk njohin filtër tjetër veçse vendosmërisë, aftësisë, inteligjencës dhe besimit të palëkundur tek vetja.
Ajo që në shoqërinë amerikane qenka një fushatë sensibilizimi mediatike, në shoqërinë shqiptare do të ishte luksi i një realiteti që po jeton nën dhembjen e një plage të trashëguar. Duket marrëzi të paralelizosh shoqërinë amerikane, etalonin e progresit shoqëror në gjithë dimensionet, me shoqërinë shqiptare, një turmë e etur për zhvillim, por njëkohësisht armike e përshkallëzimit të zhvillimit. Opinioni perëndimor lufton për barazi në karrierë, në mundësi, në formim. Opinioni shqiptar ka tjetër standard, jemi ende tek lufta për barazi ndaj të drejtës së jetës.
Guxoj t’i paralelizoj sepse një lajm të tillë në “TIME” e lexova në ditët kur edicionet informative në Shqipëri bënë lajm vrasjen e një gjyqtareje, profesioni i së cilës doli të ishte thjesht burim fitimi përsa kohë fuqia e tij u zerua në misionin për ta pasur ligjin minimalisht mbrojtës të vetes. Ajo ishte pasqyrimi më flagrant i një aktualiteti të sëmurë që historikisht ka treguar se si femra në shoqërinë shqiptare qenka pronësi, përkatësia e së cilës të jep të drejtën e plotë të zotërimit. Ajo gjyqtare nuk ishte mjaftueshëm e aftë, e fortë apo e zonja për të përdorur fuqinë e profesionit si mbrojtje ndaj vetes. E dini pse? Sepse në këtë luftë, (që personalisht do ta cilësoja si luftën më meskine, më të ulët, më të paemër në të cilën ka marrë ndonjëherë pjesë e ashtuquajtura burrëri e mashkullit shqiptar), ajo gjykatëse ishte njësoj si femra e pashkolluar e një fshati të largët të Shqipërisë, dija e së cilës kufizohet vetëm në misionin hyjnor të mëmësisë. Në të tillë luftë, të ndjerës gjykatëse, njësoj si nënës së paarsimuar të një fshati të humbur, nuk i hyjnë në punë as lidhjet me elitën e kryeqytetit, as miqësitë në strukturat e drejtësisë, as prestigji dhe forca që mund t’i jepte profesioni. Në këtë luftë janë të dyja njësoj, sepse kjo luftë është më primitive se primitivizmi ynë social, është e trashëguar aty ku nuk mund të luftohet (brenda familjes), është beteja që dembelizon strukturat e ligjit në vendin tonë.
Vajza që fluturohen nga dritarja e pallatit në gjaknxehtësi e sipër, femra që vriten në mes të ditës në gjaknxehtësi e sipër, nëna që rrihet barbarisht nga i biri, edhe kjo në gjaknxehtësi e sipër, grua që shkelmohet në trotuar dhe midis shkelmave shtazërore instinktivisht mban pas vetes fëmijët.
Sa sensibël figura mashkullore në Shqipëri, sa e papërmbajtshme, sa e justifikuar…!
Sa i fortë trimi shqiptar, sa i zoti, sa imun … !
Dhunë pas dhune, krim pas krimi, mëkati i përbashkët i një shoqërie që s’po gjen forcën dhe motivin për të mbrojtur jo femrën, jo gruan, jo motrën, por të paktën në emër të frikës ndaj të përtejmes, të gjejë forcën për të mbrojtur figurën e nënës.
Shkaqet e denigrimit të gruas janë pafund dhe lista e tyre kryesohet nga mentaliteti i trashëguar prej së shkuarës. Ka shkaqe të përgjithshme duke nisur nga e shkuara për shumë kohë e marrë peng nga analfabetizmi, popullsia në mazhorancë rurale, keqinterpretimi i ligjeve fetare dhe së fundmi izolimi socio-politik. Por, më kritike janë shkaqet konkrete dhe aktuale si autoriteti absolut i figurës së mashkullit, mungesa e lirisë në vendimet mbi veten apo injorimi i potencialit të femrave në gjithë drejtimet. E megjithatë këto shkaqe justifikojnë vetëm në parim mënyrën se si perceptohet dhe trajtohet figura e femrës në Shqipëri (për aq sa përdhosja e një mashkulli që tregon dhe respektin minimal ndaj femrës mund të justifikohet).
Gjithçka përmenda më sipër nuk është më çështje parimi apo trashëgimnie e mentalitetit kulturor. Gjithçka përmenda më sipër është lista e krimeve më të bujshme të kohëve të fundit dhe si të tilla duhen trajtuar.
Kjo është një nga betejat më jetike të shoqërisë dhe institucioneve e si rrjedhojë mund të luftohet vetëm në dy rrugë: reagimi dhe sensibilizimi i fortë shoqëror ose përforcimi dhe ndryshimi radikal i Kodit Penal mbi dhunën në familje.
E para më duket e pamundur, për një arsye fare të thjeshtë. Ne e kemi të vështirë të reagojmë aty ku padrejtësia, fataliteti dhe krimi nuk na ka prekur. Por mbi të gjitha dua ta besoj si të pamundur sepse kjo shoqëri duhet të ndalojë së menduari se vrasja e gruas qenka çështje e primitivizmit kulturor dhe social, qenka çështje mentaliteti apo mbrujtjeje opinioni. Vrasja e gruas është krim ndaj jetës dhe si të tillë duhet ta trajtojnë edhe instancat ligjore.
Por, a mjafton garancia për mbrojtje për të lejuar çdo grua dhe vajzë të denoncojë edhe kërcënimin më minimal të dhunës? Me urdhra mbrojtjeje që zvarriten, me viktima që lejohen të bashkëjetojnë me vrasësin, me ligj të zbutur mbi të drejtën e prindërimit e së fundmi me vendime gjykate që anashkalojnë një tentativë për vrasje me pasojë krimin pas dy vitesh, vështirë se prezenca e ligjit do të mund të shpëtojë të tjera viktima.
Ka një nevojë urgjente për radikalizim në gjykimin e rasteve të dhunës në familje, për krimin ndaj gruas, për këtë realitet mizerabël që ka depërtuar në familjen shqiptare. Ka nevojë urgjente për ndryshim të neneve në Kodin e Familjes. Dhuna në familje nuk duhet të mbetet rend i ditës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por duhet të jetë kryefjala e çdo seance parlamentare, e çdo fjalimi në foltoren e Parlamentit, e çdo burimi mediatik që arrin të shkundë opinion publik, e çdo organizate OJF dhe jo vetëm. Një betejë e tillë do të ishte jo vetëm triumf i atij parlamentari, qeveritari, gjykatësi apo prokurori që arrin t’i japë drejtim kauzës me çdo mjet ligjor, por do të ishte triumf absolut i shoqërisë shqiptare.

Artikulli paraprakFotot e Enver Hoxhës në ceremoninë e Pezës, provokim brutal i Ramës
Artikulli tjetërDy fjalë për pushtimin e Veriut nga hordhitë serbo-shqiptare