Vrasja e dyfishtë në Durrës, kamerat e sigurisë ishin fikur

Policia ende nuk ka arritur të zbulojë autorët e vrasjes së ish-shefit të Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, Ervin Dalipaj dhe të riut nga Vlora, Juxhin Dautaj. Ndërkohë, burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, kamerat e sigurisë së bizneseve nuk punonin në momentin që ka ndodhur atentati. Hetuesit kanë sekuestruar materialet filmike të 7 bizneseve të zonës, por bëhet e ditur se ato pak kamera që ndodheshin të fiksuara nga rruga nuk punonin, sipas pronarëve të këtyre bizneseve. Sipas burimeve, disa prej kamerave ishin fiksuar në drejtim të bizneseve të tyre dhe jo në drejtim të rrugës.
Bëhet e ditur se, në ekzekutimin e ish-komisariat të policisë dhe të riut nga Vlora, kanë marrë pjesë dy makina. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, një BMW X5 i ka ndjekur dy viktimat sapo kanë dalë nga një servis, rreth 100 metër larg vendit të ngjarjes. Ndërsa një makinë tjetër dyshohet se i ka prerë rrugën “Audi”-t S 8, një prej makinave më të shpejta të viteve të fundit. Një person nga BMW-ja që i është afruar në parakalim në drejtimin e lëvizjes Tiranë-Shijak, dhe ka qëlluar një karikator kallashnikovi.
Atentatorët dyshohet se kanë qenë të vendosur në një fuoristradë të zezë, e cila i priste pranë vendit të vrasjes, ndërsa nga pas dy viktimat janë ndjekur nga një makinë tjetër, nga e cila mendohet se janë njoftuar ekzekutorët që ishin në pritje. Pas daljes se “Audi”-t nga rruga, BMW-ja me ngjyrë të zezë, sipas disa dëshmitareve, ka vazhduar rrugën me shpejtësi në drejtim të Shijakut, ndërsa makina tjetër në drejtim të Tiranës, në rrugën dytësore. Pak momente përpara atentatit Dalipaj dhe Dauti, sapo kishin dalë nga një servis makinash rreth 100 metra nga vendi i ngjarjes.

Dy vajza me “Smart” dyshohet se ngritën kurth

Grupi hetimor ka marrë dëshminë e pronarit të një pike servisi në rrugën ku ndodhi ngjarja. Para vrasjes, Dalipaj dhe Dautaj ishin me dy vajza në pikën e servisit. Hetuesit kanë mundur të identifikojnë gjithashtu vajzat në fjalë dhe kanë sekuestruar telefonat e tyre për të zbardhur tabulatet telefonike. Vajzat janë nga Tirana, 23 dhe 24 vjeç. Ato thanë gjatë marrjes në pyetje se kishin miqësi me Juxhin Dautajn dhe do t’i ndihmonte për të rregulluar makinën e tyre “Smart”. Më pas kishin shkuar në pikën e servisit.
Vajzat kanë rrëfyer se, ndërsa kanë futur automjetin për kontroll fizik, kanë qëndruar për disa minuta me dy viktimat. Punonjësi i servisit u kishte kërkuar dy viktimave të merrnin vajzat në makinë dhe të bënin një xhiro, pasi kontrolli teknik i “Smartit” të tyre zgjaste në kohë.
Por dy viktimat mësohet se kanë deklaruar se kishin punë e duhej të largoheshin, ç’ka ka shmangur që përmasat e atentatit të ishin edhe më të mëdha. Të rejat deklaruan gjithashtu se nuk kishin vënë re asnjë shqetësim tek dy viktimat. Disa metra më tutje teksa udhëtonin me makinë, viktimat u ekzekutuan në lëvizje nga një makinë e zezë BMW X5. Hetuesit kanë dyshime se dy vajzat i kanë çuar në pritë dy viktimat Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj, megjithatë kjo do të zbardhet nga hetimet në vazhdim. Hetuesit kanë sekuestruar telefonat celularë të vajzave, pasi ka dyshime se ato mund t’i kenë sjellë në pritë dy viktimat. Hetimet përfshijnë çdo thirrje telefonike të kryer prej tyre, para e pas vrasjes, por kështu edhe qelizat e thirrjeve të mëparshme.

Dy pista hetimore

Prokuroria bëri të ditur se po heton në dy pista. Dyshohet se shënjestër e atentatit të ketë qenë Juxhin Dautaj. Kjo për faktin se shumica e plumbave janë në krahun e shoferit që ishte pikërisht Dautaj. Ai ishte dënuar për vrasjen e Fation Banit në Vlorë me 24 vjet burg, por ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit. Dyshohet gjithashtu të jetë përfshirë edhe në një vrasje në Shijak një vit më parë.
Pista tjetër është ajo e ekzekutimit të Ervin Dalipajt për llogari të vrasjes së Gazmend Çollakut, 15 muaj më parë. Ai ishte shpallur në kërkim, ndërsa miku i tij Denis Shtraza është arrestuar dhe po gjykohet. Për shkak të dyshimeve për lidhje mes dy ngjarjeve, hetimi edhe për vrasjen e dyfishtë është marrë përsipër nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Për llogari të këtij hetimi mësohet se janë shoqëruar mbi 25 persona të ndryshëm, mes tyre edhe pronarë e punonjës të bizneseve që ndodhen në rrugën Durrës-Tiranë, në afërsi të vendit të ngjarjes, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar. Gjithashtu, burimet thonë se janë pyetur edhe të afërmit e të dy viktimave, të cilët nuk kanë dhënë ndonjë orientim konkret për shkakun e vrasjes.
Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj u gjeten të pajetë me dhjetëra plumba në trup në makinën tip “Audi” S8. Dautaj ishte në timon dhe u gjet i mbështetur në sedilje, me kokën e anuar në të djathtë. Ndërsa ish-shefi i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, i përmbysur në drejtim të shoferit. Pamjet tregojnë se ata kanë marrë goditje të shumta. Shenja të plumbave ka në dyer e në kroskotin e makinës, që pas breshërive doli nga rruga dytësore pranë Sukthit dhe përfundoi në autostradë. Policia gjeti në makinën e viktimave një pistoletë dhe rreth 7 mijë euro, 5 mijë në portofolin e ish-oficerit të policisë dhe 2 mijë në atë të Dautajt.
.

Artikulli paraprakSadri Abazi, tjetër ndërtim të paligjshëm në mes të Tiranës
Artikulli tjetërProkuroria, arrestime në polici për trafikun e drogës në Greqi