Votimi elektronik, kusht për zgjedhjet

23 parti të opozitës kanë firmosur dje memorandumin për mbrojtjen e votës në zgjedhjet parlamentare, kushti i parë i të cilit është identifikimi biometrik i zgjedhësve dhe votimi elektronik, ndërsa kushti i dytë është dekriminalizimi dhe largimi i bandave nga procesi zgjedhor.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha organizoi dje një tryezë të gjerë me 23 parti që janë në opozitë. “Duke vlerësuar se fenomeni i shitblerjes së votës dhe korrupsionit zgjedhor, përfshirë korruptimin e komisionerëve zgjedhorë, me para kriminale rrezikojnë seriozisht procesin dhe standardet e tij” dhe duke akuzuar shumicën se “ka zvarritur çështjen e reformës zgjedhore”, partitë opozitare nënshkruan një memorandum ku përcaktohen 5 kushte, realizimi i së cilave do të garantonte që zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare.
Kushti i parë për opozitën mbetet “realizimi i identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimi elektronik dhe numërimi elektronik i votave nëpërmjet një sistemi të aplikuar në shkallë vendi që integron në një proces të tre komponentët e mësipërm”.
Kushti i dytë lidhet me “zbatimin me intensitet dhe shpejtësi të procesit të dekriminalizimit lidhur me kandidaturat” që do të paraqiten në zgjedhjet e ardhshme, por dhe “dekriminalizimin e strukturave të fushatës zgjedhore të partive, largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga procesi zgjedhor, nga fushata dhe veçanërisht nga prania e tyre ditën e zgjedhjeve”, thekson dokumenti i opozitës.
Në të kërkohet gjithashtu “të ulet kostoja e fushatës zgjedhore nëpërmjet reduktimit drastik të shpenzimeve për fushatë, të bëhet transparencë efikase e shpenzimeve dhe burimeve të financimit, të forcohen ndalimet për financimin e partive dhe të forcohen penalitetet në Kodin Penal, përfshirë cilësimin e shitblerjes së votës si krim i rëndë”.
Një tjetër kusht ka të bëjë me ndalimin e “përdorimit të burimeve njerëzore të administratës publike në fushatë apo strukturat zgjedhore partiake, si dhe të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve materiale të administratës publike”. Ndërsa kushti i fundit është “garantimi i aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik, si dhe reduktimi dhe normimi i hapësirës publicitare në fushatë zgjedhore, me qëllim sigurimin e një fushate të drejtë”.
Në tekstin e memorandumit, partitë e opozitës theksojnë se, “përmbushja e kushteve të mësipërme është një minimum i domosdoshëm dhe i pakapërcyeshëm për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, të besueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Mospërmbushja e tyre është tregues i qartë që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë zgjedhjet që kërkojnë shqiptarët dhe që hapin rrugën e integrimit europian”, nënvizon dokumenti.
Mbi tekstin e memorandumit kryetari Basha diskutoi dhe me grupin e tij parlamentar, ku pati dhe ide për bojkotimin e Parlamentit, të cilat megjithatë nuk u mbështetën, duke vendosur që opozita të intensifikojë luftën e saj në Parlament për këtë çështje.
Javën e shkuar shumica dhe opozita u përplasën në Komisionin e Reformës Zgjedhore lidhur me votimin dhe numërimin elektronik. Opozita këmbënguli që ekspertët e komisionit të sjellin propozimet lidhur me modelet që mund të zbatohen. Por përfaqësuesit e Partisë Socialiste kërkuan që më parë të merrej një vlerësim nga OSBE/ODIHR-i, nëse diçka e tillë ishte e mundshme, duke kujtuar këtu dështimin në vitin 2013 të një projekti pilot mbi votimin dhe numërimin elektronik.

Propozimet për votimin elektronik që në maj 2016

Çështja e reformës zgjedhore u bë objekt diskutimesh edhe në seancën e hapjes së sesionit të ri të Parlamentit, dje në mbrëmje. Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka lexoi memorandumin me kërkesat e partive opozitare. Homologu i tij i shumicës Gramoz Ruçi u përgjigj duke deklaruar se opozita po nxjerr alibi politike duke këmbëngulur vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve për votimin elektronik. Megjithatë ai u shpreh se, “ne jemi sërish të hapur. Kryesia e Parlamentit dhe bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës, të thërrasin përfaqësuesit e OSBE/ODIHR-it e t’u kërkojmë mendimin. Nëse japin garanci, ne si shumicë jemi plotësisht dakord. Ndryshe kjo është e gjitha një alibi politike”, u shpreh zoti Ruçi.
Por sipas përfaqësuesit demokrat në Komisionin e Reformës, Oerd Bylykbashi opozita i ka paraqitur propozimet e saj që majin e vitit të shkuar, “ndërsa shumica tërhoqi këmbën zvarrë. Ju thjesht nuk doni zgjedhje. Nuk ka zgjidhje tjetër”, u shpreh ai. E menjëhershme përgjigjja e përfaqësuesit socialist në Komision, Taulant Balla duke kujtuar deklaratat e zotit Bylykbashi në vitin 2012 kur diskutohej për përdorimin e teknologjisë në votimet e 2013. “Në atë kohë zoti Bylykbashi thoshte se votimi nuk mund të implementohet pa dy vjet përgatitje dhe pa një projekt pilot”, theksoi deputeti Balla.
Një raport i një eksperti të lartë për zgjedhjet, Jessie Pilgrim, i marrë nga OSBE-ja për të asistuar Komisionin e Reformës Zgjedhore, dorëzuar dy bashkëkryetarëve në fund të vitit të shkuar thekson se, është shumë vonë që komisioni të trajtojë të gjitha rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë duke nënvizuar se në kohën e mbetur mund të trajtoheshin megjithatë çështjet që lidhen me transparencën e financimeve në fushatë, forcimin e kushteve për barazinë gjinore në listat e kandidatëve, ashpërsimin e sanksioneve për rastet e shkeljes së ligjit dhe përmirësimin e dispozitave që lidhen me mbulimin mediatik të fushatës. Vetë OSBE-ja prej kohësh u ka bërë thirrje të përsëritura forcave politike që të angazhohen për reformën, por vetëm javët e fundit palët duket se kanë nisur të lëvizin, ndërkohë që diferencat mes tyre mbeten të thella.

Memorandum për mbrojtjen e votës

Partitë e opozitës kanë hartuar dhe nënshkruar dje një memorandum që ka të bëjë me kërkesat për të arritur zgjedhje të lira dhe demokratike. Këtë memorandum e kanë firmosur edhe Dule e Spahiu.
Opozita konsolidoi dje qëndrimin e saj për zgjedhjet. Me anë të një memorandumi të nënshkruar nga partitë e koalicionit opozitar u theksua se, votimi dhe numërimi elektronik është një kusht thelbësor për garantimin e votës së lirë e të ndershme.
Memorandumi pritet të nënshkruhet edhe nga parti të tjera jashtë koalicionit opozitar.
Memorandumi për garantimin e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri
Ne partitë politike nënshkruese të këtij dokumenti,
duke konsideruar se zhvillimi i zgjedhjeve të radhës për Kuvendin e Shqipërisë në përputhje me standardet e OSBE-së dhe të Këshillit të Europës janë domosdoshmëri dhe kusht i patjetërsueshëm politik për garantimin e demokracisë dhe integrimin europian të Shqipërisë;
duke shprehur shqetësimin e thellë për përkeqësimin e standardeve të zgjedhjeve, të konstatuara nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për vitin 2015, ku nënvizohet ndër të tjera shkelja e standardeve themelore të OSBE si, liria e votës, barazia në kandidim dhe ndarja e shtetit nga partia, me pasoja jo vetëm mbi standardin e procesit zgjedhor, por dhe në besueshmërinë dhe legjitimitetin e organeve të zgjedhura;
duke konsideruar si rrezikun më të madh dhe kryesor për procesin dhe standardet e zgjedhjeve të vitit 2017 fenomenin e shitblerjes së votës dhe korrupsionin zgjedhor, përfshirë korruptimin e komisionerëve zgjedhorë, me para kriminale që burojnë nga niveli i paprecedent i narkotrafikut dhe korrupsioni galopant me tendera dhe koncesione publike, si dhe bërja palë e Policisë së Shtetit në këto fenomene dhe mosndëshkimi penal i tyre;
duke konstatuar se në mënyrë të paprecedentë procesi i reformës zgjedhore është zvarritur për të bërë të pamundur sigurimin e standardeve ndërkombëtare, kur mbeten vetëm 5 muaj nga data e dekretuar e zgjedhjeve; duke konsideruar se një reformim pjesor i Kodit Zgjedhor që nuk garanton përmirësim të plotë të standardeve zgjedhore është një farsë dhe joefektiv;

Parashtrojmë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme si më poshtë:
Realizimin e (1) identifikimit biometrik të zgjedhësve, (2) votimin elektronik dhe (3) numërimin elektronik të votave nëpërmjet një sistemi të aplikuar në shkallë vendi që integron në një proces të tre komponentët e mësipërm.
Dekriminalizimin e procesit zgjedhor nëpërmjet zbatimit me intensitet, shpejtësi dhe forcë të Ligjit 138/2015 për dekriminalizimin, si dhe dekriminalizimin e kandidaturave për zgjedhjet e radhës, dekriminalizimin e strukturave të fushatës zgjedhore të partive, largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga procesi zgjedhor, nga fushata dhe veçanërisht nga prania e tyre ditën e zgjedhjeve;
Duhet të ulet kostoja e fushatës zgjedhore nëpërmjet reduktimit drastik të shpenzimeve për fushatë, të bëhet transparencë efikase e shpenzimeve dhe burimeve të financimit, të forcohen ndalimet për financimin e partive dhe të forcohen penalitetet në Kodin Penal, përfshirë cilësimin e shitblerjes së votës si krim i rëndë;
Të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve njerëzore të admnistratës publike në fushatë apo strukturat zgjedhore partiake, si dhe të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve materiale të administratës publike;
Garantimi i aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik, si dhe reduktimi dhe normimi i hapësirës publicitare në fushatë zgjedhore, me qëllim sigurimin e një fushate të drejtë;
Mazhoranca aktuale dhe qeveria e saj kanë provuar në zgjedhjet e Korçës në vitin 2013, zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe zgjedhjet e Dibrës të vitit 2016, se synimi kryesor për to është fitorja me çdo kusht dhe duke shkelur standardet nëpërmjet shitblerjes së votës dhe përdorimit të segmenteve kriminale. Rritja dramatike e fenomenit të narkotrafikut i lidhur edhe me segmente shtetërore dhe korrupsioni qeveritar, janë rrezik i madh për procesin zgjedhor. Këto faktorë dëshmojnë mungesën e vullnetit të mazhorancës për të zhvilluar zgjedhje sipas standardeve demokratike.
Ne partitë politike nënshkruese të këtij memorandumi, konsiderojmë se përmbushja e kushteve të mësipërme është një minimum i domosdoshëm dhe i pakapërcyeshëm për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, të besueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Mospërmbushja e tyre është tregues i qartë që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë zgjedhjet që kërkojnë shqiptarët dhe që hapin rrugën e integrimit europian. Në këtë kuadër, ne partitë politike nënshkruese të këtij memorandumi i kërkojmë shumicës qeverisëse si përgjegjësja kryesore për sigurimin e standardeve të zgjedhjeve, që të angazhohet për sigurimin e tyre nëpërmjet mbështetjes publike të kushteve të mësipërme dhe kontributit për realizimin e tyre.

Partitë  nënshkruese:

Partia Demokratike
Partia Republikane
Partia Demokristiane
Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Partia Agrare Ambjentaliste
Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut
Partia Lëvizja e Legalitetit
Partia Balli Kombëtar
Aleanca Kuqezi
Aleanca Ekologjike Europiane
Partia e të Drejtave të Mohuara e Re
Partia Kombëtare Konservatore
Partia Popullore Kristiandemokrate
Partia Lidhja Demokristiane
Partia Ora e Shqipërisë
Partia Bashkimi Demokratik
Partia Bashkimi Liberal Demokratik
Partia Konservatore
Partia Mendimi i Djathtë Liberal
Partia B.P. Pensionistëve Shqiptarë
Partia Demkoracia e Re Europiane
Partia për Liri Demokraci Etike
Partia Balli Kombëtar Demokrat

Artikulli paraprakKërcënimi i Vuçiç
Artikulli tjetërNATO e sigurtë në angazhimin e Trump si President i SHBA