VOA: Shqipëri, shoqëria civile shpreh shqetësimin për nivelin e lartë të korrupsionit

Shqetësimi mbi përmasat e korrupsionit në Shqipëri ka shtyrë Komitetin Shqiptar të Helsinkit të zhvillojë sot në Shkodër një takim mbi rolin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit.

Përfaqësues të shoqërisë civile u shprehën në takim se përmasat e korrupsionit janë shumë më të mëdha se sa deklarojnë institucionet shtetërore.

Përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit vazhdojnë të shprehin shqetësim mbi nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri. Në takimin “Roli Institucioneve në luftën kundër korrupsionit”, zhvilluar në Shkodër me përfaqësues të stukturave shtetërore, përgjegjëse për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, përfaqësuesja e këtij Komiteti, Ardita Kolmarku, theksoi nevojën që qytetarët të mos heshtin përballë rasteve të korrupsionit.

“Në fakt, ne jemi të shqetësuar për raportet e fundit të ndërkombëtarëve, të cilët kanë treguar se ka një nivel ende shqetësues të korrupsionit në vendin tonë. Por, gjithashtu edhe për të sensibilizuar dhe informuar qytetarët që tashmë legjislacioni vendas është përafruar me standartet më të mira ndërkombëtare dhe ka një sërë mekanizmash ligjorë, që mund të përdoren nga qytetarët për të adresuar dhe për të mos heshtur përballë rasteve të korrupsionit”.

Sipas zonjës Kolmarku, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka vërejtur se qytetarët nuk kanë shumë njohuri mbi legjislacionin e ri, institucionet e reja që janë krijuar nga Reforma në Drejtësi dhe që janë përgjegjëse për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit edhe në nivel të zyrtarëve të lartë.

Mes institucioneve të reja është edhe Drejtoria e Përgjithshme e Njësisë Antikorrupsion, pranë Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, drejtori kjo që po rikonstruktohet së fundmi. Drejtuesi i saj, Florian Demollari, thotë se shumica e ankesave të qytetarëve për korrupsion janë për veprimtarinë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, sektori i pronës, spitalet rajonale, por edhe për tenderat që kryhen nga institucionet.

“Nga 2021 deri tani rrjeti i koordinatorëve kundër korrupsionit ka përfunduar mbi 60 raporte përfundimtare ku ka gjetur shkelje që janë kryer nga punonjësit e administratës publike pranë institucioneve, ku kemi pasur ankesë. Janë propozuar mbi 500 masa administrative, nga më të thjeshtat deri në largim nga detyra, si dhe janë paraqitur mbi 50 kallzime penale në prokurori”.

Shqipëria ka miratuar në vitin 2016 ligjin per sinjalizuesit e rasteve të korrupsionit, ligj i cili, sipas përfaqësueses së Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Majlinda Thoma, ka ndeshur edhe në mentalitete që vijnë nga e kaluara.

Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile, të ftuar në takim, u shprehën se perceptimi qytetar mbi përmasat e korrupsionit është shumë më i lartë se ai i institucioneve shtetërore, ç’ka ndikon edhe në nivelin e masave për parandalimin dhe luftën kundër këtij fenomeni.

“Është një nga gangrenat më të mëdhaja të shoqërisë shqiptare dhe shkaku numër një i kësaj pandemie të tmerrshme që kemi, që është emigracioni, nga e cila shoqëria shqiptare po vuan. Korrupsioni sot në Shqipëri është kthyer në një kulturë të jetuari. Dhe kjo, ndoshta e bën më të rëndë nivelin dhe luftën kundër korrupsionit”.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit Shqipëria u vlerësua në vitin 2023 në vendin e 98-të mes 180 vendeve. Në raportin e Organizatës Transparency International thuhet se Shqipëria po shënon përmirësim në drejtim të hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit në nivel të lartë, duke iu referuar punës së SPAK-ut.

Artikulli paraprak“Koherenca ime deri më sot ka qenë absolute, duke besuar fort në atë çka përfaqësoj”/ Bano: Një PD e bashkuar dhe me në krah aleatët strategjik
Artikulli tjetërKonsumoni rregullisht qepë të kuqe, ja çfarë sëmundjesh parandalon