Viti i Ri nis me atentate, tritol, grabitje dhe drogë

Edhe ky vit i ri ka nisur me një sërë krimesh, si atentate, grabitje, shpërthim tritoli, trafik droge drejt Italisë e Greqisë dhe aksidente me pasojë vdekjen e të paktën dy personave. Në qytetin e Burrelit një person u plagos rëndë në një atentat, ndërsa autorët ende nuk janë zbuluar nga policia. Në Kamëz u hodh në erë me tritol një dyqan, ndërsa policia nuk ka mundur të zbulojë autorët. Ndërsa natën e ndërrimit të viteve u grabit një kazino tek “Zogu i Zi” në Tiranë. Ndërsa 1 ton drogë nga Shqipëria është sekuestruar në Itali dhe Greqi.
Po ashtu, ky vit ka nisur me aksidente të rënda si pasojë, vdekjen e dy personave dhe plagosjen e disa të tjerëve. Gjithashtu janë regjistruar edhe vepra të tjera kriminale, të cilat nuk janë publikuar nga policia siç është rasti i përleshjes së dy punonjësve të Policisë së Komisariatit Nr.2 në Tiranë.

Plagoset me armë në atentat një person

Në ditën e parë të këtij viti u krye një atentat në qytetin e Burrelit. Një 56-vjeçar është qëlluar disa herë me armë në një pritë, por fatmirësisht ai i ka shpëtuar vdekjes, duke marrë vetëm plagë në trup. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 1 janarit në lagjen “Pjetër Budi” të qytetit të Burrelit. Mësohet se 56-vjeçari me inicialet B.M është plagosur gjatë momentit që ka shkuar në garazh për të marrë automjetin, ku dhe është qëlluar me armë zjarri nga një person i paidentifikuar. 56-vjeçari është transportuar menjëherë në Spitalin e Burrelit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ka sekuestruar në vendngjarje dy gëzhoja të qitura nga një armë zjarri pistoletë e tipit “Zastava”.

Shpërthim tritoli në Kamëz

Një dyqan u hodh në erë me tritol në Kamëz mëngjesin e 1 janarit të vitit 2017, rreth orës 3:20 minuta. Sipas burimeve, shpërthimi ka ndodhur në dyqanet e familjes Daci, në rrugën “Demokracia” në Kamëz. Vala goditëse qe mjaft e fuqishme sa veç dëmeve dhe shkatërrimit të ambienteve të brendshme të objektit dëmtoi edhe fasadat e dyqaneve dhe objekteve të tjera për rreth. Ndërkaq, policia ende nuk ka ndonjë të dyshuar në lidhje me shpërthimin.
Hetuesit thanë se po verifikohen edhe me informacione të tjera që po merren në terren nga agjentët e policisë së kryeqytetit. Në lidhje me ngjarjen, policia shoqëroi disa persona si të dyshuar nga familja Kolaveri, me të cilët familja Daci, është në hasmëri. Asnjë prej të shoqëruarve dhe personave të pyetur, nuk pranoi të kishte lidhje me ngjarjen.

Grabitet kazinoja në Tiranë

Një person i maskuar dhe i armatosur grabiti një kazino natën e ndërrimit të viteve tek “Zogu i Zi” në Tiranë. I maskuar dhe i armatosur me pistoletë “TT”, autori ka marrë rreth 800 mijë lekë të vjetra. Më pas, ai iu drejtua një tjetër kazinoje pranë Prokurorisë së Tiranës, sërish me qëllimin për ta grabitur. Por këtë herë, 45-vjeçari është kapur në flagrancë nga efektivët e Komisariatit Nr. 3, të cilët ishin vënë në ndjekje të tij.

Dy të vdekur në aksident

Dy persona kanë humbur jetën pasditen e së hënës në një aksident, në aksin rrugor Shkodër-Koplik. Aksidenti ka ndodhur më 3 janar rreth orës 17:00, kur mjeti tip “Mercedes Benz”, me targa AA 372 KJ, me drejtues 61-vjeçarin Nimet Bilani ka aksidentuar Fran Lucën, 85 vjeç dhe Kolë Gjonin, 77 vjeç.
Dy të moshuarit ishin duke ecur në këmbë në këtë aks rrugor. Viktimat janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ku kanë ndërruar edhe jetë si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, Nimet Bilani, banues në Shkodër, është shoqëruar në polici.

Sekuestrohen 1 ton drogë në Itali e Greqi

Rreth 1 ton drogë nga Shqipëria është sekuestruar në Itali dhe Greqi. Mediat italiane bënë të ditur se një gomone me 760 kg kanabis e nisur nga bregdeti shqiptar është sekuestruar të hënën në Leçe. “La Repubblica” shkruan se mjeti lundrues është gjetur në brigjet e Leçes dhe afër tij u zbuluan 760 kilogramë marijuanë. Bima narkotike nëse do të përfundonte në treg përllogaritet që të kapë vlerën e 7 milionë eurove. Ndërsa drejtuesit e gomones janë arratisur, pasi kanë shpuar me thikë mjetin lundrues pas arritjes në breg.
Po ashtu 213 kg marijuanë u sekuestrua në Portin e Igumenicës në Greqi. Droga u gjet në një furgon-frigorifer të ngarkuar me mobilje dhe djathë të bardhë. Sipas policisë greke, lënda narkotike u evidentua nga kalimi në skaner. Ndërsa në pranga janë vënë dy drejtuesit e mjetit me shtetësi greke. Sipas njoftimeve të para, furgoni me drogë ishte futur nga Shqipëria dhe ishte nisur nga Greqia e Veriut dhe kishte si destinacion Italinë.

R.POLISI

Artikulli paraprakBilanci tragjik i vitit 2016, 93 të vrarë, Tahiri fsheh ngjarjet kriminale
Artikulli tjetërGazeta që vrau frikën