Vettingu, KLD i dorëzon komisionit vlerësimet profesionale të gjyqtarëve

Pas shortit të dosjeve, Komisioni i Vettingut ka marrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë vlerësimet profesionale të bërë në vite për gjyqtarët, të cilët do t’i nënshtrohen të parët vettingut. E njëjta gjë i është kërkuar edhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Pas hedhjes së shortit në disa gjykata dhe prokurori për të përcaktuar dosjet që do t’i nënshtrohen kontrollit për gjyqtarët dhe prokurorët që do të kalojnë fillimisht në vetting, Komisioni i Vettingut ka marrë në dorëzim nga KLD edhe dosjet e vlerësimit profesional të gjyqtarëve. Procesi ka nisur me anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese dhe më pas pritet të merren dhe raportet e vlerësimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Në sitë do të kalojnë fillimisht kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilët janë të parët që do t’i nënshtrohen vettingut dhe më pas në këtë proces do të kalojnë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që janë në sistem. Në bazë të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka detyrimin ligjor që të mbështesë Komisionin e Vettingut për përmbushjen e një prej tre komponentëve të rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, i cili është aspekti profesional. Vlerësimi i aftësive profesionale përbën hallkën e tretë të procesit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, pas kontrollit të pasurisë dhe integritetit të figurës.

Artikulli paraprak260 mijë vende pune do hapeshin, nëse Rama-Ahmetaj s’do paguanin 350 milionë euro inceneratorët
Artikulli tjetërVokshi: Koncesionet po rrënojnë sistemin shëndetësor