“Vetting” për policin e thjeshtë, por jo për “Bosët e Krimit” në Policinë e Shtetit!

Nga Belind Këlliçi

Formulari i Vettingut në policinë e shtetit po kthehet në një shqetësim real për efektivët e thjeshtë të rendit që çdo ditë përballen me krimin e rrugës që u rrezikon jetën, në një kohë që shumë prej shefave të tyre janë duke ngrënë ndonjë darkë në restorantet luksoze të bregdetit me personazhe VIP të botës së krimit.
Policëve u kërkohet të plotësojnë një formular të detajuar a thua se punojnë në strukturat e FBI-së amerikane, sakaq eprorët e tyre janë militantë të devotshëm me teserë partie që e kanë katandisur Policinë e Shtetit në ditët e saj më të zeza.
48 vjeçari Fatmir Fafa nga Fieri, është viktima e parë e kësaj marrëzie të radhës të qeverisë, teksa ai u vetëvra me armën e shërbimit në ambientet e Komisariatit Fier. Babai i të ndjerit u shpreh qartë për mediat, se djali i tij u vetëvra pikërisht për shkak të presionit nga procesi i vettingut.
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, përpara se të bëjë vettingun për policët e thjeshtë, duhet të japë shpjegime se përse paraardhësi i tij, i hetuari nga Antimafia Italiane për trafik droge Saimir Tahiri, me bekimin e të cilit u kanabizua i gjithë vendi, nuk është sot prapa hekurave, por bën gangsterin në Parlament dhe kërcënon me gjuhë rruge qeverinë për të mos e tradhëtuar.

Bashkpunëtorët e Saimir Tahirit, ish drejtues të lartë të policisë së “rilindur” të Edi Ramës, sot janë zhdukur nga sytë këmbët e jo nga frika e këtij shteti, por nga frika e trafikantëve që u prenë në besë. Të flasësh për Vetting në polici në një kohë që duhet bërë vetting në qeveri, është një paradoks i madh dhe show i panevojshëm. Saimir Tahiri dhe shpura e tij në Ministrinë e Brendshme, me lejen e Edi Ramës e vunë Policinë e Shtetit në shërbim të grupeve të drogës, që sot janë zotërit e vërtetë të vendit, pasi kjo qeveri nuk ka vullnetin e as moralin ti luftojë.
Më shumë se kurrë, sot dinjiteti i policit të thjeshtë shqiptar është nëpërkëmbur, e kjo për shkak të një strategjie të qartë të vënies së policisë në shërbim të trafikantëve, për të blerë vota, e për të siguruar mandate deputetësh për individë që sot do duhej të ishin prapa hekurave, e jo në tempullin e demokracisë, në parlament. Kur Policia e Shtetit nuk është e aftë të mbrojë veten e të parandalojë tragjedi brënda rradhëve të saj, merreni me mend se sa të mbrojtur janë qytetarët e këtij vendi…

Artikulli paraprakSHBA dhe Franca kërkojnë marrëveshje të re, Irani kundërpërgjigjet ashpër
Artikulli tjetër“Die Welt”: Tentakulat e krimit të organizuar në nivelet më të larta në qeveri, Tahiri, imazhi i qeverisë në BE