Veriu i kthehet atdheut si pjesë qeveritare

Frrok ÇUPI

Veriu i vendit, prej katër vjetësh i prozvalur nga qeveria e Rilindjes, duket se u bë pjesë e “atdheut politik”: Tre nga gjashtë ministra që u propozuan, janë me origjinë nga veriu; ose kanë shërbyer në Veri si për shembull mjeku Arben Beqiri që tani e tutje do të jetë ministër i Shëndetësisë.
Sot është kompozuar qeveria e re me përbërje nga radhët e demokratëve- sipas një marrëveshjeje politike të imponuar ndaj “Rilindjes” nga dy aleatë të mëdhenj të vendit: Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania.
Më në fund qeveria ka edhe veriorë.
Në qeverinë e deritanishme ndodhej vetëm një anëtare kabineti me origjinë nga Veriu i vendit. Zonja Kodheli, ministre e Mbrojtjes ishte më shumë prurje e nomenklaturës komuniste dhe e stafit të Bashkisë “Rama” se sa ardhje nga Veriu. Miklimi i Veriut sipas stilit të diktatorit Hoxha, por me “gotën bosh” u bë praktikë edhe për qeverinë e fundit të ashtuquajtur “socialiste”, por që në fakt është e “Rilindjes”. Zonja Kodheli u “picked up” nga një trevë krejt në Veri të hartës së vendit (Vermosh), por nuk kishte asnjë lidhje. As e deshi atë vend, as e promovoi, as u shfaq krenare. Ajo është bija e një komunisteje të egër që Byroja Politike e zgjodhi më të besuarën për ushqimin e Bllokut. Në epokën e demokracisë, zonja Kodheli bëri të pamundurën për të hedhur poshtë vlerat njerëzore të larta në ushtri ku ndodhet. Dritan Demiraj, “babai i Forcave Speciale” sipas SHBA, që sot u emërua ministër, e ka quajtur “një injorante”… Të tjerë nuk kishte nga Veriu qeveria e Rilindjes. Njësoj si qeveria hoxhaiste që zgjidhte injoranten Gjela Biba si “model” i grave të Mirditës.
Kryeministri i Republikës, Rama, ka krijuar një “maskë” të veçantë fytyre për rastet kur përmend veriorët dhe Veriun. Ai ose përqesh fjalën “qadër”, e cila thellë-thellë është më shqip se “çadër”; herë i quan “alpinë” që nga Ksamili; herë të tjera qytetet veriore i lë pa investime qeveritare; herë të tjera thotë se “kur vij në Kukës më neveritet atdheu”. “Maska” në fytyrën antiveriore e kryeministrit, lehtësisht kopjohet dhe është kopjuar nga të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar. Madje rreziku është se neveria që perceptohet në shijen e kryeministrit, menjëherë bëhet pjesë edhe e militantëve të tij. Jo më kot në fillim përdora fjalën “prozvalje”- një fjalë e përdorshme në të folmen korçare, që ka kuptimin e neveritjes; por e përdora sepse me këto fjalë mund të bëhet më i qartë qëndrimi i dikujt që do të përbuzë dikë nga njëra krahinë në tjetrën.
Zakoni i vjetër i diktaturës së Hoxhës për t’i treguar veriorët “të egër” dhe “primitivë”, kam përshtypjen se është rritur në qeverinë e Rilindjes. Rritur, në ç’kuptim?!… Në kuptimin se vetëm në tre vjet e gjysmë njerëzit afër qeverisë shprehin aq urrejtje për Veriun sa nuk e kanë shprehur kurrë. Sot në mediat sociale shkruajnë me urrejtje për “shpellarët”, për “malokët”, për “katolikët”, për “monstrat e veriut”. Shikojini… megjithëse me siguri i keni parë…. Më të shumtë janë ata që qeveria i paguan me fondet publike me detyrën e vetme që të shajnë “armiqtë e qeverisë”. Sot keni lexuar lajmin se Agjencia e Aviacionit ka bërë 38 emërime fiktive dhe këta “fantazma” i paguan pa punuar… këta mund të jenë dhe realisht janë, kontigjent i zgjedhur dhe i paguar vetëm për të sharë e shpifur në internet e media kundër armiqve të qeverisë.
Kaq e ndarë dhe e përçarë sa është sot klima dhe harmonia mes shqiptarëve- nuk ka qenë kurrë.
Pse është sot më e egër se në diktaturë urrejtja shtetërore ndaj Veriut? Sepse “vala” e neverisë është rritur kaq shumë në vetëm 3 vjet, ndërsa e para ishte e shtrirë në 45 vjet. Edhe një arsye: Të paktën në kohën e diktaturës udhëheqësi thoshte me fjalë “jemi vëllezër”, ndërsa tani thonë: “jeni qadra”.
Të paktën atëherë dy njerëz u mbajtën në kupolë: Haxhi Lleshi e Ramiz Alia; sot asnjëri nga kupola e shtetit nuk i përket origjinës veriore…
… Sot duket se u hodh hapi i parë i kthimit të Veriut në trojet e veta shtetërore: Nga 6 ministra të propozuar, tre janë nga njëra gjysmë e atdheut që quhet Veri.

Artikulli paraprakBerisha për Blushin: Sillet si dashnor i tradhëtuar
Artikulli tjetërFaqja e pare