Venecia qeverisë shqiptare! Hedh poshtë paketën e Ramës për kontrollin e medias online

Komisioni i Venecias i ka dhënë një shuplakë përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të kontrolluar përmbajtjen e mediave online nëpërmjet të ashtuquajturës paketa anti-shipfje.

Sipas një drafti të opinionit mbi ligjin “Për Median Audiovizive,” Komisioni Venecias ka hedhur poshtë projektligjin e miratuar nga parlamenti me 18 dhjetor, i votuar nga mazhoranca kundrejt protestave të gazetarëve dhe kundërshtive të forta nga Komisioni Europian, Këshilli i Evropës dhe të organizatave të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, kombëtarë dhe ndërkombëtare.

Sipas draft-opinionit Komisioni gjen probleme serioze me projektligjin e miratuar nga mazhoranca e udhëhequr nga Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama.

Venecia shprehet se komisionit të ankesave në AMA-s i jepen fuqi të mëdha administrative në lidhje me median online.

“Kjo është problematike në lidhje me lirinë e shprehjes së mediave online,” shkruan Komisioni. “Duke pasur parasysh se ekzistojnë dyshime për pavarësinë e këtyre organeve; këto fuqi të reja nuk duhet t’u besohen atyre pa u siguruar më parë se ato janë mjaftueshëm të pavarura nga partitë politike, bizneset e mëdha të mediave ose korporatat e tjera dhe interesat e lidhura me politikën,” shton Komisioni Venecias.

Në listën e gjatë të problemeve të identifikuara tek projektligji “Për Median Audivizive,” Komisioni liston paqartësinë e draftit, i cili i shtrin efektet edhe te publikimet jo profesionale në internet si blogjet ose rrjetet sociale, gjobat e rënda dhe jo proporcionale, si dhe mungesën e procedura të qarta të apelimit të masave administrative.

Në seancën e fundit parlamentare për vitin 2019, mazhoranca miratoi dy projektligje si pjesë e të ashtuquajturës paketa ‘anti-shpifje’, të cilat synon ti jepnin AMA-s kontroll të paprecedentë mbi përmbajtjen e medias online.

Projektligjet u kthyen në parlament për rishikim si jo kushtetuese nga Presidenti Ilir Meta, Me 30 janar mazhoranca e përmbysi veton e presidentit për ligjin “Për komunikimet elektronike’, ndërkohë që nuk e votoi ligjin “Për media audiovizive”, duke u shprehur se do të priste opinionin e Komisionit të Venecias.

Draft opinioni i Komisionit të Venecias bënë të qartë që ky projektligj nuk duhet të miratohet, për shkak se do të sillte një ‘chilling effect’ (efekt frikësues) mbi lirinë e shprehjes dhe medias në Shqipëri. /BIRN/

Artikulli paraprakBie niveli i papunësisë në SHBA, shtohen 2.5 milionë vende pune,
Artikulli tjetërAarrihet dakordësia për administrimin zgjedhor, Bylykbashi: Rama donte të kapte komisionet zgjedhore. Nuk i kapi dot. U tërhoq!