Vendimet e LSI që kalojnë nga zorra e deputetit!

Bledi KASMI

A do të kalojë vendimmarrja politike e LSI përmes arrestimeve të Ramës?
Një nga kandidatët për deputetë të LSI në Tiranë është arrestuar dje. Si drejtori i Aeroportit fantazmë të Kukësit ai kishte paguar në mënyrë fiktive 70 punonjës gjatë fushatës elektorale. Një shkelje hapur e ligjit me qëllim ndikimin në fushatë elektorale.
Pak kush u mor dje me emrin që qëndron pas këtij arrestimi. E vërteta është se Agron Xhafa është një nga njerëzit e afërt të Presidentit Meta me kontribute në LSI, jo gjatë muajve të fundit, por për shumë vite me radhë. A mund të jetë arrestimi i tij i rastësishëm?
Rama ka projekt gjuetie. Ai do të bëjë politikë me arrestimet përtej gardhit të tij. Këtë e ka paralajmëruar prej kohësh, duke kompromentuar edhe rolin e drejtësisë. Qëllimi është të shantazhojë kundërshtarët. Loja e nisur është ajo e nënshtrimit, që kur nuk funksionon politika e biskotës, atëherë të vihet në përdorim politika e goditjes me shkop.
Arrestimi i mikut të Presidentit dhe kontribuesit të LSI koincidon me një vendim të rëndësishëm që LSI duhet të marrë sot në Këshillin Bashkiak të Tiranës nëse do të mbështesë rritjen e çmimit të ujit të pijshëm nga Veliaj me 45%, apo do të qëndrojë në anën e qytetarëve!?
Raportet në Këshillin Bashkiak nuk janë favorizuese për socialistët. PS ka 25 këshilltarë, por nuk ka mazhorancën në vendimmarje pa LSI, sepse PD ka 17 këshilltarë dhe LSI ka 13 dhe të dyja bashkë bëjnë 30. Edhe votat e PDIU apo dy këshilltarëve të tjerë që janë më afër opozitës nuk i zgjidhin problemin sot Veliajt pa llogarinë e LSI.
Dita e sotme do të jetë një test për LSI. Gjatë ditëve të fundit zëri i Monikës si Kryetare e re e LSI është mekur. Nuk është më ai i katër javëve më parë kur deklaronte prerë dhe artikulonte fort se LSI do të jetë një opozitë e fortë ndaj pushtetit. Zërat e tjerë brenda kësaj force politike që ishin po aq të zjarrtë gjatë ditëve të fundit janë sfumuar.
Katër javë më parë, Monika fliste për një opozitë të fortë, dje ndryshoi. Me një postim të shkurtër në rrjetet sociale ajo nuk shprehej më për një opozitë të fortë, por për një opozitë konstruktive. Ndërkohë, këshilltarët e LSI, disa fëmijë pa asnjë eksperiencë politike thanë se kusht për të votuar rritjen me 45% të çmimit të ujit për 1 milion banorë të Tiranës ishte zorra e deputetit Qefalia që ujit lulet pa leje në bizneset e tij.
Dje kur qytetarët prisnin një përgjigje tjetër nga kjo forcë politike, LSI u tha atyre se nga zorra e këtij deputeti varet halli i 1 milion qytetarëve që do t’u rriten faturat e çmimit të ujit. Që LSI dhe këshilltarët e saj të mbeten të varur tek zorra e Qefalisë, kjo është një zgjedhje e tyre, ndërkohë problemi i rritjes së çmimit të ujit është shumë herë më tepër serioz.
Sot është një test i rëndësishëm për zonjën Kryemadhi si kryetare e re e LSI dhe për vetë LSI të deklaruar me pompozitet si opozitë. A do të jetë LSI një forcë opozitare apo një forcë politike lehtësisht e kapshme nga pushteti përmes shantazheve? Kjo mbetet për t’u parë sot në votimin në Këshillin Bashkiak. Nëse funksionon, atëhere mund të thuhet me siguri se në zgjedhjet e ardhshme, LSI do të dalë forcë e parë në burgje.
Përderisa në Tiranë e paguajnë faturën e ujit vetëm 22.9% e familjeve, atëherë ulja e informalitetit dhe rritja e bazës së familjeve që duhet të paguajnë faturat e ujit është zgjidhja e vetme për të ndalur rritjen e çmimit për atë pakicë që është e ndershme me shtetin.

Artikulli paraprakÇmimi i ujit dhe lehtësia e papërballueshme e qeverisjes
Artikulli tjetërRusia, sanksione ndaj Polonisë