Vendi po rrethohet, përveçse me kanabis edhe me bolshevizëm

Nga Romeo Gurakuqi

Mesazh shumë i rëndësishëm i Presidentit të Republikës, në ditët kur ekzekutivi shqiptar e ka rrethuar vendin, përveçse me kanabis, edhe me bolshevizëm, të propaganduar nga ish-struktura të Drejtorisë së Katërt të ish-Sigurimit të Shtetit, të ish-kundërzbulimit, ish-oficerë të pensionuar, të cilët po e përjetojnë situatën aktuale të vendit nën drejtimin majtist, si një periudhë të artë të fundosjes së lirisë së fituar në vitin 1991.

Historianët duhet të pranojnë dhe t’ia pohojnë publikut:
1. Dekadencën e rendit të gjërave në Shqipëri në harkun kohor 1939-1945, ndërprerjen e evolucionit dhe progresit institucional, arsimor, kulturor dhe ekonomik, përshpejtimin dhe egërsinë që pat procesi i vendosjes së diktaturës komuniste në këtë vend;
2. I gjithë harku kohor 1939-1945, në fakt, përbën një thyerje historike, një sekuencë historike, të ndarë nga dy pragje fragmentimi historik për Europën, Ballkanin dhe Shqipërinë në rastin tonë, pas të cilave kemi përmbysje të thella që shoqërohen me prishje të qëndrueshmërisë pararendëse;
3. Historianët tashmë duhet të nxisin një studim strukturor të historisë më të debatuar të këtij vendi ballkanik, 1939-1946. Këto struktura, përsa i përket kohëzgjatjes së tyre, përfshijnë ato aspekte të përkohshme të marrëdhënieve të ndërtuara në vend, që nuk mund të shpjegohen me metodat e dikurshme të përshkrimit të ngjarjeve të përjetuara ose të sajuara nga historiografia komuniste.
Këto struktura ndihmojnë të ndriçohen ndryshimet që ndodhën në Shqipëri në një hark shumë të shkurtër kohor, nën ndikimin e faktorëve shkatërrimtarë të jashtëm: fashizmit, kolaboracionizmi, luftëtarëve që luftonin për një Shqipëri të lirë, të pavarur, republikane dhe të mirëfilltë demokratike në kufijtë e tokave të lirueme, bolshevizmit me frymëzim jugosllav që luftonte për një Shqipëri të vogël, komuniste, satelite të Jugosllavisë dhe Moskës, nacionalizmit indipendent, terrorizimit të komunistëve që shndërruan brigadat partizane dhe njësi të Gardës së Kuqe të terrorit.
Pa këto struktura dhe aktivitetet gjegjëse të tyre, nuk mund të kuptohet tashmë që stabiliteti diktatorial nën të cilin më pas u vendos Shqipëria në afat të gjatë, gati gjysmë shekullor. Këto struktura pjesore, ndihmojnë kuptimin e tri cikleve kohore të ndërmjetme të studimit dhe thelbin e ndryshimit dhe kthesës nën të cilën u vendos vendi: pushtimi fashist; pushtimi nazist dhe çlirimi rrënimtar komunist.
4. Strukturat e mësipërme, nuk mund të shpjegohen si zhvillime të izoluara të brendshme shqiptare, jashtë kohës europiane të Luftës së Dytë Botërore, por para së gjithash si pjesë e një procesi shumë më të gjerë europian, pjesë e ndryshimeve që ndodhën në Europë në kohën e aventurës fashiste dhe komuniste që prodhoi Luftën e Dytë Botërore dhe balancën e re të fuqive të pas saj.
5. Parakushtet e pushtimit fashist të Shqipërisë, rrëshkitja dhe përkulja graduale që pësoi regjimi i Zogut në Italinë fashiste, nuk mund të shërbejnë si shpjegime të plota pa kuptuar kontekstin e gjerë të relacioneve ndërkombëtare të krijuara në atë kohë në Mesdheun Lindor në mes Italisë fashiste dhe Mbretërisë së Bashkuar, paktin mes këtyre fuqive dhe pa kuptuar tipet e marrëdhënieve të aleancës dhe xhelozive të krijuara në mes dy fuqive fashiste me qendra në Romë dhe Berlin.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe me strukturën e fitores së partizanëve komunistë, që vendosën diktaturën e tyre të plotë, në harkun kohor 29 nëntor 1944 deri më 11 janar 1946: çlirimi i Shqipërisë u bë një simbol për historiografinë komuniste dhe për politikën e PKSH, por ajo ngjarje ka qenë produkt i një numri faktorësh, kryesisht të jashtëm dhe jo më pak edhe të brendshëm.
Pyetjet që unë bëj janë këto: a arrin historiani i ri shqiptar, i përgatitur nga shkolla jonë, të kryejë studim të historisë nga një pikëpamje filozofike, përmes një metode të filozofisë së historisë, duke përpunuar në mënyrë racionale shpirtin që ka prodhuar të kalurën e tij? A arrin studenti shqiptar, i dalë nga shkolla jonë, të ndërtojë dhe interpretojnë kategoritë historike të “hapësirës së përvojës së shkuar” dhe të krijojë “horizontin e rrjedhës së ngjarjeve të ardhshme”, të shpjegojë diferencën që ekziston në mes konceptimit të së shkuarës dhe atij të ardhshëm?
A arrin ai të kuptojë historinë konceptuale, a arrin të rrokë atë zonë të konvergjencës në të cilën e kaluemja dhe konceptet e saj, hyjnë në konceptet moderne? Kjo është ngatërresa e madhe që po i rëndon sot publikut dhe që përçohet përmes fletushkave propagandistike.
Në përfundim më duhet të them se në qoftë se korrigjimet e historisë zyrtare të Luftës së Dytë Botërore dhe më gjerë nuk do të bëhen edhe në këtë kohë, do të jetë edhe më problematike vendosja e lidhjeve të arsyeshme, logjike dhe funksionale me të shkuarën, për shkak të frakturës së thellë që ekziston mes njohjes së traditës dhe njohjes së ofruar nga realizmi socialist. Në vend që të jemi një komb, me histori, shkollë formimi, histori tekstuale, komunikim letrar të standardizuar e të konsoliduar deri 150-vjeçar, ne do ta përjetojmë gabimisht vetveten, si një komb me një sistem dijeje dhe shkolle, të lulëzuar në 70 vitet e fundit, gjë që nuk mund ta konsiderojë si të vërtetë dhe as të dobishëm.
Jemi në një mungesë të plotë simetrie mes të kaluarës tradicionale, të djeshmes së palavdishme të realizmit socialist dhe të ardhmes europiane që na imponon ngjizje, unitet logjik, vërtetësi, eliminim të ndasive mbi baza të paragjykuara politike dhe kulturore ndërshqiptare.
Duhet të jetojmë në një botë shqiptare humane të shpenguar, në të cilën citimi i së shkuarës sonë, duhet të jetë pjesë e natyrshme e qenies sonë, si pjesë e një bote europiane, të lirë e të çliruar nga paradigmat e shkencës diktatoriale.
E kaluara tradicionale e prodhuar nga etërit e ndaluar të kombit, nuk duhet të konsiderohet më si diçka e huaj, armiqësore, por më tepër si një pjesë e horizontit jetues, në të cilin ne gjendemi dhe si nevojë e ecjes bashkërisht si komb unitar, i bashkuar në shtyllat më themelore të së shkuarës së miratuar bashkërisht.

Artikulli paraprakKot lehin zagarët e rrugëve, dhëmbët e tyre nuk kafshojnë
Artikulli tjetërFaqja e pare