Vendi pa Kushtetuese rrezikon të rrëshqasë në diktaturë ose në kaos

Nga Kastriot ISLAMI

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka “ndërruar jetë”. “Vrasësi” i saj është Edi Rama. Ai e bëri këtë “vrasje” me vetëdije të plotë për të mundësuar fillimisht qeverisjen antikushtetuse e pa kontroll kushtetues dhe më tej për ta vënë atë nën kontroll të plotë. Thënë më thjesht, Rama në fazën “tranzitore” kur ende s’ka vendosur nën kontroll të plotë sistemin e drejtësisë, përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese, e la vëndin pa Gjykatë Kushtetuese. Por cfarë roli kanë pasur ndërkombëtarët në këtë rast?
Shqipëria pa Gjykatë Kushtetuese
Edi Rama duke kontrolluar qeverinë dhe mexhorancën tani i ka duart e lira të miratojë në qeveri dhe parlament ligje antikushtetuese të cilat mund të zbatohen pa patur asnjë mundësi që ato të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetueshmërinë e tyre. Kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. Dhe për më tepër, kjo situatë është e paprecedentë edhe për Shqipërinë, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër më parë në këto 27 vjet. Në këto kushte, opozita e ka të pamundur që në rrugë institucionale të rrëzojë apo pengojë një ligj antikushtetues të zbatohet sepse mekanizmi i Gjykatës Kushtetuese s’ekziston. Kjo e detyron opozitën të fillojë të mendojë për të kryer veprime ekstra-institucionale pra të drejtojë apo udhëheqë protestat dhe revoltat qytetare me motivin se në Shqipëri është “vrarë” shteti ligjor dhe Gjykata Kushtetuese. Dhe se po instalohet një regjim antikushtetues. Asnjë arsyetim racional s’do të mund ti pengonte në këto

kushte qytetarët dhe/ose opozitën të vepronin për të ndryshuar këtë gjendje përmes revoltave për largimin e një regjimi antikushtetues apo rrëzimin e një sistemi pa Gjykatë Kushtetuese.
“Diplomacia e kanabisit” e aplikuar nga Rama për kompromentimin e ndërkombëtarëve
Fillimisht duhet të qartësohet se çfarë kuptohet më termin “ndërkombëtarë”? Në rastin konkret të Shqipërisë bëhet fjalë për disa zyrtarë të lartë të Brukselit që merren me axhendën e Shqipërisë dhe 4-5 ambasadorë “aktivë”, të cilët formojnë grupin e “ndërkombëtarëve të vegjël të Brukselit dhe Tiranës” që mbulojnë axhendën e Shqipërisë. Këta “ndërkombëtarë” kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin mënd e këshilla në Shqipëri për gjithçka, si asnjëherë tjetër më parë. Këto këto vitet e fundit, shumë aktivisht, për reformën në drejtësi. Ndërkohë që ekzistojnë dyshime të forta që Rama ka aplikuar ndaj tyre “diplomacinë e kanabisit” homologe e “diplomacisë së havjarit”. Fillimisht ndaj tyre më të drejtë janë shtruar disa pyetje: I)a kanë parashikuar këta ndërkombëtarë që vendi mund të rezultonte pa Gjykatë Kushtetuese në kuadër të kryerjes së reformës në drejtësi? II)a kanë ndërmarrë ndonjë veprim korrektues këta “ndërkombëtarë” për të shmangur këtë vakum ndërkohë që vendi është aktualisht pa Gjykatë Kushtetuese? III)përse këta ndërkombëtarë që janë bërë pjesë aktive e hartimit por edhe e zbatimit të reformës në drejtësi s’kërkojnë ngritjen e një tavoline debati për të nxjerrë vendin nga ky qorrsokak? IV)a e kuptojnë këta ndërkombëtarë se e gjitha kjo është minimalisht një lojë tinzare e Ramës për të vënë nën kontroll Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë gjyqësorin, dhe se ata po kthehen në bashkëpunëtorë naivë apo të kompromentuar të Edi Ramës?

Përgjegjësia ndërkombëtarëve për reformën në drejtësi
Tri janë mundësitë teorike që mund të shpjegojnë rolin e “ndërkombëtarëve” për reformën në drejtësi:
A) “Ndërkombëtarët” nuk kanë qenë të përfshirë direkt në hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, pra ata nuk kanë asnjë përgjegjësi për çdo gabim apo defekt që rezulton nga reforma në drejtësi, apo nga lënia e vendit pa Gjykatë Kushtetuese duke ja transferuar kështu të gjithë përgjegjësinë palës shqiptare. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë ata duhet të kishin heshtur gjatë të gjithë kohës dhe në fund do të mund të jepnin opinionin e tyre si monitories të procesit. Por me ndërhyrjet e tyre energjike gjatë të gjithë kohës ata janë bërë palë dhe s’mund të shpëtojnë nga bashkëpërgjegjësia.
B) “Ndërkombëtarët” s’kanë qënë mjaftueshmërisht të përgatitur për të programuar me saktësi këtë lloj reforme dhe/ose s’kanë arritur të zbulojnë lojën tinzare të Ramës për të vënë nën kontroll gjyqsorin gjë që ka çuar në “vrasjen” e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast ata të paktën duhet të heshtin tani që vëndi është në qorrsokak dhe duhet të kërkonin që palët në Shqipëri të ulen, ndoshta edhe nën monitorimin/këshillimin e tyre të nxjerrin reformën në drejtësi nga ky qorroskak. Nëse ata nuk do të vepronin në këtë mënyrë, atëherë edhe kjo hipotezë do të binte.

C) “Ndërkombëtarët” kanë qënë në mbështetje apo bashkëpunëtorë të Edi Ramës, pra kanë bërë me bindje të plotë gjithçka, gjatë të gjithë këtij procesi, duke parashikuar edhe këtë situatë të vendit pa Kushtetutë. Në këtë rast, do të kishte dy nën-opsione. Ose ata për interesa të tyre kanë
parashikuar dhe pranuar një situatë të përkohshme absurde pa Gjykatë Kushtetuese, duke i lejuar edhe Ramës të kontrollojë gjyqësorin. Ose ata janë të kompromentuar nga Edi Rama për të luajtur këtë rol me pasoja për të ardhmen e stabilitetit të vendit. Edhe nëse ndonjë nga këto dy nën-opsione do të ishte i vërtetë, ata do të duhet të heshtnin se kjo lojë është zbuluar dhe shqiptarët e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh. Megjithatë ky është një opsion probabël që mbetet për tu zhbiriluar më në thellësi.
Në vend të një përfundimi…
Përfundimisht, mund të thuhet se vendi pa Gjykatë Kushtetuese rrezikohet ose të rrëshqasë në diktaturë ose në kaos. Roli i atyre ndërkombëtarëve që merren me Shqipërinë është tashmë i qartë për shumicën e shqiptarëve. Ndërkombëtarët e vegjël të Brukselit e të Tiranës janë pa dyshim bashkëpërgjegjës për futjen e vendit në këtë qorrsokak. Ato minimalisht duhen tejkaluar nga qytetarët dhe opozita, ose duke e gjetur vetë daljen nga ky qorrsokak dhe/ose duke komunikuar e bashkëvepruar intensivisht me drejtuesit e lartë në Uashington dhe në kryeqytetet kryesore të vëndeve të BE.

Artikulli paraprakRaporti i Departamentit të Shtetit, thirrje për të flakur kalbësirat në pushtet
Artikulli tjetërEfekti CR7, Juventus kryeson mbi Barcelonën, Real Madrid e të tjerë