Vëllezërit paralajmëruan Ramën: Kryeministër, ndaloje tragjedinë

Ditën e djeshme dy vëllezër hipën në tarracën e një pallati 5-katësh nga ku kërcënuan me vetëvrasje. Ata argumentonin se shtëpia e tyre, me dokumente të rregullta do t’i kalojë padrejtësisht ish-pronarëve. Një ngjarje e tillë ka alarmuar shumë qytetarë dhe policinë, e cila ka arritur të negociojë me dy vëllezërit Bejko.
Ndërkohë, pasi zbritën nga pallati, njëri prej vëllezërve Bejko, Damini tha në një lidhje telefonike me “Ora News” se po u vidhen banesat. Damin Bejko deklaroi se e kishte njoftuar Kryeministrin Rama një ditë më parë për këtë çështje. Ai zbuloi mesazhin ku ia kishte parashtruar të gjithë problemin e familjes së tij dhe të vëllait, sikundër e apelonte të ndalonte tragjedinë e radhës.
“Mund të ndodhë si te ai prindi i Korçës para 6 muajve, ia kam cilësuar dhe Kryeministrit në mesazh, mund të ndodhë ai veprim. Nuk kam ku t’i çoj dhe shkolloj fëmijët. Një fëmijë e kam 4 vjeç dhe tjetrin 13. Po gëzohesha këtë vit që t’i çoja në bankat e shkollës dhe të kopshtit, por këta njerëz nuk më lënë, duan të shkatërrojnë familjet, nuk pyesin për njerëzit e thjeshtë.
Janë bërë avokatë të çështjes dhe mbrojnë pisllëkun, hajdutllëkun, falsifikimin. Çertifikata që zotërojnë zotërinjtë është blerë me para në dorë në korridoret e hipotekës. Është e vërtetuar në gjyq para prokurorit, para gjykatësve.
Gjykatësi Rexhep Bekteshi që në mënyrë të prerë vendosi: Është shkelur vendimi i Gjykatës së Lartë dhe çertifikata ka dalë 6 muaj me vonesë. Çështjen ia kaloi direkt Prokurorisë. Prokuroria fle gjumë. Ne endemi sipër tarracave për t’u flijuar.
Në rast se do të ndodhë përsëri ju them jo ky rast, por do të jetë edhe më ekstrem. I kam marrë parasysh të gjitha. Derisa unë do të dal në rrugë të madhe me familjen, nuk kam asnjë lloj zgjidhje apo mundësie për strehim, unë do të detyrohem të marr një akt të tillë”, shprehet Damian Bejko.
Dy vëllezërit Bejko në Durrës hipën në majën e një pallati dhe kërcënuan se do të hidhen nga aty. Ngjarja ndodhi në lagjen nr.11 të qytetit bregdetar. Nga hetimet e para të policisë mësohet se shkak është bërë kthimi i banesave të tyre tek ish-pronarët. Ata hipën në tarracën e pallatit ku jetojnë pasi Përmbarimi do t’i nxjerrë nga shtëpia dhe kërcënuan me vetëvrasje për vendimin e gjykatës. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje, dhe pas negociatave dy vëllezërit zbritën nga tarraca e pallatit.

Artikulli paraprakShpërthen në flakë makina në Vlorë, shpëton shoferi
Artikulli tjetërShqiptarit kapet në Itali me 8 kg kokainë në makinë