“Veliera” rikthehet për gjykim në Gjykatën Administrative

Rikthehet për gjykim çështja “Veliera” në Durrës, e cila tashmë do të gjykohet në themel në Gjykatën Administrative. Dje është zhvilluar seanca përgatitore, ku pala paditëse dhe ajo e paditur kanë paraqitur dokumentacionin përkatës. Palët në këtë proces si shoqëria civile, Bashkia Durrës, Ministria e Kulturës dhe firma ndërtuese kanë paraqitur dokumentet me pretendimet përkatëse pranë gjyqtarit Ergys Gashi, i cili pasi të përgatisë dokumentet e gjyqit me tre gjyqtarë do të njoftojë palët për caktimin e seancës së radhës. Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Sazan Guri tha se “ne do ta vazhdojmë këtë betejë dhe gjykimi në themel është sukses i qëndresës sonë”. Ndërsa avokatja e shoqërisë civile, Mirela Jorgo u shpreh se, “në rast se kjo çështje nuk zgjidhet në gjykatat tona do t’i drejtohemi Strazburgut”. Ndërkohë nuk u paraqitën në seancën e djeshme Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Shërbimit Arkeologjik, si dhe një kompani ndërtuese, e përfshirë në projektin “Veliera”. Ashtu si në rastin e Gjirokastrës, projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme. Në një pjesë të rëndësishme: Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin. Zona ngjyrë rosë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”.

Artikulli paraprakVonesat në zbatimin e vendimit të gjykatave penalizojnë rëndë arkën e shtetit
Artikulli tjetërNATO mirëpret Malin e Zi