Vazhdon greva e urisë në Zharrëz të Fierit, përkeqësohet gjendja

Greva e urisë në Zharrëz ka hyrë në ditën e pestë, ndërsa gjendja e grevistëve po përkeqësohet. Mësohet se grevisti Romeo Pllumi është dërguar me urgjencë në spital për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Grevistët janë shprehur se nuk do ta ndërpresin atë derisa të plotësohen kushtet që kërkojnë.
Ndërkohë, asnjë autoritet vendor nga Bashkia e Patosit nuk ka kontaktuar me grevistët, të cilët kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara në banesat e tyre nga dridhjet e tokës.  Gjendja shëndetësore po përkeqësohet, por asnjë prej banorëve nuk pranon të dalë. Deri tani në Spitalin e Fierit kanë marrë mjekim 4 grevistë dhe më pas janë rikthyer në mjediset ku po zhvillohet greva e urisë.
Banorët kërkojnë që komisioni i ngritur për verifikimin e dëmeve nga lëkundjet e tokës në fushën naftëmbajtëse Patos Marinëz të publikojë rezultatet dhe arsyet e lëkundjeve të tokës. Prej vitesh në fshatin Zharrëz dhe në zonat përreth ka patur dëme në banesa dhe mjedis. Përveç lëkundjeve të tokës nuk kanë munguar edhe incidente si ai i dy viteve më parë, ku një pus nafte shpërtheu në fontanë, duke shkatërruar shtëpi dhe të mbjella në Marinëz.
Kompania Bankers Petroleum që shfrytëzon fushën naftëmbajtëse nuk ka pranuar në asnjë rast akuzat për shfrytëzim të parregullt të burimeve të naftës. Kjo situatë është shoqëruar me protesta të banorëve të zonës. Bankers Pertoleum tashmë është në pronësi të  kompanisë kineze Geo Jade.
Një muaj më parë 10 banorë hynë në një grevë urie pas disa lëkundjeve të fuqishme të tokës që shkaktoi dëme, duke detyruar autoritetet të ngrenë një komision për hetimin e situatës. Afati për rezultatet e këtij hetimi ishte fundi i muajit janar, por ende nuk ka një raport zyrtar për atë se çfarë i shkakton lëkundjet e tokës dhe dëmet në banesa dhe mjedis.
Ndërkohë, Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, për shkatërrimin e banesave nga lëkundjet e tokës në komunën e Zharrzës dhe pjesëve të tjera të zonës së Fierit. Burimet nga organi i akuzës bënë të ditur se ky hetim ka nisur, pasi Policia e Shtetit ka referuar një material shpjegues, referuar edhe në disa dëshmi të banorëve, të cilët pretendojnë se lëkundjet e tokës vijnë si pasojë e shpërthimeve nëntokësore që kryejnë kompania e nxjerrjes së naftës në atë zonë.
Në kallëzimin e policisë, që Prokuroria e ka regjistruar si procedim, thuhet se kërkohet të hetohet nëse lëkundjet e tokës në komunën e Zharrzës dhe zona të ndryshme të Fierit janë tërmet apo shkaktohen nga shpërthimet nëntokësore të kompanisë “Bankers Petroleum”. Ky hetim, thuhet nga burimet e Prokurorisë, ka nisur pikërisht në kohën kur disa banorë të zonës së Zharrzës hynë në grevë urie, të cilët pretendojnë se po i shkatërrohen shtëpitë si pasojë e shpërthimeve nëntokësore nga kompania e nxjerrjes së naftës.

Artikulli paraprakBanorët e Tërbaç, 6 muaj pa ujë të pijshëm, faturat i paguajnë rregullisht
Artikulli tjetërProkuroria çon në pranga 2 policë, manipuluan shkaqet e një aksidenti