VATRA: Shqipëria e kriminalizuar, droga është kryefjala e ditës

Dalip Greca

Udhëheqja e organizatës VATRA zhvilloi një bisedë të thelluar me këshilltarin e Presidentit Nishani, Klevis Balliu, në të cilën u shpreh shqetësimi për përkeqësimin e krizës politike në Shqipëri.
Të shtunën më 1 prill 2017 në mesditë një përfaqësi e VATRA-s u takua me Klevis Balliun, këshilltar për marrëdhënie ndërkombëtare të Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së Tij z. Bujar Nishani, i cili është duke kryer një vizitë pune në SHBA. Kryetari i VATRA-s, Dr. Gjon Buçaj, duke i uruar mirëseardhjen në VATRA mysafirit, tha se VATRA ndjehet e vlerësuar nga institucioni i Presidencës. Marrëdhëniet e VATRA-s me presidentin Bujar Nishani kanë qenë të ngrohta dhe në mirëkuptim të plotë. Gjatë mandatit të tij, Presidenti Nishani e ka vizituar dy herë selinë e VATRA-s, përveç takimeve të tjera, ndërkohë që ka vlerësuar e dekoruar figurat themeluese të VATRA-s dhe martirët e saj, që lanë Amerikën dhe u kthyen në Shqipëri për ta bërë Shqipërinë demokratike, por u ndëshkuan me plumba, u plasën në burgjet e diktaturës dhe kampet e internimit nga regjimi komunist. VATRA është nderuar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin e Flamurit dhe për këtë i është mirënjohës Presidentit. Federata Panshqiptare e Amerikës e ka ndjekur me vëmendje veprimtarinë kombëtare të institucionit të Presidencës dhe e vlerëson gjithpërfshirjen e Presidentit për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë në trojet e tyre etnike dhe në diasporë.
Më pas kryetari i VATRA-s e informoi mysafirin për qëndrimet dhe veprimtaritë e Federatës VATRA, e cila në momentin e tanishëm është në prag të Kuvendit të saj vjetor, që do të zhvillohet më 10 qershor 2017. Në prag të Kuvendit janë duke u zhvilluar takimet e degëve që funksionojnë në shtetet e Amerikës së Veriut dhe në Kanada, të cilat gjatë analizave të punës, bëjnë zgjedhjet e reja të drejtuesve të degëve konform Kushtetutës së VATRA-s dhe zgjedhin delegatët për në Kuvendin e VATRA-s në raportin një delegat për 10 anëtarë. Kryetari i VATRA-s parashtroi qëndrimet e VATRA-s për zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës dhe shfaqi shqetësimin për situatën e krijuar në Shqipëri, ku mungon dialogu politik dhe situata mbetet tejet e tensionuar. Për vatranët, ashtu si për shumicën e shqiptarëve të Amerikës, është e papranueshme që për 25 vjet demokraci, kemi një Shqipëri tejet të varfër, qytetarë që e shohin zgjidhjen vetëm duke emigruar, një Shqipëri e kriminalizuar, ku droga është kryefjala e ditës. VATRA ndjehet e shqetësuar për kriminalizimin e pushtetit dhe Parlamentit, për korrupsionin e lartë në të gjithë nivelet e shtetit, për kultivimin masiv dhe trafikimin e drogës, ku raporti i Departamentit të Shtetit e paraqet realisht alarmante situatën, ku është pesëfishuar prodhimi dhe trafikimi i drogës, por nga ana tjetër VATRA mbetet e shqetësuar edhe për bllokimin e Reformës në Drejtësi dhe është kundër bojkotit të jetës parlamentare. VATRA ka besim se faktori ndërkombëtar, veçanërisht SHBA, nuk do të lejojnë që drejtësia të kapet nga ekzekutivi. Qeveria nga ana e saj nuk ka pse sillet me arrogancë ndaj opozitës, por të dialogojë me të për të gjetur zgjidhjen e krizës. Zgjedhjet pa opozitën e kthejnë Shqipërinë në kohën e Ramiz Alisë. Palët duhet të dialogojnë dhe të gjejnë zgjidhje afatgjata për t’i dhënë fund njëherë e mirë shitblerjes së votës, një fenomen karakteristik për Shqipërinë e tranzicionit. Shqipëria duhet t’i shmanget një destabilizimi të mundshëm, që vjen nga tensionimi mes palëve, ndryshe demokracia mbetet në udhëkryq dhe rrezikon jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë rajonin. VATRA ka mendimin se Presidenti i Republikës duhet të rrisë rolin mbi palët dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes së krizës, duke ofruar bisedimet në tavolinë.
Rreth këtyre problemeve diskutuan edhe zv.kryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, Dritan Mishto, Marjan Cubi, Zef Balaj, Dalip Greca dhe Lek Përlleshi. Debati për zhvillimet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, por veçanërisht për krizën politike në shtetin shqiptar, arriti në përfundimin e përbashkët që VATRA, ashtu siç ka vepruar edhe në të shkuarën të mbajë qëndrim jo vetëm me deklaratë publike, por edhe të informojë në linjën e saj Departamentin e Shtetit dhe politikanët amerikanë.
Këshilltari i Presidentit, Klevis Balliu falënderoi për pritjen e organizuar dhe solli përshëndetjet e Presidentit Nishani. Ai informoi për takimet e zhvilluara në Shtetin e Nju Jork-ut me politikanë të niveleve të ndryshme dhe u ndal në takimet e tij në Albany, ku u takua me anëtarë të Senatit dhe Kongresit të Shtetit të Nju Jork-ut. Po ashtu, ai informoi edhe për takimet e planifikuara në Uashington, ku do të takojë kongresmenë e senatorë. Këshilltari i Presidentit informoi mbi situatën aktuale në Shqipëri dhe iu përgjigj pyetjeve.

Artikulli paraprakTrump: “Sulmi në Siri është turp për njerëzimin”
Artikulli tjetërDështon mbledhja e OKB-së për Sirinë