Varfëria nuk ndalet, ulje pagash në 2018

Vitin e ardhshëm do të ishte mirë që të mos prisnim një rritje të pagës. Shqipëria figuron në listën e 9 ekonomive të botës, që jo vetëm nuk do të njohin rritje reale të pagave, por do të pësojnë rënie. Në këtë përfundim arrin një projeksion i fundit i pagave për vitin e ardhshëm, por që është kryer nga Korn Ferry, një prej firmave më të mëdha në botë të kërkimit, që kuotohet në bursë dhe që ka një kapitalizim tregu prej miliarda dollarësh. Nga ky projeksion aspak optimist për shqiptarët për vitin e ardhshëm, rezulton se, në Shqipëri pagat do të rriten me 2.6%, ndërkohë që çmimet do të rriten me 2.8%. Duke qenë se çmimet e shportës do të rriten me një ritëm më të shpejtë se pagat, atëherë rezulton se, pagat reale të shqiptarëve në 2018-ën do të bien me 0.2%. Sa i përket vendeve të tjera europiane, ku do të ketë rënie të pagave, mund të evidentojmë vetëm Mbretërinë e Bashkuar, Bjellorusinë dhe Finlandën, por vlen të përmendet se këto tre shtete janë në probleme aspak të vogla. Në krahasim me rajonin ndërkohë, në analizë veç Shqipërisë merret vetëm Serbia, ku pagat reale pritet të rriten me 2.1%. Rajoni ndërkohë, ai i Europës Lindore projektohet të regjistrojë një rritje reale të pagave prej 1.4% gjatë vitit që po vjen. Raporti më i fundit i Bankës Botërore të të bërit biznes vendos një fokus të veçantë te tregu i punës, pasi mban titullin: reformim për të krijuar vende pune. Pjesë e raportit të Bankës Botërore është edhe një tabelë me të dhëna të ndryshme mbi tregun e punës në të 190 ekonomitë e botës që merren në vlerësim nga institucioni me bazë në Uashington. Këto të dhëna shërbejnë si një bazë e mirëfilltë krahasuese dhe tregojnë diferencën e theksuar mes ekonomive. Nga këto të dhëna, rezulton se, Shqipëria është një ndër 5 vendet me pagat më të ulëta në rajon. Si referencë merret puna e një shitësi ose shitëseje, rreth 19 vjeç dhe me një eksperiencë 1-vjeçare pune. Rezulton se, për vendin tonë, kjo pagë fiksohet në 182.3 dollarë, çka përkthehet në 24 mijë lekë të pagës minimale ligjore në vendin tonë. Kjo shifër e vendos Shqipërinë në listën e pesë vendeve me pagën minimale më të ulët në Europë, si dhe vendin e parafundit në rajon. Më keq se vendi ynë është Bjellorusia me 156.9 dollarë në muaj, Kosova me 150 dollarë në muaj, Ukraina me 133.8 dollarë në muaj, si dhe Moldavia me 110.5 dollarë në muaj. Në rajon, Shqipëria dhe Kosova janë vendet me pagat më të ulëta, ndërkohë që në Mal të Zi, paga minimale fiksohet në 218.9 dollarë në muaj, Maqedoni, 242.5 dollarë, Serbi 212 dollarë dhe Bosnje-Hercegovinë 232.5 dollarë në muaj. Përveçse kanë rrogat më të ulëta në rajon, punonjësit shqiptarë janë përballur me përkeqësimin e standardeve të jetesës gjatë viteve të fundit. Banka Botërore deklaroi se rrogat në Shqipëri kanë rënë për katër vite me radhë, duke rrudhur të ardhurat e punonjësve me një intensitet të paprecedentë as për ekonomitë e zhytura në krizë të thellë. “Pagat nominale vazhduan rënien, e cila ka filluar që në fund të vitit 2013, por ky trend duhet të lehtësohet në vitin 2017 nga përfundimi i ngrirjes së rrogave në sektorin publik”, thuhej në një raport të publikuar kohë më parë nga BB. Rënia e pagave nominale nënkupton se punëtorët në Shqipëri po përballen me një krizë të paprecedentë të ardhurash. Kjo pasi, përveç rënies së rrogave në vlerë nominale, niveli i tyre i mirëqenies është përkeqësuar edhe nga rritja e çmimeve.

Artikulli paraprakS’ka konsum, vendi në krizën e varfërisë
Artikulli tjetërKorrupsion, vjedhje dhe paaftësi në Komisionin e Prokurimeve