Vangjel Dule: Rama, sjellje prej pushtuesi

Pas ndërhyrjes së IKMT për prishjen e banesave në Himarë, ka reaguar edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Dule e krahason sjelljen e Ramës ndaj banorëve të Himarës me sjelljen e një pushtuesi. Në një prononcim për median ai thotë se, Himara u ka rezistuar shekujve dhe nuk do të mund të mposhtet nga perversitetet ligjore dhe institucionale aventureske të Ramës. “Sjellja e kryeministrit Rama ndaj Himarës dhe himariotëve mund të krahasohet me sjelljen e një pushtuesi. Po cenohen të drejta stërgjyshore pronësore. Cenohen parime elementare të shtetit të së drejtës. Nëpërkëmben në mes të ditës, demokracia funksionale dhe respektimi i të drejtave të pjesëtarëve të minoritetit. Himara që u ka rezistuar shekujve me identitetin dhe idealet e veta, që u ka rezistuar stuhive shumë më të vështira se këto të sotmet, nuk do të mund të mposhtet nga perversitetet ligjore dhe institucionale aventureske të zotit Rama”, tha Dule. Ndërkohë në Himarë banorët kundërshtojnë prishjen dhe janë përplasur ashpër me policinë. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur sot shembjen e 19 banesave shtëpive në qendër të Himarës, në kuadër të ndërtimit të bulevardit të ri. Prishja e banesava po shoqërohet me tension dhe protestë nga ana e qytetarëve. Forcat e shumta të policisë kanë formuar barrikadë mes banorëve dhe IKMT-së, për t’i lejuar fadromave të vijojnë punën. Prishja e këtyre banesave është kundërshtuar jo vetëm nga banorët e zonës, por dhe nga qeveria greke, e cila e konsideron miratimin e projektit për qendrën e Himarës dhe prishjen e banesave të minoritetit grek si shkelje të hapur të të drejtave të pakicës kombëtare greke. Plani urbanistik i Himarës, pjesë e së cilit ishte dhe ndërtimi i bulevardit të ri, u miratua në gusht 2017, mes shumë protestash nga banorët, si dhe nga përfaqësues të pakicës kombëtare minoritare në Himarë.

Artikulli paraprakMeta rrëfen takimin e një jave më parë me Visho Ajazin
Artikulli tjetërVuçiç tregon si e kërcënoi Yee