Vallja dyshe Berisha-Rama me SPAK!

Vallja dyshe, Berisha-Rama, me drejtësinë e re ka nisur të hidhet nga belaja e madhe që i ka zënë!

Sali Berisha e ka sulmuar drejtësinë e re që në gjenezë.

Ju kujtohet besoj në vitet 2015- 2016, vërtitjet e ambasadorit Donald Lu, i cili përpara se të shkonte në zyrën e kryetarit të PD, Lulzim Basha, “falej” te zyra e Berishës në kullën e Bashkim Ulajt për ti mbushur mendjen.

Edhe Edi Rama për dy vite rresht hodhi vickla, duke bërë sikur nuk e dëgjonin të gjithë deputetët.

Kështu edhe me berishistët që kishin rrethuar Bashën në atë kohë.

Kjo histori dhe përpëlitje për ta bllokuar reformën dhe ngritjen e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme vazhdoj deri sa të dy, (Rama-Berisha), bashkë me Ilir Metën me fytyra të vrerosura votuan “Si Çeço” së bashku me deputetët që kontrollonin, Reformën në Drejtësi më 22 Korrik 2016.

Edhe gjatë formëzimit të saj çfarë nuk bënë që ta asfiksonin dhe të krijonin perceptimin se kishte dështuar. Madje në mandatin e parë 3 vjeçarë të SPAK, arritën të neutralizonin hetimet për rrethin e tyre të ngushtë dhe ata vetë.

Sot jemi në një situatë kur Berisha me Metën janë nën hetim, kurse Ramës po i vjen rrotull dhe nuk shpallet zyrtarisht ende si dy ortakët e tij, vetëm për faktin se është kryeministër në detyrë i një vendi anëtar i NATO.

Por vini re: Sa më shumë ju ngushtohet laku aq më e dukshme dhe e hapur bëhet “vallja dyshe” mes Berishës dhe Ramës për ti mbijetuar fatit të tyre penal, të cilin në fakt nuk po ua shkruan SPAK, por e kanë gatuar vetë duke shfrytëzuar postin e lartë të kryeministrit për të bërë pasuri të çmendura për bashkëpunëtorë dhe familjarët.

Shihni me vëmendje si kërcet “vallja dyshe” mes Berishës dhe Ramës veçanërisht këto kohë që i pari është i akuzuar zyrtarisht nga SPAK, kurse i dyti është në radhë se ka ndjekur si kryeministër të njëjta skema si “Klubi Partizani” me Inceneratorët e plot afera të tjera.

Vallja është kjo:

Berisha del 3-4 herë në ditë dhe e quan SPAK, “skap të partisë”.

Pastaj vazhdon dhe thotë se prokurorët dhe gjyqtarë që kanë çështjen e tij në dorë, janë “Ushtarë të Ramës”.

Dikur propaganda berishiste thoshte që SPAK është i kapur nga ndërkombëtarët, (SHBA, Soros).

Sot nuk e zënë këtë teori më në gojë, por i mëshojnë propagandës se SPAK është një repart, bandë që urdhërohet nga PS dhe Edi Rama.

Çfarë bën “valltari” tjetër Edi Rama ndërkohë?

I shkon pa valles së Berishës.

Ndërkohë që Berisha bombardon opinionin me akuzën se drejtësia e re dhe SPAK kontrollohet nga PS dhe Rama, ky i fundit nuk lë rast pa thënë se drejtësia e re dhe SPAK janë krijesë e mazhorancës.

I fut edhe ndonjë fjali të tipit, “nuk ndërhyjmë dot”, por pastaj bombardon duke këmbëngulur dhe u mburrur se PS, (Ai) e ka krijuar Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme.

Fiks çon ujë në mullirin e Berishës që paralelisht thotë të njëjtën gjë, por shumë më egër dhe siç di veç ai.

Ja çfarë tha edhe këtë të hënë, (13 nëntor), Rama përpara asambleistëve të tij nga Pogradeci, ndërkohë që Berisha sulmonte prokurorët dhe gjyqtarë e çështjes së tij si të kapur nga Rama:

“Në Shqipëri ka rënë përfundimisht miti i personit të paprekshëm dhe kjo si erdhi? Erdhi nga qielli? Ka disa që thotë e solli Amerika. Këtë e ka sjellë vetëm një forcë mbi tokë, që është PS. Dhe PS e ka pasur gjithmonë prirjen për të menduar më shumë për shtetin se të gjitha forcat e tjera politike”

Dhe pa e mbaruar mirë këtë fjali kërcet titulli i madh në mediet e Berishës: Rama e ‘pranon’ kontrollin e plotë mbi drejtësinë: Thonë që drejtësinë e solli Amerika. Këtë e ka sjellë vetëm një forcë mbi tokë, që është PS.

Ja pra kjo është “Vallja dyshe” që po luajnë Berisha me Ramën me drejtësinë e re dhe veçanërisht SPAK.

Dhe mirë bëjnë se edhe “prifti kërcen nga belaja”, jo të mos vallëzojnë e kërcejnë këta që sa herë mendojnë burgun dhe pasuritë e mëdha me shiritin “Sekuestro”, luten ditë e natë: O Zot na e bëj ëndërr!

Artikulli paraprak“Jashtë vëmendjes kërkimi shkencor”, BIRN: Universitetet i harxhojnë fondet për siguri dhe mobilie, ka pak transparencë
Artikulli tjetër“Sytë e Shpirtit”, dokumentari për Osman Kazazin e miqësinë me holandezin Paul Luijf