Vaksina antigrip e Beqjes e Ramës, prodhim kinez dhe pa fletë-udhëzim

Përmes një deklarate për mediat Partia Demokratike ka denoncuar një tjetër skandal që mban firmën e ustait të skandaleve në dëm të jetës së njerëzve dhe ky është ministri Beqaj. Sipas zotit Bardh Spahia ka qenë ky ministër që i ka hapur rrugën një vaksine antigrip pa asnjë fletë udhëzues në shqip dhe sipas tij, kjo është në kundërshtim të hapur me ligjin për barnat. “Kjo është vaksina antigrip, ka deklaruar që në fillim zoti Spahia, e shpërndarë ditët e fundit në qendrat shëndetësore në gjithë vendin, me target grup, të sëmuret kronikë dhe personat më të rrezikuar”.
Zoti Bardh Spahia nga Departamenti i Emigracionit në PD, e ka denoncuar sot këtë skandal të ri në fushën e shëndetësisë, duke e ilustruar edhe me foto të vaksinës. Sipas tij, ky është një skandal që ndikon direkt në jetën e qytetarëve shqiptarë në një kohë, kur epidemia e gripit siç po deklarohet ka marrë përmasa të mëdha. Duke treguar fotot ai ka deklaruar: “Siç shihet është prodhim kinez, pa asnjë fletë-udhëzues në shqip, në kundërshtim të hapur me ligjin për barnat ku specifikohet qartë detyrimi që çdo bar që hyn në Shqipëri të ketë fletë-udhëzimin në shqip.
Sikur të mos mjaftonte fakti që ky vaksinim po kryhet jashtë çdo afati, pasi periudha e duhur për vaksinimin kundër gripit është tetor-nëntor, tani pacientëve shqiptarë u duhet të përballen dhe me këtë produkt me cilësi e origjinë të dyshimtë. Kjo është “shëndetësia falas” e Ilir Beqjes dhe Edi Ramës”, e përfundon konkluzionin e tij, kordinatori i PD-së.

Artikulli paraprakMaqedonia e bën historinë nëse ndryshon!
Artikulli tjetërSadriu merr fondet por nuk pastron rrugët