Ushtari komando që u kap me kokainë, militant i PS

Ushtari profesionist Xhuliano Kasaj që u kap me kokainë në një lokal dje në Tiranë është një militant i thekur i PS. Ai u arrestua nga Komisariati Nr. 6, ndërsa në shtëpi iu gjet edhe një sasi kokaine dhe kanabisi. Kasaj nga Memaliaj, ishte ushtar profesionist pranë Komandës së Forcave Tokësore në Zallherr dhe kjo punë e ka ndihmuar edhe në ushtrimin e aktivitetit të jashtëligjshëm, pasi sipas policisë, kur ndalohej për kontroll nxirrte dokumentin e punës për të shpëtuar.
Kasaj ka disa profile në rrjetet sociale dhe nuk mungojnë fotot e shumta nga jeta e përditshme. Në një prej tyre 22-vjeçari shfaqet në një aktivitet partiak në tubimin e Partisë Socialiste, çka për Forcat e Armatosura është e ndaluar.
Në njoftimin për shtyp, Policia e Tiranës bëri të ditur dje se, ka vënë në pranga dy të rinj, ku njëri prej tyre ishte me profesion ushtar profesionist. Në pranga kanë rënë Xhuljano Kasa, 22 vjeç, me funksion ushtar profesionist në Komandën e Forcave Tokësore dhe Denis Kanani, 21 vjeç, të dy me banim në kryeqytet. Sipas policisë, dy të rinjtë janë konstatuar të ulur në një lokal në rrugën “Llambi Bonata”, ku gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë, në tavolinën ku ishin ulur janë gjetur qese të tejdukshme me lëndë të dyshuar narkotike, të mbuluara me një xhup.
Në vijim janë ushtruar kontrolle në banesat e tyre dhe gjatë kontrollit të shtëpisë së Xhuljano Kasës, poshtë dyshekut të krevatit është gjetur një qese me sasi të konsiderueshme pluhuri të bardhë, (i ndarë në doza) dhe një dokument identifikimi ushtarak, të cilin e paraqiste për t’iu shmangur kontrolleve të policisë, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Denis Kananit është gjetur një pistoletë e tipit “Magnum”, me kalibër 9 mm.

Artikulli paraprakKapet në Itali anëtari i bandës së Altin Dardhës
Artikulli tjetërKu po fshihet Rama? SHBA do të godasë fort krimin në politikë