Urrejtja ndaj pronarëve, Rama ul me pesë herë fondin për kompensimin

Qeveria ka miratuar një vendim, i cili ul me 5 herë masën e kompensimit financiar për pronarët. Vendimi, i cili është miratuar në mbledhjen e fundit, ndryshon tërësisht procedurën e kompensimit të pronarëve, jo vetëm duke ulur masën e kompensimit, por edhe duke e shtrirë marrjen e parave në këste për dhjetë vjet. “Në të gjitha rastet, kur subjekti nuk përfiton kompensim fizik, përfiton kompensim financiar deri në 20% të vlerës totale, por jo më shumë se 10 milionë lekë, dhe pjesa e mbetur kompensohet fizikisht nga fondi i tokës”, thuhet në vendim. Deri tani masa e kompensimit financiar ka qenë 50 milionë lekë, që do të thotë se përmes ndryshimit të fundit qeveria e ka ulur atë me 5 herë. Por edhe këto para do i përfitojnë vetëm një pjesë e vogël e pronarëve, pasi me vendimin e ri prioritet do të ketë kompensimi fizik nga fondi i tokës. Sipas vendimit, prioriteti i mënyrës së kompensimit përcaktohet sipas a) Kompensim fizik në ish-pronën e subjektit të shpronësuar; b) Kompensim fizik nga fondi i tokës; c) Kompensim financiar. Pra, vetëm pasi të jenë ezauruar dy metodat e para të kompensimit fizik, pronarët mund të përfitojnë kompensim fizik, edhe ky i kufizuar.

Paratë me këste

Agjencia e Trajtimit të Pronave kryen kompensimin financiar të subjektit, pasi janë ezauruar më parë të gjitha mundësitë e kompensimit fizik. “Në rastet, kur subjekti trajtohet me kompensim financiar, trajtimi kryhet me këste të barabarta, brenda 10 viteve, në përputhje me procedurat që miratohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë”, thuhet në vendim. Sipas këtij vendimi, pronarët e paktë që do të përfitojnë kompensim financiar nuk do të marrin më shumë se 10 milionë lekë dhe këto para do të shpërndahen për 10 vite me këste nga 1 milion lekë në vit. Qeveria premtoi 500 milionë dollarë për kompensimin e pronarëve. Sipas ligjit, këto para do të alokoheshin nga buxheti brenda 10 viteve, ku në çdo vit duhet të shpërndaheshin 50 milionë dollarë. Por ky mbeti vetëm një premtim, pasi ligji u thye që në vitet e para, pasi në buxhetin e 2018-ës fondi i dhënë për kompensimin e pronarëve është caktuar vetëm 20 milionë dollarë.

Artikulli paraprakForbes: Shqipëria në grupin e vendeve jo të preferuara për të bërë biznes
Artikulli tjetërDy skuadra, 14 kombësi