Universiteti në Rumani nis hetimin për falsifikimin e doktoraturës nga Taulant Balla

Në një email dërguar Exit.al, Universiteti Alexandru Ioan Cuza University, në Iasi të Rumanisë ka konfirmuar se po heton zyrtarisht plagjiaturën e deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Balla akuzohet se ka kopjuar pjesë të tëra të doktoraturës ‘Politikëbërja në BE: Arritjet, Sfidat dhe Propozimet për Reformë’, kryer nga Andrea Renda ,për Qendrën për Studime Politike Evropiane në Bruksel.Këtë studim, deputeti Balla e përdori për disertacionin e tij të vitit 2015 ‘Reforma e Sistemit të Vendimmarrjes në Bashkimin Evropian’, për të cilin mori vlerësimin më të lartë.
Balla është një nga disa zyrtarët e lartë të PS, i cili u zbulua se kishte kopjuar për të fituar titullin akademik.
Në email-in e saj, Lidia Bourceanu e Departamentit të Marketingut në Universitetin Alexandru Ioan Cuza, deklaroi:
“Meqenëse institucioni ynë i arsimit të lartë mbështet fuqishëm të gjitha procedurat dhe politikat që synojnë shkurajimin e të gjitha formave të vjedhjes intelektuale, në çfarëdo rrethanë, e shohim si shumë shqetësuese çështjen e sjellë në vëmendjen tonë. Mesazhi juaj është regjistruar (me numër UAIC 1947/04.02.2019) dhe do t’i kalohet Komisionit të Etikës, me qëllim analizimin me rigorozitetin dhe profesionalizmin maksimal”.

Artikulli paraprakPo zbrazen bankat, qytetarët tërheqin 320 milionë euro brenda një viti
Artikulli tjetërFaqja e pare