United ra në Stamboll

Manchester United në qendër të akuzave. Një tjetër disfatë e pësuar nga Jose Mourinho, i mposhtur 2-1 nga Fenerbahçe dhe Djajtë e Kuq që për momentin renditen të tretët në grupin e Europa League. Një paraqitje për t’u harruar, por që trajneri nuk mund ta kalojë lehtë. Pas ndeshjes, portugezi akuzoi lojtarët e tij. “Problemi ynë lidhet me sjelljen e skuadrës në fushë. Fenerbahçe luajti sikur të ishte një finale, ndërsa ne si në miqësore verore. Fenerbahçe e meritoi fitoren. Futbolli nuk është vetëm kualitet, por edhe sakrificë dhe dëshirë për të luajtur përtej limiteve. Lojtarët e mi nuk ishin të përqendruar dhe as gati për këtë sfidë. Një ekip që pëson gol pas dy minutave lojë nuk është i përgatitur psikologjikisht dhe nuk është i përqendruar në detyrën e tij”, u shpreh Mourinho.
Mourinho foli edhe për sjelljen e kundërshtarëve në fushë. “Ata kërkuan të kalonin në avantazh me çdo kusht, për ta vendosur ndeshjen në binarët e duhur. Më tej, ngadalësuan lojën, e vendosën gjyqtarin nën presion dhe simulonin në fushë. Megjithatë, kjo ndodhi vetëm për fajin tonë”, tha ai.
Pas humbjes mediat britanike nuk e kursyen aspak trajnerin, duke theksuar se “Fenerbahçe e mbyti United”, duke përdorur në mënyrë simbolike fotografinë e Ibrahimoviç që i vendosi duart në fyt një kundërshtari. Në anën tjetër, Paul Scholes, një prej legjendave të Djajve të Kuq shpjegon se ndihet “pesimist për mënyrën si luan Manchester United”, ku për të gjithë Jose Mourinho është një prej përgjegjësve për periudhën e errët që po kalon ekipi.
Manchester United bie sërish, këtë herë në Turqi përballë Fenerbahçes që në stadiumin “Sukru Saracoglu” zhvilloi një ndeshje perfekte duke thyer “Djajtë e Kuq” 2-1 me gola të Mousa Sow dhe Jermaine Lens. Vendasit e nisën ndeshjen menjëherë në sulm dhe e gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 2 kur sulmuesi afrikan zhbllokoi sfidën duke shtangur ekipin e Jose Mourinhos. Dukshëm të nervozuar, anglezët nuk arritën të krijonin raste të rrezikshme, madje në minutën e 30, Pogba la fushën e lojës për shkak të një dëmtimi. Edhe me aktivizimin e Ibrahimoviç, skuadra angleze nuk arriti ta evitonte humbjen pasi sulmuesi Jermaine Lens vulosi fitoren e skuadrës turke pavarësisht shkurtimit të diferencave me Rooney. Fenerbahçe ngjitet në vendin e dytë të Grupit A me 7 pikë, po aq sa Feynoordi që barazoi 1-1 në fushën e Zoryas. Holandezët me 10 lojtarë për një pjesë loje, arritën të merrnin një pikë nga transferta ukrainase. Manchester United zbret në vendin e tretë me 1 pikë më pak dhe rrezikon seriozisht vazhdimësinë në Europa League.

Artikulli paraprakShqipëria e Kosova gjobiten nga FIFA
Artikulli tjetërZhgënjen Interi, pikë për shqiptarët