United fiton derbin

Ringjallet Manchester United, që fitoi derbin në Kupën e Ligës angleze. Pas turpërimit në sfidën me Çelsin, të besuarit e Jose Murinjos fituan 1-0 përballë Manchester City, falë golit të Juan Matas. Në këtë mënyrë “Djajtë e Kuq” fitojnë raundin e dytë të sfidave derbi, pas disfatës në përballjen e parë sezonale. Citizns po përjetojnë krizën e parë të madhe me Guardiolën, që i jep lamtumirën turnout. “Lojtarët bënë gjithçka për të merituar fitoren dhe jemi të lumtur”, ishte komenti i parë i teknikut portugez. “Gjatë javës së fundit gjithçka ishte kundër nesh, por ne jemi profesionistë. Tifozët e ndjenë thellësisht një rezultat aq negativ sa ai ndaj Çelsit dhe kjo ndeshje ishte një shans i mirë për ta fshirë këtë ndjenjë, sepse një derbi me eliminim direkt dhe një fitore i bën të gjithë të ndihen më mirë”, nënvizoi portugezi.
I pyetur nëse ai luajti me një skuadër më të fortë për shkak të asaj që ndodhi në “Stamford Bridge” të dielën, 53-vjeçari e pranoi me sinqeritet: “Po. Ne ishim në një seri të gjatë rezultatesh pozitive dhe ajo ishte një disfatë e rëndë, me shifra që historia e këtij klubi nuk e meriton dhe kur unë jam në një klub, zemra ime është me tifozët dhe u ndjeva shumë keq për ta. E vërteta është se unë nuk kam pasur kurrë njerëz të tillë.
Ne humbëm 4-0 dhe ata nuk reshtën së na mbështeturi. Stadiumi ishte plot, me tifozë të vërtetë dhe duket se dashuria që këta njerëz kanë për klubin është më e madhe sesa rezultatet e këqija, më e madhe se tre sezonet e dobëta. Tani u jemi borxhlinj dhe duhet t’u kthejmë diçka pas. Lojtarët dhanë gjithçka dhe treguan se luftuan për ta”, u shpreh Murinjo.
Ish-trajneri i kombëtares së Spanjës, Vicente del Boske, duket se mbështet Jose Murinjon pas përplasjes së këtij të fundit me Antonio Konten. Pas disfatës që Mançester Junajtid pësoi me shifrat 4-0 përballë Çelsit, trajneri portugez kritikoi kolegun e tij italian se e kishte tepruar me festimet e golit të fundit të shënuar nga Kante.
Del Boske kishte përjetuar festime të tilla në ndeshjen e tij të fundit në stolin e Spanjës, pas eliminimit nga Italia e Kontes gjatë Euro 2016. Ndaj sipas tij, trajnerët duhej të ishin më të përmbajtur. “Ndonjëherë duhet të jesh më i përmbajtur kur feston fitoret. Edhe unë u ndjeva keq kur luajtëm me Italinë. Unë nuk them që të mos shfaqësh gëzim. Nuk është e thënë të jesh aq i mërzitshëm sa jam unë, por duhet të jesh i moderuar edhe me mënyrën se si shpreh lumturinë. Nuk është se dal plotësisht në mbrojtje të Murinjos, por ai kishte të drejtë deri diku”, tha Del Boske, i cili në Europian pa se si stoli i Italisë, përfshirë edhe Konten, vrapoi për të përqafuar Graciano Pele pasi ai i shënoi Spanjës golin e dytë.

Artikulli paraprakDisiplina spanjolle: Lojtarët e Barcelonës, simulues!
Artikulli tjetërKritikët më bëjnë të suksesshëm!