Përhapeni lajmin, ndryshimi po vjen

Lulzim Basha në mitingun përmbyllës të fushatës në Gjirokastër: Nisuni menjëherë pas këtij takimi, shkoni derë më derë dhe jepni lajmin se ndryshimi po vjen. Ekonomi e fortë, e nesërme e sigurtë me numrin 6. Nisuni menjëherë pas këtij takimi, u tha Lulzim Basha mbështetësve të tij në Gjirokastër, dhe shkoni derë më derë e jepni lajmin se ndryshimi po vjen.
Në mitingun mbyllës të fushatës në Gjirokastër, Lulzim Basha u tha qytetarëve se ai është gati ta marrë drejtimin e vendit, është punë e vështirë, por ai do të punojë çdo ditë për qytetarët, për interesat e tyre.
“Bashkohuni me këtë lëvizje qytetare dhe popullore. Shkoni dhe takoni 1, 2, 5 qytetarë të tjerë. Ju shpjegoni planin tonë ekonomik. Të vetmin plan në këto zgjedhje, me taksa të ulëta, uljen e TVSH-së, subvencionet për fermerët, stazhet e paguara për 10 mijë të rinj”.
Basha tha se vota për numrin 6 është vota për të rritur ekonominë e shqiptarëve. Taksa të ulëta, rritje të punësimit, para në dorë për fermerët, stazhe për të rinjtë, ndihmë për shtresat në nevojë, shkolla me kushte për fëmijët.
“Dua t’u them atyre që ende nuk e kanë ndarë mendjen këtë javë të fundit se ndryshimi themelor mes asaj që premton Edi Rama dhe asaj që përfaqësoj unë është ky: Edi Rama nuk i mbajti premtimet sepse nuk kishte kurrë prioritet mbajtjen e premtimeve. Nuk kishte as plan për t’i mbajtur premtimet. E tani vjen përsëri me premtime të tjera, të cilat po kështu nuk do t’i mbajë sepse i vetmi qëllim i tij është timoni. Unë nuk vij me premtime, por me një plan që ka për qëllim të nxjerrë ekonominë nga kriza, të krijojë vende pune përmes uljes së TVSH-së, përmes uljes së taksave dhe përmes investimit të parave jo në palma dhe në fasada, jo në zyra dhe makina luksi, jo në udhëtime të zyrtarëve dhe tendera e koncesione korruptive, por në rritje pensionesh, në paga më të mira, në mbështetje për studentët, në shkolla dinjitoze për fëmijët shqiptarë me drekën e paguar nga Republika e re. Ky është ndryshimi: ai do timonin për vete, unë do të rregulloj motorin që është ekonomia e fortë pa të cilën nuk mund të ketë të nesërme të sigurtë”, tha Basha.

Rama ushqeu një grup oligarkësh

Lulzim Basha ishte me qytetarët e Korçës në një bashkëbisedim ku u shpjegoi konkretisht planin e tij ekonomik që do të sjellë më shumë para në xhepat e shqiptarëve, do të rrisë konsumin, do të rrisë prodhimin në vend, do të hapë vende të reja pune. Gjithashtu, u foli të rinjve, për projektin e 10 mijë stazheve me pagesë për të sapodiplomuarit më të mirë.
“Ka një dallgë të madhe shprese dhe besimi te një Republikë e re që po vjen, e cila ka prioritet kryesor ekonominë tuaj, motorin dhe jo timonin, që është prioriteti im numër një. Me një plan konkret të besueshëm dhe të zbatueshëm prej ditës së parë. Me uljen e TVSH-së, me taksën e sheshtë 9%, me zerimin e dividentit, me taksën maksimale 1.5% të xhiros vjetore përfshirë edhe ato lokale e qendrore për biznesin e vogël, me pullën fiskale që njëherë e mirë do t’i nxjerrë jashtë taksidarët që i bien sot në qafë biznesit të vogël dhe e terrorizojnë atë. Klima pozitive e besimit do të ndezë motorin e ekonomisë shqiptare. Komponentët e këtij plani funksionojnë bashkë dhe i tillë edhe plani për stazhet e punës. 10 mijë stazhe pune në vit, të paguara me 200 mijë lekë në muaj për çdo të ri, të cilët aplikojnë dhe fitojnë në bazë të meritës dhe rezultatit në universitet”, u shpreh Basha.
Kryetari i opozitës u shpreh se ky plan funksionon në Amerikë, në Gjermani dhe do të funksionojë edhe në Shqipëri.
“Isha në Amerikë këtë javë dhe takova Presidentin Trump, takim i jashtëzakonshëm dhe kjo ishte java e zhvillimit të fuqisë punëtore. Çfarë po bënte administrata e Presidentit Trump?! Po financonte stazhet për studentët, po ulte tarifat dhe po e bënte më të mundshme për studentët amerikanë të ndiqnin shkollën e lartë. Po ndihmonte biznesin e vogël, po ulte taksat në tërësi dhe po krijonte një klimë më miqësore për investimet. Kjo është mënyra se si rritet ekonomia. Unë nuk kam premtime, kam një plan ekonomik dhe pika e parë është ulja e taksave që do të fuqizojë ekonominë dhe hapjen e vendeve të punës”, tha Basha.
Lulzim Basha ka theksuar dhe një herë se Edi Rama është përgjegjës për gjendjen e vendit sot dhe për mosmbajtjen e premtimeve.
“Kudo po shkoj në Shqipëri njerëzit thotë që Edi Rama po kthehet si para 4 vitesh dhe prapë me premtime. Bëri premtime dhe nuk i mbajti premtimet sepse nuk kishte prioritet ekonominë. Tani prapë po bën premtime. Por në vend të një plani ekonomik ka vetëm premtime të pambajtura. Nuk ka pasur prioritet hallet tuaja, por punët e miqve të tij. Vjen dhe u thotë që Luli do u ushqejë fëmijët. Jo absolutisht. Unë ushqej fëmijët e mi, por Republika është e të gjithëve dhe ka dy zgjidhje, të ushqejë një grusht oligarkësh me palma, pllaka dhe kullat si kjo e Korçës apo të ushqejë fëmijët e shqiptarëve në shkollat publike. Për mua qartësisht është e dyta”, u shpreh Lulzim Basha.

Artikulli paraprakRindërtimi i Sheshit Skënderbej ka rritur apo ka ulur ndotjen e ajrit?
Artikulli tjetërRishfaqet Ngjela: Kush është kundër Amerikës