Ulje drastike e pagave në Shqipëri, më të prekur sektorët financiarë dhe ato të argëtimit

Në disa sektorë pagat shënuan ulje të forta gjatë dhe pas periudhës së pandemisë në raport me të tjerat.

INSTAT ka verifikuar se, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020 pagat bruto shënuan rënie me 11 për qind në aktivitetet financiare dhe ato të sigurimit në raport me fundin e vitit 2019, para se të niste pandemia.

Më gjithë uljen, punonjësit ne aktivitetet financiare kryesisht në banka dhe në kompanitë e sigurimit marrin pagat më të larta në raport me sektorët e tjerë.

Gjatë tremujorit të tretë 2020, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 93,6 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkim është 36,6 % më e ulët.

Rënia e pagave ishte e fortë edhe për sektorin e argëtimit, me rreth 5.8 për qind në raport me përpara pandemisë. Aktivitetet e argëtimit ishin më të goditurat nga masat kufizuese të pandemisë, pasi shumica e bizneseve në këtë fushë janë nënshtruar kufizimeve edhe pas hapjes së ekonomisë.

Në tremujorin e tretë 2020 pagat shënuan rënie edhe në sektorin e bujqësisë dhe argëtimit me 4.6 dh 4 për qind në krahasim me fundin e 2019.

Rritja e pagave pas pandemisë ka ndodhur vetëm për punonjësit e administratës publike me 1.6% dhe për aktivitet e pasurive të paluajtshme me 0.2%.

Nivelet e pagave që INSTAT referon në çdo tremujor merren në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga listëpagesat që deklarojnë bizneset për efekt të sigurimeve shoqërore. Jo gjithmonë këto paga përkojnë me realitetin për shkak të informalitet të lartë në deklarimet e pagave për efekte tatimore. Ky informalitet kalon 30 për qind në disa sektorë.

Kriza aktuale e pandemisë COVID-19 dhe mbyllja ekonomike për shkak të masave sanitare kanë çuar në një rritje të numrit të punëtorëve që mungojnë në punë, teksa një numër i madh vendesh pune janë mbyllur si në Shqipëri dhe në Europë.

Eurostat ka përllogaritur se të ardhurat mesatare nga punësimi në BE-së kanë rënë me -5.2% në 2020 krahasuar me 2019.

Ndikimi i krizës është veçanërisht i fortë për nën-grupet më të prekshme të popullsisë që punojnë me pagë të ulët.

Artikulli paraprakAlarmi i FMN: Shqipëria në gjendjen më kritike krahasuar me vendet e rajonit
Artikulli tjetërMeta në mbrojtje të detit: Nuk do lejoj cënimin e interesave kombëtare nga çdo individ që…