UEFA, Hysaj në formacionin ideal

Elseid Hysaj në Formacionin Ideal të UEFA-s për të rinjtë në Serinë A. Vlerësimi për mbrojtësin shqiptar që shkëlqeu gjatë këtij sezoni me Napolin erdhi nga redaksia italiane e “UEFA.com”. Me mbylljen e kampionatit, u përzgjodhën 11 lojtarët më të mirë deri në moshën 22 vjeç. Elementë që u shndërruan në protagonistë gjatë sezonit 2015/16. Duke nisur nga porta, ku Gianluigi Donnarumma u shndërrua në titullar të padiskutueshëm te Milani, prej debutimit në moshën 16 vjeç e tetë muaj.
Elseid Hysaj u rreshtua në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku pas shpërthimit me Empolin një vit më parë, tashmë u ngrit në nivelin e yjeve europianë te Napoli i Maurizio Sarri. Faqja zyrtare e UEFA-s theksonte se napolitanët e mbyllën Serinë A në vendin e dytë falë sulmit të jashtëzakonshëm, por mbrojtja dha mjaft garanci dhe një prej protagonistëve ishte mbrojtësi kuqezi, i cili humbi vetëm një nga 36 javët e kampionatit.
Shqiptari rreshtohej në mbrojtje përkrah Romagnoli-t të Milanit, Rugani-t të Juventusit dhe marokenit Masina të Bologna-s. Në formacionin më të mirë spikasnin edhe Bernardeschi i Fiorentinës në mesfushë, sulmuesi i Sassuolo-s, Berardi apo debutuesi i Torinos, Belotti. Për Hysaj-n, përfshirja në skuadrën ideale të Serisë A për të rinjtë, duket vetëm vlerësimi i parë për një sezon fantastik, pasi lojtari i lindur në Shkodër është cilësuar gjërësisht gjatë gjithë sezonit si mbrojtësi më i mirë i djathtë i Serisë A italiane.

Artikulli paraprakBiznesi në depresion, Shoqata e Tregtarëve: Të ulen taksat vendore
Artikulli tjetërHyka në superformë, tjetër gol te Luzerna