U-19, Bogdani: Japim maksimumin

Kombëtarja e 19-vjeçarëve është gati të nisë rrugëtimin e gjatë eliminator të Europianit, që do të zhvillohet në Finlandë. Të mërkurën, kuqezinjtë sfidojnë Ukrainën në një test shumë të rëndësishëm ndaj skuadrës favorite të grupit dhe fillimisht në konferencën e shtypit, trajneri Erjon Bogdani prezanton objektivat dhe bën një bilanc të prurjeve të tij në këtë skuadër.
“Objektivi im si trajner është që të sjell sa më shumë lojtarë në U-21 dhe tek kombëtarja. Ekipi është shumë mirë, ka fituar një trofe në Itali. Kemi zhvilluar dy ndeshje të mira me Gjeorgjinë. Rezultatet pozitive që kemi marrë na inkurajojnë. Këto tri ndeshje do t’i përballojmë në mënyrën më të mirë. Pas tyre do të shohim ku jemi. Për një vit kam parë 70 futbollistë, sigurisht ka shumë që s’i kam parë. Detyra ime është t’i shoh të gjithë dhe të afroj më të mirët. Dua të bëj sa më mirë për këtë ekip. Dera e kombëtares është e hapur për të gjithë”, u shpreh Bogdani.
Në vijim ai përqendrohet te ndeshja e parë eliminatore që do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” kundër Ukrainës duke e pranuar se do të ketë përballë një kundërshtar të fortë, por jo të pakalueshëm.
“Të tre ekipet nuk i kemi frikë. Luajmë dy ndeshje në Tiranë, publiku do të na mbështesë. Nëse ata kanë topin ne duhet të mbrojmë, kur ne ta kemi topin normalisht do të jemi ne ata që do të sulmojmë. Nuk dua t’i ngarkoj çunat. Kam studiuar Ukrainën. Kanë marrë pjesë në Kampionatin Europian. Janë ekipe të forta, ne kemi ambiciet tona. Nëse ne japim maksimumin do të arrijmë rezultat të mirë”, tha ai.
Gjithashtu, bashkëpunimi me trajnerin e kombëtares së parë do të jetë një nga pikat kryesore të projektit të Bogdanit, i cili shton se synon të ketë marrëdhënie sa më të ngushta me Christian Panuccin për të ndihmuar në qëllimin e përbashkët.
“Kemi diskutuar me trajnerin U-21 dhe Panuccin. Do të bashkohemi do të krijojmë një ide siç po luan U-21 apo kombëtarja. Ukraina ka një ekip të mirë, janë rritur bashkë nga U-15 deri te U-19. Dinë se si të luajnë me njëri-tjetrin. Ne do t’i krijojmë vështirësi. Kemi pasur një dëmtim të vogël siç është e mbrojtësit Pjetri. Për mua të gjithë lojtarët janë të barabartë. Rregullat i bën UEFA jo unë. UEFA ka bërë të mundur grumbullin e vetëm 20 vetave. S’ka rëndësi kush luan nga ne, pasi do të kemi shumë ndeshje”, u shpreh ai.

Artikulli paraprak“Përmbyset” De Biasi
Artikulli tjetërKatalonja dhe absurditeti i krahasimit me Kosovën e Himarën