Turqia në telashe, a është Ataturku ilaçi?

Todd G. Buchholz

Turqia është në telashe. Sulmet vrastare të së martës në aeroportin e Stambollit lanë 41 të vdekur dhe treguan se armiqtë e betuar e shoqërisë civile turke po komplotojnë nga brenda. Përgjatë kufijve, ju mund të gjeni ISIS, al Qaeda dhe ushtri siriane, të gjithë armiq. Brenda kufijve të saj, Turqia ndjehet e copëzuar, me Presidentin Recep Tayyip që po shtyp separatistët e dhunshëm kurdë, ashtu si edhe gjykatësit jo të dhunshëm që po vënë në pikëpyetje autoritetin e gjerë të tij dhe kritikojnë hapat që ka ndërmarrë për ta kthyer sërisht islamin në sheshin publik dikur laik. Muajin e kaluar, rebelët hodhën në erë një stacion policie në Stamboll, policia e tij bastisi zyrat e gazetës më të madhe (Zaman) dhe shkarkoi Kryeministrin e tij. Ai i quajti gratë që punonin në vend që të rrisnin fëmijët dhe të bënin punë në shtëpi si “gjysmënjerëz”. Një pesimist mund të thotë se situata është e pamundur, se turqit dhe udhëheqësit e tyre thjesht nuk kanë dëshirën, shtytjen apo talentin për t’u bërë bashkë në një shoqëri më civile. Por pesimistë të tillë harrojnë se, sfidat u tejkaluan pothuajse 90 vite më parë nga Kemal Ataturku, babai i Republikës Turke, emrin e të cilit mban aeroporti i Stambollit. Për shkak se, Ataturku qe një laik i devotshëm dhe Erdogani është një mysliman i devotshëm, është e vështirë për Erdoganin që të lavdërojë dhe të marrë mësime nga babai themelues i Turqisë, por ai duhet ta bëjë një gjë të tillë.
Dikur e madhërishme nën Sulejmanin e Madhërishëm, nga fundi i shekullit të XX-të Perandoria Osmane dukej e shpërbërë dhe e zvogëluar. Ajo po humbiste territor dhe çdo ndjenjë shprese. Serbia, Bullgaria, Moldavia, Mali i Zi dhe pjesë të Turqisë qenë shkëputur. E mbushur me refugjatë, Perandoria kishte “rënë në një gjendje kalbëzimi”, tha Cari Nikolla i Rusisë. Komenti i Nikollës u përkthye si i “sëmuri i Europës”, një damkë që qysh atëhere ka udhëtuar nëpër Europë si një autobus turesh, duke u ndalur në Angli gjatë viteve Shtatëdhjetë dhe më së fundmi në Portugali dhe Greqi.
Perandoria Osmane ra teksa Lufta e Parë Botërore po përfundonte, e shqyer nga diplomatët britanikë dhe francezë që u përplasën për çështje serioze dhe joserioze, përfshi faktin se kush duhej të rregullonte shtëpitë publike. Në shkurt të vitit 1919, komandanti francez Gjeneral Louis Franchet d’Esperey hyri triumfalisht në Kostandinopojë mbi një kalë të bardhë. Ironia i mbeti, pasi Gjenerali britanik Edward Allenby kish arritur tashmë mbi kalin e tij të bardhë një ditë më parë. Një oficer britanik shfryu se ishte “sikur të kishe dy primadona bashkë në një skenë dhe akti ecte shumë më mirë sikur ta mbanim njërën në dhomën e saj të zhveshjes”.
Midis kaosit dhe poshtërimit, një reporter 23-vjeçar për kanadezen Toronto Star paralajmëroi për një masakër të “madhe”. Emri i ishte Ernest Hemingway. Ai përshkruante një “tension elektrik të fortë në Konstandinopojë të tillë që njerëzit që jetojnë në një pushtet të papushtuar ndonjëherë nuk mund ta imagjinojnë”. A mund të shndërroheshin mbeturinat e sakatuara të osmanëve të ktheheshin në republikë? Dukej qesharake. Perandoria qe sunduar nga sulltanë dhe vezirë pa asnjë besnikëri kombëtare. Nën mbikëqyrjen e Sulltanit, i cili shërbente njëkohësisht edhe si Kalif, Perandoria kishte kërkuar të mbronte islamin, jo të ngrinte ndonjë komb të veçantë. Nacionalizmi qe një simbol pagan dhe flamuri i një kombi nuk ishte më mirë se një imazh i errët i ndaluar nga shkrimet e shenjta.
Ataturku hartoi një plan të guximshëm për të ndërtuar një Republikë Turke të re nga gërmadhat. Brenda një periudhe të shkurtër kohe, ai përmbysi Kalifin, i dha të drejtën e votës grave dhe mbrojti geit, ndërkohë që krijonte një patriotizëm të ri turk. Ai qe një prej udhëheqësve më kurajozë që kam njohur ndonjëherë. Libri shkollor AP World History prej 925 faqesh i vajzës time ka vetëm disa fjali për Ataturkun, pothuajse njëlloj me ato që i jep “Evita” Peron, që ju tregon se sa shumë Andrew Lloyd Weber dhe Madonna mund të influencojnë historianët seriozë.
Ataturku kishte fituar rangun e Gjeneralit dhe mbante armë. Por pasi mori pushtetin në vitin 1923, ai e sundoi Turqinë kryesisht si një njeri që mbante pëllumb. Megjithëse ushtria e tij kishte ende fuqinë e zjarrit për ta mundur Greqinë, ai nuk u përpoq kurrë ta rimerrte Selanikun, vendlindjen e tij; As nuk e shfrytëzoi revoltën kundër pushtuesve italianë të Libisë apo turbullirat politike anembanë Arabisë si një pretekst për të dërguar ushtrinë e tij që të kapte puset e naftës dhe të rivendoste Perandorinë. Imperializmi kishte mbaruar. Kjo, mendoj unë, është një prej arritjeve më të rëndësishme në historinë politike gjatë 200 viteve të fundit: Ataturku do të drejtonte një vend të mbështetur mbi nacionalizmin, por ky vend nuk do të kthehej në një pushtues imperialist, as për fqinjët më të dobët të tij. Kritikët e nacionalizmit presupozojnë se ndjenja të tilla përkthehen gjithmonë në fqinj të plaçkitur. Por Ataturku na jep shpresë se mund të ringjallim morali pa i lëshuar qentë e tërbuar të luftës.
Ataturku e dinte se sfidat më të mëdha të tij qenë në vend. Turqit qenë mësuar të turpëroheshin nga vetë emri i tyre, turk, që kishte një kontacion nomad. Përqindjet e alfabetizmit qenë të frikshme, rreth 10 për qind për burrat dhe më pak se 5 për qind për gratë. Pothuajse menjëherë Ataturk nisi të lavdërojë publikisht shkencën, të hapë universitete dhe të inkurajojë vajzat që të arsimoheshin: “Populli im do të mësojë parimet e demokracisë, urdhërimet e së vërtetës dhe mësimet e shkencës”, tha ai.
Ai ftoi kompozitorë perëndimorë që të luanin në vend, tallte perçet e islamit fondamentalist dhe bile futi një alphabet tërësisht të ri, të cilin besonte se do të rriste përqindjet e njerëzve që dinin shkrim e këndim. Në vend të germave arabike, fëmijët do ta mësonin gjuhën turke me germa latine (perëndimore), që do të lejonte më me lehtësi përdorimin e zanoreve të shumëfishta në gjuhën turke. Në vend që t’i quante shkronjat “latine”, ai i përshkruante ato si “turke” dhe u bënë një symbol patriotizmi. Ataturku shpërndau personalisht tabela të zeza anembanë vendit dhe ju bashkua luftës kundër analfabetizmit. Përqindjet e alfabetizmit u dyfishuan nga 1923 në 1938 (Erdogani ka ndërmarrë një hap prapa dhe po përpiqet të ringjallë gjuhën e vjetër osmane).
Megjithëse kishte krijuar një alphabet të ri, Ataturku sërish kishte nevojë të ripërcaktonte të tashmen e vetë fjalës turk. Ai përdori shprehjen “një turk i mirë”. Një turk i mirë duhet të ishte krenar, punëtor i palodhur dhe me besim në vetvete. Cinikët do të thonin se ajo tingëllonte si një premtim prej boiskautësh, por simbolet dhe fjalët kanë rëndësi. “Një turk i mirë” mund t’i thuhej si një tullabërësi, ashtu edhe një artisti. Një turk i mirë duhet të mësonte të luante muzikë me disiplinë apo të fillonte punën në kohë për përgatitjen e tullave. Ataturku u tha bashkatdhetarëve të vet se fjala turk vjen nga turka, që do të thotë i fortë. Në filmin tërheqës “Midnight Express”, që me të drejtë përçmohet nga çdo njeri që ka lidhje me një kompani turke udhëtimesh, amerikani i burgosur e kalon ditën duke ecur në kahje orare përreth një rrote të madhe të gurtë bashkë me të burgosurit e tjerë, shumica prej të cilëve konfuzë apo të roitur. Një ditë, amerikani vendos të rebelohet. Ai fillon të ecë në kahje antiorare. Të tjerët përpiqen ta bindin atë ose ta shtyjnë në drejtimin e duhur. Njëri prej tyre, duke u orvatur që të jetë i dobishëm, e kap nga bluza dhe i thotë: “Një turk i mirë ecën gjithmonë siç duhet”. Problem këtu nuk është drejtimi apo burgu i vështirë. Problem është se edhe një i burgosur mendoj se duhet të aspirojë të jetë një “turk i mirë”.
Por a mund të funksionojë një gjë e tillë? A mundet një shkencë perëndimore dhe një pseudoshkencë nacionaliste turke ta bëjnë mjaftueshëm bashkë një komb? Ekonomia rezistoi mjaft mirë aq sa Turqia nuk u zhyt në hiperinflacionin e Veimarit në vitet Njëzet apo në Depresionin e Madh gjymtues që shkaktoi fashizmin në vitet Tridhjetë. Turqia performoi më mirë se humbësit e tjerë nga Lufta e Parë Botërore dhe shmangu fashizmin, komunizmin, shpërbërjen dhe asgjësimin. Secila prej këtyre katër katastrofave qe një mundësi reale.
Ataturku adhurohej më së shumti nga populli i tij dhe lavdërohej nga udhëheqësit e huaj. Kritikët thonin se ishte diktator dhe shpesh ishte i tillë. Demokracia shumëpartiake nuk erdhi deri shumë kohë pas largimit të Ataturkut. Ai nuk e pranonte dilemën e kurdëve dhe të armenëve. Por cili individ, komision apo grup do të kishte bërë më mirë? Kohët e fundit po bisedoja me një shkencëtar politik turk, i cili më tha se Ataturku “eci shumë shpejt” me reformat e tij dhe duhet t’i kishte përhapur ato në një periudhë të gjatë kohe. Nuk jam i bindur për këtë. Nëqoftëse Republika turke do të kishte filluar me formimin e komiteteve dhe të nënkomiteteve për të përcaktuar nëse gratë duhet të kenë apo jo të drejta të barabarta apo nëse shkenca laike duhet të mësohej apo jo nëpër shkolla, atëhere këto mbledhje ndoshta mund të mos kishin përfunduar akoma.
Në shumë aspekte, Ataturk ishte ekstremist, por një ekstremist në arritjen e çfarë? Më kujtohet prononcimi kontradiktor i Barry Goldwater se “ekstremizmi në mbrojtje të lirisë nuk është ves! Dhe… moderimi në arritjen e drejtësisë nuk është virtyt”. Ataturku nuk ishte engjëll dhe motivet e tij mund të ishin të infektuara nga egoizmi. Megjithatë, ai arriti që të shtyjë një perandori shumëgjuhëshe të mundur drejt qytetërimit dhe njëkohësisht të rivendosë krenarinë e saj. Kjo krenari nuk do të bazohej në vullnetin e Parajsës, por në punën e rëndë të burrave dhe grave. Është puna e madhe dhe një ndjenjë e përbashkët historie dhe komuniteti që përcaktojnë patriotizmin, jo bombat dhe fishekët e qëlluara përgjatë kufijve. Nuk është shumë vonë për turqit që ta rinovojnë vendin e tyre, por Erdogani duhet t’u kushtojë vëmendje disa mësimeve nga njeriu kujtimin e të cilit ai do të donte që bashkëkombasit e tij ta harronin.

(Todd G. Buchholz, një ish-drejtor i Politikave Ekonomike të Shtëpisë së Bardhë nën Presidentin George H.W. Bush dhe fitues i kaluar i Çmimit Mësimor Vjetor të Harvard University në Ekonomi, është autor i librit të sapobotuar “The Price of Prosperity: Why Rich Nations Fail and How to Renew Them”, shtëpia botuese HarperCollins, 2016)

Artikulli paraprakColeman: Një ëndërr e bërë realitet
Artikulli tjetërKlinsman trajneri i Anglisë?