Turnbull: Presidenti Trump do t’i përmbahet marrëveshjes

Pas njoftimeve për një bisedë telefonike të tensionuar mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Australisë, dje kryeministri australian Malcolm Turnbull tha se zoti Trump është zotuar t’i përmbahet marrëveshjes për të risistemuar një grup refugjatësh që u kapën ndërsa përpiqeshin të futeshin në Australi.
Marrëveshja u arrit gjatë administratës së Presidentit Barak Obama. Presidenti ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv për të pezulluar pranimin e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara, por urdhri përfshin një klauzolë për përjashtime në rastet kur “me pranimin e personave të caktuar Shtetet e Bashkuara përmbushin detyrimet ndaj një marrëveshjeje ekzistuese ndërkombëtare”.
Gazeta “Ëashington Post” njoftoi se zoti Trump i kishte thënë kryeministrit australian se “kjo ishte marrëveshja më e keqe e arritur ndonjëherë” dhe se Australia po përpiqej të eksportonte “sulmuesit e ardhshëm të Bostonit”, duke iu referuar sulmit terrorist gjatë Maratonës së Bostonit.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se një grup prej 1200 refugjatësh, pjesa më e madhe e tyre nga Afganistani, Iraku dhe Irani, do t’u nënshtroheshin një kontrolli të imtësishëm para se të pranoheshin në Shtetet e Bashkuara. Zoti Trump e kritikoi marrëveshjen edhe përmes një komenti në Tëitter, të postuar të mërkurën.
“A ju besohet? Administrata Obama pat rënë dakord të pranonte mijëra imigrantë të paligjshëm nga Australia. Përse? Do ta studioj këtë akord trashaman!”.
Pak pas këtij komenti, zoti Turnbull i tha radios “2BG” se, zoti Trump kishte rënë dakord ta zbatonte marrëveshjen.
“Ai u zotua të respektonte marrëveshjen e arritur nga paraardhësi i tij. Nuk diskutohet që ai thotë se nuk do ta kishte bërë vetë këtë marrëveshje, por është zotuar ta respektojë marrëveshjen që ka nënshkruar zoti Obama”, tha kryeministri australian, Malcolm Turnbull.
Ai shtoi se marrëveshja përfshin një “kontroll të imtësishëm të së kaluarës së refugjatëve nga sistemi amerikan i sigurisë”.
Zoti Turnbull nuk pranoi të jepte hollësi pas njoftimeve për ton armiqësor në bisedën me zotin Trump, duke thënë se administrata e tij nuk do të bënte komente publike.
“Amerika është aleatja jonë më e rëndësishme. Ne zhvillojmë diskutime të sinqerta me aleaten tonë”, tha zoti Turnbull.

Ndalim, pezullim apo kufizim?
Shumë polemika kanë plasur ditët e fundit, në përpjekje për të zbërthyer direktivën e administratës Trump për të pezulluar futjen e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara dhe nëse kjo direktivë përbën urdhër për ndalimin e hyrjes së një grupi të caktuar. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer i ka përdorur të dy termat, edhe ndalim edhe pezullim, për të përshkruar efektin e urdhrit, por të martën ai këmbënguli se nuk bëhet fjalë për ndalim dhe fajësoi median se e kishte përhapur këtë term.
“Nuk bëhet fjalë për ndalimin e hyrjes së myslimanëve. Nuk bëhet fjalë për ndalim udhëtimesh”, tha zëdhënësi Spicer në komentet për shtyp. “Bëhet fjalë për një sistem vetingu, për të garantuar sigurinë e Amerikës”.
Kur iu drejtua pyetja për të komentuar për një postim të Presidentit Trump në Tëitter të hënën, kur ai përdorte termin “ndalim”, zëdhënësi Spicer u përgjigj se presidenti po përdorte termin që kishte përdorur media dhe më pas përmendi numrin e myslimanëve që kanë aktualisht të drejtë të futen në SHBA.
“Nuk ka si të jetë ndalim nëse lejohen një milion vetë të futen. Nëse 325 mijë vetë nga një vend tjetër kanë të drejtën të vijnë, nuk ka si të flitet për ndalim. Bëhet fjalë për kontroll ekstrem të aplikantëve”, tha zoti Spicer.
Të mërkurën në mëngjes, përmes një komenti në Tëitter, zoti Trump iu drejtua medias me fjalët “quajeni çfarë të doni”.

Artikulli paraprakUkrainë, dy ushtarë të vrarë në pjesën lindore
Artikulli tjetërSHBA dhe Meksika mohojnë njoftimet për dërgim trupash