Trump riposton një lajm të bazuar në burime anonime të zbulimit

Presidenti amerikan Donald Trump, ka sulmuar ata që rrjedhin dokumente të zbulimit nga Shtëpia e Bardhë, por të martën ishte ai që u dërgoi një lajm miliona ndjekësve në llogarinë e tij në median sociale, rreth raketave të Koresë së Veriut, që bazohej në burime anonime amerikane të zbulimit. Duke dashur të theksojë rreziqet që paraqesin provat me raketa të Koresë së Veriut dhe programi i saj i armëve bërthamore, zoti Trump përdori llogarinë e tij në Twitter për të ripostuar një lajm të rrjetit “Fox News”. Sipas lajmit, disa ditë më parë agjencitë amerikane të spiunazhit kishin zbuluar se, Pheniani kishte ngarkuar në një anije patrullimi dy raketa kundër anijeve. “Fox” citonte për lajmin “zyrtarë në dijeni të informacioneve më të fundit të zbulimit në rajon”, ndonëse nuk dihej nëse informacioni ishte klasifikuar si sekret. Sipas rrjetit “Fox News” lidhur me lajmin po citohej “një zyrtar që kërkoi t’i ruhej anonimiteti, pasi fjala ishte për informacione të ndjeshme”. Shtëpia e Bardhë nuk komentoi se përse zoti Trump e ripostoi në Twitter lajmin e shfaqur në programin “Fox & Friends”, të cilën ai e ndjek shpesh në mëngjes herët. Që në ditët e para të tij në Shtëpinë e Bardhë Presidenti Trump është ankuar shpesh për rrjedhjet e informacionit të klasifikuar nga agjencitë qeveritare, veçanërisht për lajmet që bazohen në informacion që ka rrjedhur dhe që ka hedhur hije mbi administratën e tij. Ai ka kërkuar që ata që e nxjerrin informacionin “të gjenden dhe ndiqen penalisht”. Muajin e kaluar zoti Trump kritikoi prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions, si “shumë të dobët” lidhur me “rrjedhjen në media të informacionit të zbulimit”. Por kur javën e kaluar Prokurori i Përgjithshëm njoftoi se, Departamenti i Drejtësisë kishte rritur numrin e hetimeve lidhur me këtë çështje, Presidenti Trump shkroi në Twitter: “pas shumë vitesh rrjedhje të informacionit në Uashington është mirë të shohësh Prokurorin e Përgjithshëm të ndërmarrë veprime. Sa më të ashpër, aq më mirë”, shkruante ai.

Artikulli paraprakGreqia vendi me tatimet më të larta në Europë
Artikulli tjetërKërcënime reciproke ndërmjet SHBA-ve dhe Koresë Veriore