Trump: Përparim i mundshëm për Korenë e Veriut

Presidenti Donald Trump foli sot për një “progres të mundshëm” pas njoftimit të Koresë së Jugut, se Veriu ka rënë dakord të ndalë provat me armë bërthamore dhe raketa balistike nëse zhvillon bisedime me SHBA për çnuklearizimin e gadishullit korean. Por, Presidenti amerikan tha gjithashtu se, kjo mund të jetë një “shpresë e rreme”. Presidenti Trump i bëri komentet në Twitter si përgjigje ndaj një serie njoftimesh të Koresë së Jugut pas kthimit në atdhe të emisarëve të saj nga një vizitë e pazakontë në Korenë e Veriut. Koreja e Jugut njoftoi se kishte rënë dakord me Korenë e Veriut për të zhvilluar një takim të nivelit të lartë me Veriun në fund të prillit. “Për herë të parë në shumë vite, po bëhet një përpjekje serioze nga të gjitha palët e interesuara’,’ shkruante Presidenti Trump në Twitter. “Bota po vëzhgon dhe është në pritje. Mund të jetë shpresë e rreme, por SHBA janë të gatshme të veprojnë fort në cilindo drejtim”. Koreja e Jugut njoftoi sot se, Pheniani u kishte thënë të dërguarve të Seulit se, nuk ka arsye të posedojë armë bërthamore, nëse merr një garanci sigurie dhe se Veriu kishte premtuar të mos përdorte armë bërthamore dhe konvencionale kundër Koresë së Jugut. Dy Koretë kishin rënë dakord gjithashtu të vendosnin një “linjë të drejtpërdrejtë telefonike” mes udhëheqësve për të ulur tensionet ushtarake. Ndërkohë, Presidenti i Koresë së Jugut, Mun Jae-In, tha të martën se vendi i tij duhet të vazhdojë dialogun me Korenë e Veriut, duke theksuar në të njëjtën kohë se, Seuli duhet të jetë i përgatitur ndaj kërcënimeve bërthamore dhe atyre me raketa të Koresë së Veriut.

Zoti Moon i bëri komentet gjatë një ceremonie diplomimi në Akademinë Ushtarake të Koresë.
“Do të zhvilloj fuqimisht një qëndrim të përbashkët mbrojtës me SHBA dhe do të vazhdoj përpjekjet për të gjetur mbështetjen e plotë nga bashkësia ndërkombëtare dhe vendet fqinje për paqen në gadishullin Korean. Kam filluar një rrugë të gjatë drejt paqes dhe begatisë, me besimin se ato mund t’i arrijmë vetë”, tha zoti Moon. Është e paqartë se, çfarë diskutoi Kim Jong Un dhe kreu i delegacionit koreanojugor në një darkë dhe një takim të mëvonshëm. Por televizioni shtetëror i Koresë së Veriut tha më pas se, të dyja palët kishin arritur një marrëveshje për bisedime të tjera. “Udhëheqësi ynë suprem Kim Jong Un kishte dëgjuar synimin e Presidentit Moon Jae-in për një takim me të dërguarit e posaçëm të Koresë së Jugut. Ai shkëmbeu pikëpamje me ta dhe arritën një marrëveshje të kënaqshme. Udhëheqësi ynë suprem u dha udhëzime palëve përkatëse për të ndërmarrë shpejt hapa praktikë”, thotë kjo folëse e Koresë së Veriut. Të dërguarit e posaçëm të Koresë së Jugut pritet tani të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për të informuar zyrtarët amerikanë.

Artikulli paraprakGjykata franceze dënon Bielsa, do t’i paguajë 300 mijë euro klubit Lille
Artikulli tjetërShevchenko: Gattuso i ka kthyer identitetin Milanit