Trump parashikon rihapjen e ekonomisë në disa shtete

Presidenti Donald Trump tha dje se parashikon që disa pjesë të vendit të hapen në javët e adhshme. Ai foli në konferencën e përditshme për shtyp, ndërsa në disa shtete grupe protestuesish po kundërshtojnë urdhrat për të ndenjur në shtëpi dhe po kërkojnë hapjen e ekonomisë.

Presidenti Trump tha se në shumë shtete aftësitë për të testuar janë të mjaftueshme për të mundësuar rihapjen e ekonomisë.

“Në javët në vazhdim, mendoj se do të shihni ndërmarrjen e hapave shumë dramatike, por në mënyrë të sigurt. Vërtet mund të ketë hapje por me përparësi është siguria”, tha Trump.

Në shtete si Idaho, Miçigan, Teksas dhe Virxhinia qytetarët po protestojnë duke kërkuar rihapjen e ekonomisë. Presidenti u doli në mbrojtje atyre, duke nxitur në Twitter, përkrahësit e tij të “çlirojnë” tre shtete me guvernatorë demokratë.

“Këta njerëz po shprehin pikëpamjet e tyre. Ata më duken shumë të përgjegjshëm. Ata janë trajtuar ashpër”, tha Presidenti.

Një nga guvernatorët që ai vuri në shënjestër, ishte demokrati nga Virxhinia, pranë Uashingtonit, Ralph Northam.

“Unë dhe stafi im jemi në mes të një lufte biologjike. Nuk kam kohë të përfshihem në luftra në Twitter. Do të vazhdoj të bëj gjithçka për t’i mbajtur të sigurt qytetarët dhe për të shpëtuar jetë”, tha ai.

Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor për sëmundjet infektive tha se e kupton acarimin e njerëzve por se ai e sheh çështjen nga këndvështrimi i shëndetit publik.

“Por roli im kryesor është të bëj rekomandime për të mbrojtur shëndetin e dhe sigurinë e popullit amerikan. Dhe shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se kjo është arsyeja që po veprojmë në këtë mënyrë”, tha ai.

Disa shtete të drejtuara nga republikanët po i lehtësojnë masat që synojnë ndaljen e koronavirusit. Presidenti Trump paraqiti këtë javë një udhërrëfyes me tre faza për lehtësimin e kufizimeve, duke filluar me shtetet që kanë pasur rënie të rasteve me koronavirus./VOA

Artikulli paraprakSHBA 1.2 milionë USD ndihma për testim dhe gjurmim, Basha: Testimi e vetmja zgjidhje!
Artikulli tjetër“Jam vetëm, por pagova dhomë treshe 400 euro”, flasin qytetarët e kthyer nga Roma