Trump nuk bën shaka, sulmi që i paralajmëron të gjithë

Pas sulmit me raketa që ka urdhëruar gjatë natës, kundër një baze ajrore siriane në Shayrat, presidenti i SHBA i është drejtuar kombit me një fjalim, prej ku lexohet qartë ndryshimi i kursit në marrëdhëniet me Damaskun: “Të martën e kaluar, diktatori sirian Bashar al-Assad kreu një sulm të tmerrshëm me armë kimike, kundër civilëve të pafajshëm. Duke përdor një gaz vdekjeprurës, Assadi shkaktoi vdekjen e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm. Për shumë prej tyre, ishte një vdekje e ngadaltë dhe brutale. Edhe vogëlushë të mrekullueshëm u vranë mizorisht në këtë sulm barbar. Asnjë fëmijë nuk duhet të vuajë nga një tmerr i tillë. Këtë mbrëmje urdhërova një sulm ushtarak kundër një baze ajrore në Siri, prej ku nisi sulmi kimik. Është në interesin jetik të sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të parandalojë dhe mos lejojë përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike vdekjeprurëse”.
“Nuk mund të ketë asnjë dyshim, ka vazhduar Trumpi, se Siria ka përdorur armë kimike të ndaluara, duke shkelur detyrimet e saj ndaj konventës mbi armët kimike, si dhe ka injoruar udhëzimet e Këshillit të Sigurisë së OKB-së. Vite të tërë përpjekje për të ndryshuar sjelljen e Assadit kanë dështuar dhe kanë dështuar në mënyrë shumë dramatike. Si pasojë, kriza e refugjatëve vazhdon dhe rajoni është i destabilizuar, duke kërcënuar kështu SHBA dhe aleatët e vet. Këtë mbrëmje u bëj ftesë gjithë kombeve civile që të bashkohen me ne, në përpjekjen për t’i dhënë fund masakrës dhe gjakderdhjes në Siri, si dhe për t’i dhënë fund terrorizmit, të të gjithë llojeve”.
Trumpi duket se ka ndryshuar radikalisht mendim në lidhje me atë që, pak vite më parë në Twitter, e quante “marrëzi”: goditjen e regjimit të Damaskut. Ishte 5 shtatori 2013 kur ai shkruante: “Sërish, udhëheqësve tanë të marrë, u them mos sulmoni Sirinë. Nëse e bëni do të ndodhin shumë gjëra të shëmtuara dhe nga kjo luftë SHBA nuk do të fitojnë asgjë!”.
Edhe në atë kohë flitej për sulme kimike të Assadit, me Obamën që kërcënoi me ndërhyrje ushtarake kundër Damaskut, por që më pas hoqi dorë për shkak të presioneve të forta nga Rusia, e cila doli garante në ndërmjetësimin e krizës, si dhe duke u angazhuar për çarmatimin e arsenalit kimik të regjimit sirian.
Tani Trumpi ka ndryshuar mendje. Përse? Presidenti kërkon të lëshojë një sinjal të fortë: mjaft me dobësinë e Uashingtonit, atë të epokës Obama, nga e cila shumëkush ka përfituar deri sot. Amerika rikthehet protagoniste. Raketat kundër bazës ajrore siriane janë vetëm një paralajmërim. Trumpi nuk do të futet në një luftë dhe as nuk e ka ndërmend, pavarësisht dukjes, që të ndërpresë dialogun me Rusinë. Por duke përplasur grushtet në tryezë, po kërkon të përcjellë mesazhin se muzika ka ndryshuar. Asgjë nuk do të jetë si më parë. Dhe të gjithë, Kina, Rusia dhe Irani, janë të paralajmëruar.

Reagime pozitive pas sulmit të SHBA kundër ushtrisë siriane
Sulmi i ushtrisë amerikane kundër Sirisë gjen jehonë pozitive në disa vende. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault tha se, ky është paralajmërim ndaj një “regjimi kriminel”. Edhe Turqia e përshëndeti sulmin amerikan.
Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulus tha për televizionin “Fox”, se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i mbetet besnike qëndrimit të ashpër kundër “barbarizmit” të Assadit. Nga ana e saj qeveria britanike e përshëndeti sulmin si përgjigje ndaj “sulmit barbar me armë kimike”, tha zëdhënësi i kryeministres, Theresa May. Edhe Arabia Saudite e mbështeti sulmin amerikan, ndërsa Irani e dënoi atë.
Pak ditë pas sulmit me gaz toksik në Siri, ku humbën jetën 86 vetë, mes tyre mjaft fëmijë, ushtria amerikane sulmoi me raketa një aeroport të ushtrisë siriane. Presidenti Donald Trump tha se ai e ka urdhëruar sulmin. Kjo është hera e parë, që SHBA sulmon trupat qeveritare siriane, deri më tani sulmet e saj përqendroheshin në luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik. Sipas të dhënave siriane kanë humbur jetën 5 vetë dhe janë plagosur 7 të tjerë. Sulmi u krye nga bazat amerikane në Detin Mesdhe dhe konsiderohet si veprim unikal.
Ndërsa ministri sirian i Informacionit, Omran al-Subi është shprehur, se sulmet ishin “të kufizuara” dhe “të pritshme”. Ai tha se, nuk pret shkallëzimin e gjendjes.

Rusia e dënon sulmin amerikan
Nga baza ajrore e sulmuar, Al-Shairat duket se ka ardhur sulmi me armë kimike ndaj një qyteti të kontrolluar nga rebelët, Çan Shaiçun, tha Trump. Ai bëri fjalë për një akt në mbrojtje të interesave kombëtare. “U bëj thirrje të gjitha kombeve të civilizuara të na bashkohen ne”, tha Trump. Sipas të dhënave amerikane, Moska ishte njoftuar më parë për këtë sulm amerikan. Qeveria ruse ka paralajmëruar nga “pasojat negative” të sulmit amerikan kundër qeverisë siriane. “Presidenti Putin i sheh sulmet amerikane si agresion ndaj një vendi sovran e kundër së drejtës ndërkombëtare”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov në Moskë.
Sulmi amerikan ka shkaktuar rënien e bursave, rritjen e çmimit të naftës dhe rekordin e vitit në çmimin e arit. Ekonomia gjermane shprehet e shqetësuar, se sulme të tilla kanë pasoja të rënda për ekonominë. Deputeti gjerman i Të Majtës, Jan van Aken e kritikoi sulmin “si çmenduri” dhe se tani ka rrezik që gjendja të shkallëzohet.

Artikulli paraprakPetrit Vasili: Kjo qeveri ka humbur besimin e popullit
Artikulli tjetërPërballja vazhdon deri në fitoren e plotë