Trump: Luftë botërore terrorit nëse fitoj

Dy kandidatët kryesorë presidencialë në Shtetet e Bashkuara, reaguan të enjten ndaj sulmit terrorist në Francë, duke thënë se Amerika është në luftë me terroristët radikalë islamikë. Megjithatë përgjigjja e Hillary Clintonit, ishte shumë më e përmbajtur se ajo e Donald Trumpit.
Kandidati republikan, Trump tha se Shtetet e Bashkuara duhet të ashpërsojnë qëndrimin ndaj terroristëve dhe se nëse ai do të ishte President, do të kishte kërkuar nga Kongresi një deklaratë zyrtare lufte kundër grupit të Shtetit Islamik, ndërsa demokratja Clinton bëri thirrje për kujdes dhe për të intensifikuar grumbullimin e informacionit të zbulimit kundër terroristëve.
Zoti Trump tha në televizionin “Fox” se do të ishte gati të shpallte luftë ndaj terroristëve të papërcaktuar dhe do të angazhonte trupat e NATO-s në një “luftë botërore”.
Më pas, zonja Clinton u pyet në “CNN” mbi komentet e zotit Trump.
“Mendoj se është e qartë që jemi në luftë me këto grupe terroriste dhe se çfarë ato përfaqësojnë. Është një lloj tjetër lufte dhe duhet të jemi të zgjuar për mënyrën sesi e kryejmë këtë luftë dhe si ta fitojmë. Prandaj duhet t’i peshojmë të gjitha alternativat”, tha ajo.
Figurat politike në gjithë Shtetet e Bashkuara dhe nga të dyja palët, u bënë jehonë qëndrimeve të kandidatëve presidencialë për t’u përballur me kërcënimin e terrorizmit islamik.

Artikulli paraprakHollande: Franca nuk do të tërhiqet nga sulmet në Siri dhe Irak
Artikulli tjetërKS: Sulm barbar dhe frikacak