Trump i ka kërkuar ish-gjeneralit John Kelly të rikthejë rregullin në Shtëpinë e Bardhë

Këtë javë Shtëpia e Bardhë e Presidentit Donald Trump ka një shef të ri personeli. Gjenerali në pension i Marinës amerikane, John Kelly, ka filluar detyrën e re në Shtëpinë e Bardhë, pasi shërbeu për 6 muaj në postin e sekretarit të Sigurisë Kombëtare. Përkrahësit e zotit Trump, sikurse edhe kritikët e tij, shtrojnë pyetjen nëse zoti Kelly do të arrijë që përmes përvojës së tij ushtarake të vendosë një lloj disipline në Shtëpinë e Bardhë, të përfshirë nga momente të shumta kaotike gjatë pjesës më të madhe të 6 muajve të parë në detyrë të Presidentit Trump:
Pas disa javësh kaotike, Presidenti Trump i ka kërkuar ish-gjeneralit John Kelly, që të rikthejë rregullin në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne kemi për të punuar shumë dhe kemi për t’i kthyer madhështinë Amerikës. Gjithçka është me synimin për ta bërë Amerikën përsëri madhështore. Këtë do të bëjmë”, tha Presidenti.
Gjenerali Kelly zëvendëson Reince Priebus, i cili pati mosmarrëveshje me shefin e komunikimit Anthony Scaramucci.
“Unë e dua shumë Presidentin”, tha zoti Scaramucci më 21 korrik.
Por Scaramucci u pushua nga puna të hënën, po atë ditë që filloi punën gjenerali Kelly, një sinjal se zoti Trump e ka marrë seriozisht çështjen që t’i japë fund grindjeve në Shtëpinë e Bardhë.
Autori Chris Whipple ka shkruar një libër lidhur me rolin e rëndësishëm të shefit të personelit në Shtëpinë e Bardhë.
“Shtëpia e Bardhë nuk mund të drejtohet njëlloj sikurse një firmë familjare e pasurive të patundshme në Manhattan, ndërsa shkojnë e vijnë një numër këshilltarësh, pa patur një zinxhir komande dhe askush nuk ka mundësinë që të zbatojë axhendën e Presidentit”, shkruan ai.
Zoti Whipple thotë se suksesi i gjeneralit Kelly do të varet nga eksperienca e tij:
“Çdo president mëson, shpesh përmes një rruge të vështirë se nuk mund të qeverisë me efikasitet pa fuqizuar shefin e personelit, për të realizuar një sërë detyrash, por më e rëndësishmja është zbatimi i axhendës së Presidentit dhe ta informojë atë për gjithçka, qoftë e mirë apo e keqe”.
Presidenti këmbënguli në një tweet se në Shtëpinë e Bardhë nuk ka kaos. Por gjatë 6 muajve të tij të parë në detyrë, zoti Trump po përballet me nivel të ulët të mbështetjes në anketa, si dhe me hetimin për Rusinë. Ai po ashtu përballet me një axhendë që ka ngecur në Kongresit, pas dështimit të miratimit në Senat të planit për kujdesin shëndetësor.
Zoti Trump vazhdon të përpiqet të sigurojë mbështetjen e bazës dhe shumë nga përkrahësit e tij kryesorë mbeten besnikë ndaj tij.
“Ne duhet ta përkrahim Presidentin Trump. Ai bën më të mirën e mundshme”, tha një përkrahës.
Disa anlistë thonë se gjenerali Kelly mund të përpiqet ta frenojë Presidentin, sidomos zakonin e tij për shfaqur mendimet e tij në Twitter.
Niveli i miratimit për zotin Trump është rritur në periudha të qeta, thotë analisti Kyle Kondik:
“Nëse ai shfaq një lloj qetësie, unë mendoj se publiku do ta falte më tepër, por kjo gjë nuk ka ndodhur shumë gjatë presidencës së tij”.
John Kelly do të jetë në qendër të vëmendjes ditët e ardhshme, ndërsa presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara po përpiqet të sigurojë mbështetje politike, pas 6 muajsh të vështirë në detyrë.

Artikulli paraprakLetra e fundit e Mitrush Kutelit dërguar gruas
Artikulli tjetërSanksionet e reja, si e dëmtojnë Gjermaninë